Kuriozitete
Deklarata e ambasadorit Lu për Tahirin, Rama: Faleminderit Don! Mesazh i qartë
Deklarata e ambasadorit Lu për Tahirin, Rama: Faleminderit Don! Mesazh i qartë
Kryeministri Edi Rama përshëndet qëndrimin e ambasadorit amerikan në vendin tonë, Donald Lu, i cili komentoi rastin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i akuzuar për trafik droge.
Kreu i qeverisë e falënderon ambasadorin për mesazhin e tij, duke thënë se është shprehur qartë.
“Faleminderit Don! Një mesazh i qartë për shqiptarët që duan drejtësi, jo gjyqe komuniste për këdo që kanë votuar a paguar me taksat tyre”, shkruan Rama në Facebook.
Ambasadori amerikan në vendin tonë, Donald Lu, reagoi për herë të parë lidhur me akuzat ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i akuzuar për trafik droge.
Në deklaratën e tij të parë lidhur me këtë rast, ai ka thënë se publiku duhet të di të vërtetën.
“Nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm. Por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju si drejtues të shoqërisë civile, ju si të rinj dhe ju si qytetarë të Shqipërisë të zbuloni të vërtetën. E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike. I përket qytetarëve të Shqipërisë”, u shpreh Lu.
Më tej nënvizoi se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Deklarata e tij u dha në paraditen e kësaj të enjteje, në një aktivitet mbi arsimin, ku tha se në 27 vitet e fundit, ky vend është përballur me problemin e turpshëm të politikanëve të fuqishëm, nga e djathta dhe nga e majta, që kanë kryer krime të tmerrshme dhe i kanë shpëtuar drejtësisë, pa pushim.
“Ju nuk jeni gjyqtarë apo prokurorë, por jeni njerëz që votoni. Ju i dhatë besimin tuaj këtij personi si anëtar i Kuvendit dhe si ministër i lartë i kabinetit. Është përgjegjësia juaj të kërkoni që publiku të dijë të vërtetën për këtë çështje. Nëse është i pafajshëm, njerëzit duhet ta dinë këtë. Nëse është fajtor, ai duhet të përballet me drejtësinë”, tha ndër të tjera ambasadori amerikan. /a.y/noa.al
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.