Lajme
“Flëmë pa ngrënë bukë që të nesërmen fëmijët të kenë ç’të hanë”
Jeta për 70-vjeçarin Suzan Pasha nga fshati Nikël i Krujës nuk ka qenë aspak e lehtë. Varfëria e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës së tij.
Familja e Suzanit përbëhet nga 4 pjesëtarë, ai, e shoqja dhe 2 fëmijët. Ndërsa të ardhurat e vetme që ata kanë janë vetëm 48 mijë lekë të vjetra në muaj .Pavarësisht moshës së thyer, Suzani nuk përfiton as pension sepse nuk ka plotësuar vitet e nevojshme të punës.
“Unë aktualisht jetoj në një gjendje shumë kritike për arsye ekonomike. Jam papunë, gruan e kam të sëmurë nga spondiliartroza, kam dy fëmijë të vegjël. Vetë jetoj duke mbledhur kanoçe në rrugë, sepse kam një moshë madhore e nuk më merr njeri në punë. Unë dhe gruaja ime ka raste që flemë pa bukë, se na vjen keq për fëmijët. Po të hamë ne, të nesërmen do ngelen prapë fëmijët pa bukë. Detyrimisht rrimë ne pa bukë, sepse jemi më të mëdhenj dhe fëmijët i mbajmë me ato mundësi që kemi”, thote ai.
Sipas Suzanit, mosha e tij e ka penalizuar, pasi nuk e merr asnjë njeri në punë. Por, sikur të mos mjaftonte kjo as e shoqja nuk mund të punoje pasi është e sëmurë.
Tokë nuk kanë, ndërsa si mundësi të vetme për të nxjerrë ca të holla më tepër Suzani mbledh herë pas here shishe plastike apo kanaçe në kazanët e plehrave.
Edhe kushtet e banimit në të cilat kjo familje jeton nuk janë normale pasi shtëpia është shumë e amortizuar. Përveç kësaj në familjen Pasha mungon edhe uji. Ata e kanë të pamundur të vendosin tubacione apo të blejnë një depozitë. Kryefamiljari Suzan Pasha bën apel për ndihmë pasi nuk kanë asnjë mundësi tjetër vetëm se të shpresojnë që thirrjet dhe lutjet e tij për ndihmë do të bien në veshin e njerëzve me zemër të mirë.