Mbrëmjen e sotme “Fiks Fare” ka zbuluar mashtrimin e një 30-vjeçari i cili hiqet si invalid, duke lypur në rrugët e Tiranës.
Gazetarët kanë arritur që ta ndjekin të riun në një ditë “pune” dhe kanë kuptuar se ai vesh 5 palë pantallona, në mënyrë që të mos kuptohet se i ka të dyja këmbët.
Në momentin që ata afrohen, pas tij shikojnë se në distancë e ndjekin babai dhe vëllai dhe në një moment vjen policia bashkiake që i kërkon gazetarëve të largohen dhe mos ta shqetësojnë lypësin.
Lypësi i thotë se fiton deri në 5 mijë lekë të vjetra në ditë, por në raste të rralla shkon dhe deri në 15 mijë.
Pas kësaj gazetarët e kanë ndjekur të riun dhe ka kuptuar të gjithë “lojën” e tij.
Ai zvarritet nga trotuari deri në një pjesë betoni në afërsi të Lanës. Në një puset të hapur lypësi tregon se ka fshehur çantën me rroba. I pyetur nga gazetarët se si ka mundur t’i fsheh aty rrobat, ai tregon se e ka ndihmuar i vëllai për t’i qëndruar deri në fund mashtrimit të tij.
Por pasi sheh këmbënguljen e gazetarëve 30-vjeçari merr çantën dhe fillon të heqë një e nga një pantallonat. Plot 5 palë të tilla. Në këtë moment del hapur mashtrimi, pasi 30-vjeçari i kishte të dyja këmbët. Njërën këmbë e kishte përthyer. Ai ngrihet në këmbë, merr në supe çantën dhe largohet duke buzëqeshur, me “pagën” e tij ditore, duke mashtruar qytetarët.