Kuriozitete
Basha: Policia e “ritahirizuar”, Greqia kapi 1.6 ton drogë se s’lajmëroi palën shqiptare
Basha: Policia e “ritahirizuar”, Greqia kapi 1.6 ton drogë se s'lajmëroi palën shqiptare
Kryetari i opozitës Lulzim Basha gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, ngriti edhe një herë tjetër akuza ndaj Edi Ramës dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Ai deklaroi se "Edi Rama dhe Fatmir Xhafa nuk mund të luftojnë ligjin", pasi operacionet policore dekonspirohen dhe se kjo ishte edhe arsyeja që policia greke nuk i njoftoi për operacionin e fundit kur kapi 1.6 ton drogë nga Shqipëria.
“Këto dy javë treguan diçka shumë të rëndë. Edi Rama dhe Xhafaj nuk mund të luftojnë krimin. Disa javë pas operacionit “Forca e Ligjit”, rezultatet janë qesharake. Janë kapur vetëm dy fshatarë me 130 gramë marijuanë dhe u përpoqën të shiteshin se kokat e trafikut të drogës. Policia është totalisht e ritahirizuar.
Ngjarja më e madhe ishte ceremonia për shoferët që i japin më mirë makinës. Ndërkohë, në Vlorën ku Edi Rama është deputet, shpërthejnë makinat nga tritoli dhe bëhet luftë mes bandash. Vetëm ditën e sotme pasiguria ka marrë një forma tragjike të shpërthimit të automjeteve në Tiranë e Shkodër. Këto episode marrin jetë njerëzisht, kalimtarë të pafajshëm”, u shpreh Basha.
Më tej kreu i opozitës duke folur për drogën e kapur në Greqi tha se ajo u kap vetëm kur autoritetet greke vendosën të mos njoftonin autoritetet shqiptare.
“Deti vazhdon të jetë autostradë e drogës. Policia greke e tha qartë se skafi me 1.6 tonë drogë u kap vetëm kur ata vendosën të mos njoftonin autoritetet shqiptare, që të mos dekonspirohej”, shtoi Basha.
Basha tha se një kompani që qeveria i ka dhënë koncesionin e djegies së plehrave në Fier mori 4.8 milionë euro pa bërë asgjë.
“Pak javë më parë, Edi Rama i mohoi botërisht fëmijët e Bulqizës që rropaten duke mbledhur krom, duke i vulosur fatin për sa kohë ky mban çelësat e qeverisjes. Fati i keq i përndoqi këta fëmijë edhe ne shkolla. 70 nxënës u helmuan nga tymi i kaldajës, i montuar keq. Por askush nuk ka kërkuar falje. Po këto ditë, një kompani që qeveria i ka dhënë koncesionin e djegies së plehrave në Fier mori 4.8 milionë euro pa bërë asgjë.
Si ka mundësi që një qeveri, ti japi 4.8 mln euro një kompanie që nuk ka bërë asgjë dhe të mos mendojë për fëmijët që rropaten për bukën e gojës. Pas kësaj kompanie qëndrojnë Ahmetaj dhe Edi Rama.
Palmat e thara, 8 milionë euro do të mjaftonin për një rrogë minimale për çdo familje të Bulqizës. Po rata vazhdojnë të rropaten dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Këtë mund ta bëjë vetëm një kryeministër që i ka vënë shkelmin qytetarëve të vendit të vetë”, u shpreh kreu i opozitës. /b.l/noa.al/
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.