Connect with us

HISTORI PERSONALE Më ka gjetur belaja me vajzën!

Kuriozitete

HISTORI PERSONALE Më ka gjetur belaja me vajzën!

Unë që po ju shkruaj jam Flutura, aktualisht, 40 vjeçe. Jam një grua e ve. Prej 5 vjetësh, pas një aksidenti automobilistik, im shoq humbi jetën në një moshë shumë të re. Ishte vetëm 35 vjeç, në lule të jetës. Shokët e tij akoma nuk e kishin nisur jetën kur ai vdiq.

E kam dashuruar gjithmonë si ditën e parë që jemi njohur. Jo se ka qenë bashkëshorti im, por ka qenë një njeri i mrekullueshëm, njeri me shumë virtyte.

Gjatë viteve që kemi jetuar bashkë, më ka bërë të ndjehem vërtet femër. Ka qenë një mashkull me të cilin çdo femër mund të dashurohej, por fati e kishte shkruar që ai të ndahej nga jeta shumë i ri. Por, jam me fat sepse nga dashuria jonë lindi dhe vajza jonë, Arla. Ishim shumë të lumtur të tre.

Gjithmonë dilnim bashkë sa edhe të tjerëve u binte në sy kjo gjë dhe shpeshherë më thonin: “Marshalla, gjithmonë të tre”.
Në kohën që bashkëshorti im u nda nga jeta, Arla ishte vetëm 11 vjeçe. Të dyja kemi kaluar momente shumë të vështira. Më vjen shumë keq për vajzën sepse në ato momente nuk e kuptonte humbjen e të atit, por ajo dita-ditës rritet edhe e ndjen dhe më shumë mungesën e tij.

Gjëja pozitive mbas humbjes së bashkëshortit ka qenë se kam pasur dhe kam një mbështetje të jashtëzakonshme nga njerëzit e bashkëshortit tim. Është diçka të cilën e vlerësoj vërtet shumë. Që nga ai moment, ata më kanë qëndruar gjithmonë pranë, sa kanë pasur mundësi.

Kjo gjë mendoj se i ka bërë më mirë Arlës, e cila ka pasur gjakun e babait të saj aty, duke i larguar sadopak dhimbjen e humbjes.

Arla aktualisht është në gjimnaz, në vitin e dytë dhe është një vajzë mjaft e mbyllur në vetvete. Jam përpjekur shumë që të flas me të e të gjejmë një gjuhë të përbashkët, sepse në fillim, siç ia kam shprehur edhe asaj, duhet të jemi shoqe; çfarëdolloj gjëje që të ketë, duhet të jetë e hapur me mua, mirëpo përgjigjja e Arlës kur i them se ne të dyja duhet të flasim për gjithçka sepse kjo na ndihmon që të komunikojmë më mirë, është se “nuk kam asgjë për të treguar” dhe futet në dhomën e saj e nuk flet më.

Një ditë po e diskutoja këtë gjë me kunatën time, e cila më sugjeroi që fillimisht të shkoja te një psikologe dhe t’i tregoja historinë e vajzës, që ajo të më jepte disa këshilla.

Vendosëm një ditë të dyja dhe shkuam te një psikologe që ajo e njihte. I shpjegova psikologes me detaje se çfarë po më ndodhte me Arlën. Ajo më dëgjoi dhe më tha se duhet të caktonim një datë ku të linim takim bashkë me Arlën.

E caktova datën e konsultës kur duhet të shkoja bashkë me vajzën. Psikologia më këshilloi dhe më tregoi edhe mënyrën se si duhet t’ia tregoja Arlës vendimin që kisha marrë për ta ndihmuar atë që të ishim më të komunikueshme bashkë.
Atë ditë që do t’ia tregoja, vendosa që t’ia bëja pak a shumë si surprizë. Shova te shkolla dhe po prisja që ajo të mbaronte mësimin. Kur më pa, nuk u gëzua fare, por më tha thjesht: “Çne që paske dalë sot këtej?”.

I thashë se nuk kisha asgjë për të bërë në shtëpi dhe vendosa t’i bëja surprizë; meqë ishte e premte dhe e kishim fundjavën përpara, të hanim një drekë jashtë. Në fillim nuk donte të dilnim, por me këmbënguljen time, pranoi. Biseduam si gjithmonë, që jam unë ajo që ia nxjerr falët si me zor.

Më pyeti vetëm se ku do të iknim. Sado që përpiqesha ta pyesja se si ia kishte kaluar në shkollë e gjëra të kësaj natyre, ajo më përgjigjej më fjali shumë të shkurtra. Arritëm te restoranti. Porositëm dhe po mundohesha larg e larg që t’i tregoja në mënyrën që psikologia më këshilloi se unë kisha qenë te një psikologe për këtë çështje që më shqetësonte dhe se herën tjetër kishim lënë një takim ku duhet të vinte edhe ajo, por nuk e prisja kursesi reagimin e saj…

U ngrit nga tavolina duke më thënë që kjo gjë nuk mund të ndodhte asnjëherë, sepse atje shkonin vetëm të çmendurit e “unë, më tha, nuk jam e çmendur”. U largua dhe, ashtu si e hutuar vrapova pas saj, duke mos paguar as llogarinë. Për të mos rënë edhe shumë në sy të njerëzve, i thashë të më priste te dera jashtë, sa të bëja pagesën. Bëra pagesën, por kur dola, nuk e gjeta jashtë.

Pyeta disa shofera që punonin aty se mos e kishin parë një vajzë dhe njëri më tha se mori taksinë dhe u largua. Nuk e kuptova se si ndodhi. U nisa direkt për në shtëpi sepse mendova se do ta gjeja aty, por nuk ishte. I bija telefonit dhe më dilte i fikur. Po çmendesha, çfarë nuk mendoja! I telefonova kunatit dhe i tashë se e prisja në shtëpi sepse Arla ishte larguar dhe nuk e dija se ku.

Ai erdhi menjëherë. Pas pak çastesh, ra dera dhe ishte Arla. U lumturova pa masë. E pyeta menjëherë se çfarë ndodhi që u largua ashtu dhe se ku kishte qenë. M’u përgjigj: “Isha te varrezat, te babi” dhe u fut në dhomën e saj duke qarë…

Jam në një gjendje shumë të vështirë, më ka gjetur belaja me vajzën time. Akoma nuk e kemi gjetur gjuhën e përbashkët. Nuk e di se si të sillem, si të veproj.

Gjendja mes ne të dyjave vazhdon të jetë e njëjtë. Kam pyetur edhe në shkollën e saj dhe më kanë thënë që nga mësueset e deri te shoqet e shokët e saj që është mjaft e mbyllur e nuk shprehet lirshëm kur bisedon me ta.

Po çmendem nga kjo situatë! Nuk di se si ta ndihmoj të dalë nga kjo gjendje. Çfarë më thoni ju?

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Kuriozitete

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top