Kuriozitete
Gati sa nuk ma mori burrin shoqja ime!
U njohëm rastësisht në Mensën e Studentëve në Prishtinë. Nuk ishte ndonjë njohjeje romantike, por kjo ishte e vërteta jonë… Për mua qe dashuri në shikim të parë dhe nga ai moment e kuptova se ai për mua ishte i duhuri, i imi. Mirëpo, për pak të ma merrte ime shoqe dhe do mbesja me gishta në gojë, shkruan për Portalin tonë, “Kosovarja”, Merita, nga Prishtina.
Njohja jonë nuk ishte një njohje romantike që u ndodhin çifteve teksa me gotë vere në dorë i afrohen njëri-tjetrit dhe i shprehin dashurinë. Njohja jonë ndodhi në Mensën e Studentëve në Prishtinë dhe ishte një njohje pothuajse e rëndomtë që mund t’u ndodhej çifteve. Por, megjithatë, më pëlqente fakti se më bënte pyetje, por, mbi të gjitha, më dëgjonte pa i hedhur sytë nga dekolteja apo nga prapanica. Pasi hëngrëm drekë bashkë dolëm nga mensa me një përshëndetje të rëndomtë. Dija vetëm emrin e tij dhe fakultetin dhe për dy javë rresht më nuk e pash dot…
Ditët kalonin dhe kujtimi i fytyrës se tij po zbehej gjithnjë e më shumë sa që kisha frikë se po ta takoja përsëri nuk do ta njihja më. Mirëpo, truri bën çudira, jo vetëm që ia mbaja mend fytyrën, por e kisha memorizuar edhe frizurën e tij, sa që pas dy javësh kur e pash nga larg e njohja në bazë të ecjes… Bërtita: “E gjeta!” dhe vendosa që kësaj radhe të mos e lija të më humbiste përsëri… Në momentin që e pash për të dytën herë, isha me një shoqe që ishte komplet e kundërta ime në paraqitje, por njëlloj e lezetshme. Kur iu afrova i them sime shoqe me zë të lartë: “Ka ndonjë kafiteri këtu afër?”. Ai, meqë ndodhej shumë afër meje, sikur ma njohu zërin dhe tha: “Po, këtu afër është”.
Kur ktheu kokën kah unë më njohu, ma zgjati dorën dhe më ftoi në kafe. E unë, si çdo vajzë e mbarë, mora edhe shoqen me vete se, përndryshe, ai do të mendonte se unë mezi e kisha pritur atë takim… Pas nja një ore muhabet u largova për pak minuta nga tavolina dhe kur kthehem shikoj tek gajaseshin të dy. “Mos bëra autogol!”, e solla në mendje. Thashë: Tash do ia kërkojë numrin asaj dhe unë, budallaqja, e hëngra!”.
Tash, e që i shkruaj këta pak rreshta, më kujtohet se si po atë natë tërë kohën e kalova pa gjumë, duke menduar se ime shoqe do ma merr. Më silleshin në kokë vërdallë dyshime të shumta dhe vendi vend nuk më zihej.
Por, deshi Zoti dhe ndodhi e kundërta, ai u bë i imi dhe bashkë jetojmë qe 10 vjet.