Kuriozitete
Më pëlqen dashnorja e burrit
“Jam 50 vjeçe, e martuar. I kam katër fëmijë, dy djem e dy vajza. Unë si moshë jam dy vjet më e madhe se burri im, pra ai është 48 vjeç. Kemi jetë të lumtur, por një mesazh që i erdhi tim burri në telefon, e ndryshoi rrjedhën e çdo gjëje”, shkruan për Portalin tonë “Kosovarja”, D.
Kur ishim të rinj, unë 25 e ai 23, u njohëm në punë. U dashuruam, edhe pse unë isha më e madhe. Në atë kohë më mbanin si femër shumë e bukur dhe, mbi të gjitha, rridhja nga një familje e pasur.
Arsyet e vërteta se pse burri im u martua me mua as nuk i di dhe as nuk jam kurioze t’i di, por në atë kohë, ne ishim çifti më i bukur i qytetit. Nuk dukej se isha më e madhe pasi unë jam trupvogël dhe ai ka një fizik prej atleti. Është i gjatë, edhe sot që ka mbushur të 48-at. Mes nesh gjithmonë ka pasur mirëkuptim dhe nga ana ime, një dashuri të pafundme, që besoj se do të vazhdojë deri në përjetësi.
Nga kjo dashuri e madhe lindën rresht njëri pas tjetrit katër fëmijët tanë. Kjo ishte gjëja më e bukur në botë dhe njëkohësisht, ajo që do të bënte që mes nesh ndryshimi i moshës të dukej e, madje kohë pas kohe, të binte shumë në sy.Meqenëse e dashuroja shumë dhe fëmijët që kisha me të ishin pasuria më e madhe për mua, ua kushtova jetën fëmijëve.
E di se të gjitha nënat kështu bëjnë, por unë po e them në kuptimin se e harrova veten fare. Harrova se duhej t’i kushtoja rëndësi bukurisë së jashtme. Nga ana ekonomike ishim shumë mirë.Mirëpo, nga ai bollëk “pësova unë”, që do të thotë, edhe pse lodhesha shumë, kisha shumë oreks dhe u trasha shumë, me mbi peshë normale, ndërsa burri im nuk kishte ndryshuar aspak. Madje, koha kalonte e ai zbukurohej. Fëmijët u rritën dhe morën drejtime të ndryshme, secili me fat të vetin…
Ah, mesazhi në telefon!
Por, historia ime fillon kur i gjeta një mesazh në telefon. Ishte një pasdite e qetë teksa rrinim bashkë. Ai u ngrit për të bërë një dush dhe harroi telefonin në tavolinë. I erdhi një mesazh.
E hapa pa të keq që ta lexoja.
“Po të pres te vendi. Eja shpejt se nuk kam shumë kohë”. Nuk e kishte shkruar emrin dhe mesazhi ishte me numër, pa ndonjë emër. Nuk e dija në ishte femër apo ndoshta ndonjë shok, kështu që nuk u nxitova.
E shënova numrin dhe mendova se po veproja gabim, por ky mendim u këput në mes nga prania e burrit.“Uh, si e harroj edhe unë vend e pavend këtë telefon! Më mori njeri?”, më tha.
“Nuk e di! Sa u ula edhe unë se isha në dhomën e gjumit”, e gënjeva për herë të parë në jetën time.
E hapi telefonin dhe sa pa mesazhin tha se i duhej të dilte se po e kërkonte një shok.
“Po ne sikur do të kalonim pasditen bashkë”, ia ktheva.
“Eh, ku të lënë shokët! Po ja se nuk vonohem zemër”, më tha me butësi.Dhe, butësia e tij më bënte të harroja se si isha. Më bënte të harroja se ndoshta ai më tradhtonte dhe, madje, nuk më shkonte në mendje se do të kishte sy për ndonjë tjetër.E kisha numrin, por nuk mund t’i telefonoja.
Më dukej se po të ishte, me të vërtetë, ndonjë shok, do të isha unë ajo që po bëja gabim e nuk po e besoja. Nejse, kurioziteti ishte më i fortë se unë. Nuk e mora atë ditë, por nja dy ditë më pas dhe ashtu, siç mund ta kuptoni, në telefon më doli një femër.
Ajo, sa e mora, u përgjigj. E mbylla telefonin pa folur dhe menjëherë para meje u shemb ajo lumturi shumëvjeçare. Tani nuk e dija në duhej t’i thosha apo jo tim shoqi për çfarë kisha zbuluar. Vendosa të zbuloja se cila ishte ajo femër e më pas të ndërmerrja ndonjë veprim.
