Kuriozitete
Përmbytjet, Komiteti i Emergjencave: Ja si paraqitet situata deri tani
Përmbytjet, Komiteti i Emergjencave: Ja si paraqitet situata deri tani
Reshjet e shumta rënë gjatë ditëve të fundit kanë krijuar probleme në të gjithë vendin.
Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave pranë Kryeministrit informon për gjendjen në vend si pasojë e motit me reshje. Po kështu iu bën apel qytetarëve që të tregojnë kujdes së pari për jetën duke dhënë edhe disa këshilla.
Komiteti i Emergjencave pohon se mbi vendin tonë ka vijuar mot me reshje shiu, por intensiteti i tyre ka rënë, duke sjellë përmirësimin e gjendjes në pjesën më të madhe të territorit. Rrezik kryesor mbeten prurjet në lumin Vjosë, sidomos në Vlorë dhe Fier.
Strukturat shtetërore janë angazhuar pa ndërprerje, me përparësi kryesore shpëtimin e jetës dhe minimizimin e dëmeve. Janë evakuuar qytetarët dhe gjëja e gjallë nga zonat e rrezikuara, si dhe është punuar me forca dhe mjete të shtuara për kthimin sa më shpejt të normalitetit. Pa ndërprerje kanë vijuar edhe operacionet e kërkim-shpëtimit.
Pavarësisht se reshjet dhe prurjet e lumenjve kryesorë kanë qenë dhe pjesërisht mbeten mbi nivelet maksimale historike, si rezultat i punës paraprake për pastrimin e kanaleve kulluese, shtratit të lumenjve dhe forcimin e argjinaturave, si dhe mirëfunksionimin e hidrovoreve, dëmet kanë qenë relativisht të kufizuara.
Rrugët kryesore janë të hapura, me përjashtim të disa rrugëve dytësore e rurale, ku po vijon puna për normalizimin e trafikut. Falë punës së përkushtuar të OSHEE, është arritur të minimizohet numri i abonentëve pa energji.
Nën drejtimin e Kryeministrit u zhvillua mbledhja e Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave. Aty u diskutua për gjendjen dhe kontributin e secilit institucion për përballimin me sukses të situatës dhe kthimin në normalitet të jetës së qytetarëve dhe infrastrukturës së vendit. Gjithashtu, u lanë detyra për marrjen e masave paraprake për përballimin në ditët në vijim të situatës me borë në zonat malore të vendit.
Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave vendosi për fillimin menjëherë të inventarizimit të plotë të dëmeve në banesa, rrugë, ura, shkolla, bujqësi etj. Fatura e vlerësimeve të kompensimeve do të bëhet në mënyrë transparente dhe do të sigurohet përfshirja e të gjithë familjeve të prekura, veçanërisht atyre në nevojë.
Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave falënderoi të gjithë pjesëtarët e strukturave shtetërore e private që janë të angazhuar pa ndërprerje në operacionet në terren për përballimin e situatës. Vlerësohet maksimalisht solidariteti vëllazëror nga Kosova, e cila ka dërguar pesë skuadra kërkim-shpëtimi, si dhe gatishmërinë e ofruar nga partnerët ndërkombëtarë për përballimin e gjendjes dhe riparimin e dëmeve.
Si pjesë e këtij njoftimi vijojnë të mbeten instruksionet e dhëna në komunikatat e mëparshme lidhur me masat e sigurisë që duhet të kenë parasysh të gjithë qytetarët.
Thirrje e Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave
Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave ju bën thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë situatës së reshjeve dhe përmbytjeve, duke pasur vëmendje sidomos në këto drejtime:
• Kujdesi për jetën mbetet prioriteti i dorës së parë. Të gjithë duhet të shmangin sa më shumë të jetë e mundur udhëtimet në zonat e prekura nga reshjet, qëndrimin në afërsi të lumenjve e përrenjve, qëndrimin afër shtyllave apo objekteve të tjera të larta që mund të goditen nga shkarkesat elektrike etj.
• Qytetarët që banojnë shumë pranë shtretërve të lumenjve, në afërsi të digave apo në zona që historikisht rrezikojnë përmbytje, duket të shtojnë kujdesin për jetën dhe të jenë në gatishmëri për të bashkëpunuar me strukturat e emergjencave civile në rast të nevojës për evakuim të përkohshëm.
• Kërkohet të shmangen në maksimum udhëtimet në këmbë apo me automjete në zonat e prekura apo me rrezik të prekjes nga përmbytjet.
Një rrymë uji rreth me thellësi rreth 20 centimetra mund të rrëzojë një kalimtar, ndërkohë që një rrymë më thellësi prej 30 centimetrash mund të rrëmbejë automjetin tuaj gjatë udhëtimit.
• Duhet të shmangen në maksimum kalimet në urat e lumenjve me prurje të shtuar dhe rryma të fuqishme.
• Në situata rrymash të parapritura, duhet të kërkoni më shpejtësi një vend të lartë për t’u ruajtur.
• Në se niveli i ujit në afërsi të automjetit tuaj rritet, por nuk lëviz, duhet të lini automjetin për të gjetur një vend më të lartë. Por, mos e braktisini automjetin për t’u futur në një rrymë të fortë uji.
• Shmangni parkimin e automjetit në afërsi të lumenjve apo përrenjve gjatë reshjeve të rënda, pasi ato mund të përmbyten shumë shpejt.
• Shmangni qëndrimin apo parkimin në rrugët që janë në buzë të lumenjve. Shpesh herë ujërat mund të gërryejnë bazamentin e rrugës, duke e bërë atë të rrezikshme.
• Mbani të hapur radion apo televizorin për të marrë njoftimet që mund të jepen nga autoritetet kompetente.
• Mbani në gatishmëri mjete e komunikimit, sidomos telefonat celularë, duke siguruar gatishmërinë e baterive;
• Mbani në gatishmëri mjete të ndihmës së shpejtë, medikamente të domosdoshme, mjete ndriçimi etj..,
• Futini në mjedise të mbyllura orenditë apo mjete të tjera që zakonisht i mbani jashtë. Mundësisht vendosini orenditë në pika të larta brenda shtëpisë për të parandaluar dëmtimin gjatë përmbytjeve;
• Shkëputni sa më shumë pajisje elektrike nga rrjeti dhe mos i prekni ato nëse janë në lagështi ose nën ujë;
• Kini kujdes nga goditjet elektrike që mund të vijnë nga rënia e telave të tensionit në pellgjet me ujë.
• Njoftoni në numrin 112 apo në çfarëdo forme tjetër komunikimi për problemet që mund të keni.
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.