Kuriozitete
Avramopulos pret ministrin Xhafaj: T’i hapim dyert Shqipërisë drejt BE
Avramopulos pret ministrin Xhafaj: T’i hapim dyert Shqipërisë drejt BE
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj takoi sot komisionerin për Migrimin, Punët e Brendshme dhe Shtetësinë në Bashkimin Europian, Dimitris Avramopulos.
Gjatë takimit të ditës së sotme në Bruksel, komisioneri përgëzoi Ministrinë e Brendshme për masat e marra dhe rezultatet e arritura deri tani në luftën kundër kultivimit të kanabisit, menaxhimit të integruar të kufijve me synim frenimin e migracionit të parregullt dhe azilkërkimit të paligjshëm, luftën kundër krimit të organizuar. Ai inkurajoi që ky standard të vijojë edhe në të ardhmen, për të siguruar qëndrueshmëri në rezultate.
“Shqipëria është një faktor i rëndësishëm stabiliteti për mbarë rajonin. Një fqinj i mirë i vendit nga i cili unë vij dhe, në të ardhmen, anëtar i familjes europiane. Ndodhemi sot këtu për të punuar së bashku, në mënyrë që të kapërcejmë të gjitha çështjet dhe kërkesat që kërkohen për t’i hapur Shqipërisë dyert drejt Bashkimit Europian. Dhe ne jemi shumë të angazhuar të rrisim dhe thellojmë bashkëpunimin tonë, në mënyrë që të arrijmë këtë moment”, u shpreh Avramopulos.
Ai garantoi se do të vijojë të mbështesë dhe të jetë krah Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian.
Nga ana e tij Xhafaj tha se komisioneri është një mbështetës i madh i aspiratave të popullit shqiptar, ndaj nënvizoi se shpreson që nën kujdesin e tij dhe me mbështetjen e tij, të bëhen hapa të rëndësishëm që kanë të bëjnë me çështjet e luftës ndaj krimit të organizuar, trajtimit të çështjeve të emigracionit të paligjshëm dhe një sërë çështjesh të tjera që na preokupojnë në rrugën drejt integrimit.
I ftuar nga ministri i Brendshëm në Shqipëri, komisionari Avramopulos deklaroi se “do të kem kënaqësinë që të vizitoj Tiranën shumë shpejt”. /a.y/noa.al
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.