Kuriozitete
Babë e bir, serbë, flasin për parullën “Kosova është zemra e Serbisë”- Djali: Babë, nëse Serbia ka zemër… a ka tru…?
Kur erdha në shtëpi nga mbledhja e partisë, vogëlushi im ndali shikimin në mbishkrimin e fanellës sime.
– Babë, çka do të thotë kjo “Kosova është zemra e Serbisë?”.
– Paj, djali im, kjo do të thotë se Kosova është shumë e rëndësishme për Serbinë… – nisa t’ia shpjegoj.
– Kosova është djepi ynë, ajo është pjesë e vendit tonë, e historisë sonë, atje janë kishat dhe manastiret tona…
– E pse në televizion një xhaxha tha se Kosova nuk është më Serbi? – më ndërhyri djali.
– Kosova gjithmonë do të jetë Serbi! Dhe nuk duhet të dëgjosh tradhtarët e kombit serb! – i reagova me tërbim.
Djali më shikoi me frikë dhe kujtova se me kaq e mbyllëm bisedën.
– A do të më çosh në Kosovë? – më pyeti papritmas.
– Paj, asi, mendoj, si të them, momentalisht ne nuk mund të shkojmë në Kosovë…
– E pse? – sërish më pyeti im bir.
– Paj, si të them, atje tani nuk ka siguri…
– E kur do të ketë atje siguri?
– Paj nuk e di, më vonë…
– A do të ketë siguri të dielën?
Më plasi durimi.
– As të dielën nuk do të ketë siguri, as të hënën! Dhe nuk ka gjasë që atje të shkojmë as në njëqind vjetët t ardhshme!
Djali im vetëm rrihte qepallat i befasuar.
Por nuk dorëzohej.
– E pse nuk mund të shkojmë në Kosovë nëse ajo është Serbi?
– Shumë po pyet, djali im, – e ula pak zërin. – Shko në dhomë dhe luaj atje! – ndërpreva diskutimin.
Djali doli me vrap, por papritmas u kthye.
– Babë, babë, të pyes edhe diçka… nëse Serbia ka zemër… a ka tru…?
(Marrë nga gazeta beogradase “Danas”, përkthyer e publikuar nga Koha)