Dashnorja e burrit i kishte të gjitha që unë nuk i kisha
Pas shumë mendimeve, thura një “plan”. E mora në telefon dhe i thash: “Alo, mirëdita!”“Mirëdita! Kush jeni ju?”.
“Oh, më fal, i paskam rënë gabim. Ju, kush jeni?”.
Për çudi, ajo ma tha emrin. Ndoshta nuk do ta mendonte kurrë kush isha dhe për këtë u tregua shumë naive. Nga emri e zbulova se kush ishte. Ishte një vajzë që punonte parukiere.
Ditën e parë kur e mora vesh, nuk bëra gjë. Të nesërmen, vendosa të shkoja ta shihja se si ishte. Hyra në parukeri dhe kërkova të bëja një krehje. Ndonjëherë mendoja se ajo do t’më njihte, por jo, ajo as që kishte idenë se kush isha. Ishte një vajzë shumë e bukur dhe e re, nja 25 vjeçe.
Kishte çdo gjë që unë nuk e kisha. Kishte trup të përsosur dhe për më tepër, ishte shumë e bukur. Kur shikoja ndryshimin tonë në pasqyrën e parukerisë, më zihej fryma.“Qenkeni shumë e bukur!”, i thash.
“Faleminderit! Edhe ju jeni shumë e bukur!”, ma ktheu.
Por, e dija se këtë ma tha kot…
Dhe, që nga ajo ditë unë shkoja shumë shpesh në atë parukeri.
Nuk i thash burrit asgjë. Një ditë shkova pak më herët dhe ende nuk ishte hapur parukeria. Ajo po priste jashtë se ende nuk kishte ardhur pronarja.
Unë, si gjithmonë, duke ndjekur nga pas atë. Bëra sikur më duhej një krehje.“Ua, qenka mbyllur!”, i thash.
“Është vonuar pronarja në trafik. Po ju, do të prisni?”.
“Mezi po rri në këmbë, do hyj në kafe. Do të vish dhe ti?”, ia ktheva.
U ulëm të dyja në një tavolinë dhe brenda kisha frikën se mund t’më shihte im shoq. Në fakt, unë nuk e kisha problem se para meje në tavolinë ishte femra me të cilën burri im më tradhtonte. Duke biseduar, po e pyesnim njëra-tjetrën për familjen.
“Sa fëmijë ke?”, më pyeti.
“I kam katër fëmijë”, i thash, por ndryshova vitet e tyre, që të mos e kuptonte, sepse mendoja se e dinte moshën e fëmijëve tanë.
“Po ti, a je e fejuar a e martuar?”, i thash.
“Jo, jam e dashuruar, por ai nuk do të fejohet. Është pak më i vjetër se unë me moshë”.
“Pak?”, e pyeta unë.
“Edhe pak nuk është, por nuk ngjan me moshën që ka”.
“Po, ai nuk ka qenë asnjëherë i martuar, meqë qenka i vjetër?”, bëja unë rolin e zbulueses.
“Ka qenë më përpara, por tani jeton me prindërit dhe nuk po vendos të martohet me mua. Po unë edhe kështu jam mirë.
Nga dashuria që kam për të mund të pranoj gjithçka”.
Më tërheq dashnorja e burrit
Çdo fjalë e saj ishte si shigjetë për mua. E, si mund të durojë një femër që t’i thotë e dashura e burrit këto fjalë? Ja që unë e durova…
“Ti mbahesh mirë, je një nga klientet që vijnë më shpesh. Kushedi sa krenar duhet të jetë yt shoq që ka një grua që mbahet kaq mirë.
“Po, është e vërtetë që më do shumë. Edhe pse jam e trashë, ai asnjëherë nuk ma thotë këtë”.
“Ti vetëm e trashë je, përndryshe në fytyrë je shumë mirë. Me pak palestër mund të jesh shumë në formë. Po deshe, eja atje ku shkoj unë”, ma ktheu.
“Mirë thua. Por, a do të mund të dobësohem?”.
“Sigurisht! Kam parë më të trasha se ti që janë bërë elegante”.Dhe, vendosa të shkoja në palestër. Tani shkojmë bashkë dhe e pimë edhe kafen bashkë. Në fakt, nuk ndjehem aspak keq.
Nuk e di pse, por ndoshta ngaqë ajo është një vajzë shumë e dashur e shumë e sinqertë.Pas palestrës, trupi im është më në formë, por ende do shumë punë. Tani unë kam edhe hallin se po më pa im shoq me të do t’më keqkuptoj, por nejse, ai do të mendojë se jemi njohur rastësisht në parukeri.
Nganjëherë mendoj që të mos shkoj më te parukeria e saj dhe as në palestër, por seç më tërheq as unë nuk e di. Tani për tani, jam në këtë pikë dhe nuk e di për më tej…