Kuriozitete
Detaje të reja/ 74-vjeçari që vrau me armë gjahu gruan, 5 herë i martuar, si i shpëtoi dy atentateve
Dalin të tjera detaje nga krimi brenda familjes në Shkodër, ku 74-vjeçari vrau me armë gjahu gruan e tij 47 vjeçe. “Panorama” shkruan se Beqir Xhilaj mësohet se ka qenë 5 herë i martuar.
Me bashkëshorten e parë, me të cilën nuk pati fëmijë, është divorcuar para viteve ’90.
Ai është martuar për të dytën herë, por sërish është ndarë pa pasur ende fëmijë. Xhilaj është martuar sërish dhe me gruan e tretë kishte tre fëmijë, por edhe me atë është divorcuar.
Me gruan e katërt ai ka 5 fëmijë, por disa vite më parë ajo u gjet e vrarë dhe për këtë u akuzua i shoqi.
Në atë kohë, Beqir Xhilaj ka qëndruar në burg rreth 5-6 muaj, por më pas është liruar sepse ekspertiza dhe gjykata e ka cilësuar si një vetëvrasje të saj. Pas kësaj ngjarjeje, persona të paidentifikuar i kanë bërë dy atentate.
Herën e parë nuk kanë arritur që ta dëmtojnë, ndërsa në atentatin e dytë 74- vjeçari është qëlluar dhe është dëmtuar në njërën prej duarve, duke u detyruar që ta presë atë. Për të dyja rastet është dyshuar se autorë kanë qenë të afërm të gruas për të cilën ai u dyshua se e ka vrarë, por që më pas u klasifikua si vetëvrasje.
Në momentin e krimit, çifti ka qenë i vetëm, ndërkohë që, sipas të dhënave, fëmijët e tij nuk jetojnë me të.
Ngjarja sipas policise
Më datë 08.05.2017, rreth orës 00: 05, njoftohemi se është vetvrarë me armë gjahu në banesë shtetasja Lumturie Xhilaj, banuese në fshatin Guci e Re Njësia Administrative Rrethina Shkodër.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.
Në përfundim të veprimeve të para të kryera, rezultoi se shtetasja Lumturie Xhilaj nuk është vetvrarë por dyshohet se e ka vrarë bashkëshorti për motive të dobëta, krim që më pas e ka pranuar edhe vetë autori.
Në këto kushte Specialistët për Hetimin e Krimit bënë arrestimin në flagrancë të shtatasit: Beqir Xhilaj, 74 vjeç, banues në fshatin Guci e Re Njësia Administrative Rrethina Shkodër.
Në vendin e ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e gjahut të cilën e mbante me leje shtetasi i lartpërmendur.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, e parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal.