Kuriozitete
Turpi zbulohet edhe në këtë botë
Në një fshat afër, i biri mori të ëmën e sëmure dhe e dërgoi në spital të qytetit. U kthye vetëm nga qyteti dhe lajmëroi njerëzit se e ëma e tij kishte vdekur dhe se ai e kishte varrosur.
Në realitet, ajo nuk kishte vdekur dhe ende ishte gjallë.
Pas ca kohe njëri nga fshatarët shkon në atë spital për ta vizituar një të afërme dhe kur hyn aty çuditet shumë kur sheh këtë grua në të njëjtën dhomë me të afërmen e tij:
A jeni nëna e filanit ju?- e pyeti me habi.
Po, unë jam.
Kush të solli këtu? Kur ke ardhur këtu?
Me ka dorëzuar për shërim këtu biri im para dy vitesh por më nuk e kam parë dhe unë frikësohem se diç e keqe i ka ndodhur atij.
E dëgjoni. Nëna e gjorë ka frikë se derisa djali nuk vjen për ta vizituar atij gjithsesi se i ka ndodhur diç e keqe. Çfarë butësie ka nëna?! Sa e butë dhe mëshirshme që është.
Djali i saj e braktisi, harroi dhe u largua prej saj ndërsa ajo ende ndien frikë se diç e ligë i ka ndodhë.
Fshatari kreu procedurat e nevojshme dhe e mori plakën me vete në fshat. E shtroi një drekë dhe ftoi tërë fshatin e në mesin e tyre edhe djalin e kësaj plake.
Kur u tubuan të gjithë, ky fshatar e pyeti djalin e plakës për nënën e vet ndërsa ai i tha se ka dy vite që ajo ka vdekur.
Fshatari u ngrit dhe e solli plakën para tërë njerëzve dhe tha: A është nëna jote kjo? A është biri yt ky? Djali u shtangua në vend dhe nuk tha as një fjalë të vetme…
Më besoni, kjo ngjarje është e vërtetë. Në të nuk ka imagjinatë. A mund të mendohet një sjellje e tillë për nënën ndërsa Allahu ka thënë: „Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve.
Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese). Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: “Zoti im! Mëshiroi ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël“. (el-Isra, 23-24)
Pejgamberi, alejhi’s selam në një rast, derisa ktheheshin robërit e luftës në Medine, kishte parë një grua me foshnje të saj në dorë.
A mendoni se kjo grua e hedhë foshnjën e saj në zjarrë?- pyeti shokët. Jo- iu përgjigjën. Allahu është edhe më i mëshirshëm me ju se sa kjo grua për foshnjën e saj- iu tha Muhammedi, alejhi’s selam.
Ajo që këtu na intereson është se Pejgamberi, alejhi’s selam mori shembull nënën e cila ndien dhimbje për foshnjën më shumë se sa babai.
Mu për këtë, Muhammedi, alejhi’s selam kishte favorizuar në respekt nënën tri here ndaj babait.
A ua dimë vlerën nënave?