Kuriozitete
Arratisja e tre ish- zyrtarëve të policisë, flet Xhafaj: Nuk ishin nën vëzhgimin tonë
Arratisja e tre ish- zyrtarëve të policisë, flet Xhafaj: Nuk ishin nën vëzhgimin tonë
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka deklaruar gjatë një dalje për mediat se nuk disponon emra konkretë për dekonspirimin e operacionit për arrestimin e tre ish-zyrtarëve të policisë së Vlorës.
Duke iu përgjigjur akuzave se operacioni është dekonspiruar nga policia, Xhafaj tha se tre ish-drejtuesit e policisë nuk kanë qenë në vëzhgim nga Policia e Shtetit. Ai theksoi se duhet të pyetet Prokuroria që të japë përgjigje se me kë institucion i ka ndjekur ata.
“Nuk kemi pasur dijeni. Tre ish-punonjësit nuk kanë qenë në vëzhgim nga policia. Duhet të pyesni Prokurorinë se me kë i ka pasur në vëzhgim, jo me policinë.
Përpara këtij fakti policia nuk ka pasur dijeni për këtë. Ose më saktë policisë nuk i është lënë detyrë mbikëqyrja. Nuk kam emra konkretë për dekonspirim. Të arrestohen ata që kërkohen”, u shpreh Xhafaj.
Pyetjes se kush janë marrëdhëniet e Xhafajt me prokurorinë, ministri u mjaftua duke thënë: “marrëdhënie thjesht institucionale”.
Një ditë më parë ministri Xhafaj ka kryer një kallëzim penal në Prokurori në lidhje me dekonspirimin e operacionit për kapjen e 3 ish-zyrtarëve të policisë të dyshuar si të implikuar në trafikimin e lëndëve narkotike. /b.l/noa.al/
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.