Connect with us

HISTORI PERSONALE Pse më tradhtoi pas shumë vitesh martesë…

Kuriozitete

HISTORI PERSONALE Pse më tradhtoi pas shumë vitesh martesë…

Nuk ma merrte mendja kurrë se mund të më ndodhte edhe mua ajo që shumë të tjerë e kanë kaluar përpara meje, por përjetimi i tradhtisë qenka shumë i tmerrshëm, sidomos kur je në njëfarë moshe.

Gjithmonë kisha menduar se në moshën tonë marrëdhënia bazohej te respekti dhe ndjenja e përgjegjësisë ndaj familjes me shumë sesa te tërheqja fizike apo seksuale. Sigurisht që çdo marrëdhënie duhet të ruajë dozën e vet të dashurisë, por me kalimin e viteve, gjërat ndryshojnë dhe të duket e pakonceptueshme që mund të biesh viktimë e tradhtisë…

Unë jam 45 vjeçe. Kam një djalë në shkollë të lartë, që studion jashtë prej 3 vjetësh.

Jam njohur dhe jam martuar me tim shoq me dashuri. Ai ka qenë një burrë i mirë, edhe pse më e dhënë pas familjes kam qenë gjithmonë unë. Pasi kemi kaluar thuajse 30 vjet bashkë, marr vesh se ky njeri që e kam vlerësuar gjithmonë, më tradhton përpara syve të mi.

Papritur më ka kapur një urrejtje aq e madhe për të, sa nuk arrij ta besoj se mund ta kem dashur. Ne kemi dy shtëpi në të njëjtin pallat, njërën prej të cilave e kemi lënë me qira prej 5 vjetësh.

Atje jetojnë dy vajza që sapo kanë mbaruar sshkollën e lartë, kanë gjetur punë në Tiranë dhe vazhdojnë të qëndrojnë këtu.

Duke qenë se ato prej shumë vitesh qëndrojnë në shtëpinë tonë, kemi krijuar një lloj konfidence.

Ne i kemi ndihmuar sa herë kanë pasur nevojë (për gjëra të vogla, bëhet fjalë).

I kam trajtuar si të ishin fëmijët e mi, sepse kam vetë një djalë që është vetëm disa vjet më i vogël se ato, por ja që qenkam gabuar në gjykimin tim. Nuk ka shumë kohë që njëra nga këto vajzat më kërkoi të pinim një kafe afër punës time.

Mendova se mund të kishte ndonjë hall dhe se kishte nevojë për ndihmë, megjithëse m’u duk e çuditshme që më kërkoi të mos e pinim kafen në shtëpinë time, siç bënim zakonisht.

Nuk e vrava shumë mendjen dhe dola ta takoja. Ajo dukej se kishte qarë.

Fillova ta merrja me të mira, që ta qetësoja, duke i thënë se nuk ka gjë që nuk kalohet në këtë jetë. Sa budallaqe m’u duk vetja më pas, kur kujtova këto fjalë që i kisha thënë!

U ulëm dhe ajo po hezitonte që të fliste. Më tha se i vinte shumë turp për atë që kishte ndodhur dhe që do të më tregonte. Fillimisht më kërkoi të falur dhe u justifikua për atë çka kishte bërë. Deri këtu nuk kisha marrë vesh asgjë se çfarë kishte ndodhur, por mendja më shkoi se do të kishte ndodhur ndonjë gjë nga shtëpia, ndoshta kishin prishur ndonjë mobilje apo ndonjë gjë tjetër dhe më dukej shumë absurde që ajo qante kaq shumë.

I thashë që të mos shqetësohej se nuk kishte gjë të pandreqshme, por kurrë, për asnjë çast, nuk më shkoi mendja tek ajo që do të më tregonte.

Ajo filloi të fliste më shkoqur, me zërin që i dridhej dhe lotët që i rridhnin pa pushim. Më tha se kishte një lidhje me burrin tim. Në atë moment shtanga, nuk u besoja veshëve për atë çka dëgjova dhe nuk arrija dot as të flisja. Ata kishin më shumë se dy vjet që ishin lidhur bashkë.

Im shoq, për nga mosha, mund të ishte babai i saj, por kjo nuk e kishte penguar vajzën (nuk dua t’i vë epitete në gazetë, edhe pse i meriton), as fakti që ishte i martuar dhe ajo që më njihte shumë mirë, nuk e kishte bërë të hezitonte para se të vepronte.

Nuk kishte menduar as për faktin se kështu po shkatërronte një familje. Sipas saj, njeriu nuk mund ta komandonte dot zemrën dhe dashuria nuk njihte moshë. Kështu e justifikonte ajo lidhjen me burrin tim.

Pasi tha gjithë këto, më doli nga shpirti një pyetje ku doja të gjeja shpëtim: “Po bën shaka, apo jo?”.
Ma konfirmoi prapë se ajo që po thoshte ishte e vërtetë. Sikur fillova ta mblidhja veten dhe e pyeta pse kishte ardhur të më tregonte.

Sipas saj, burri im donte të ndahej prej meje, por nuk kishte guxim të ma thoshte. Meqë vajza ishte më e guximshme, e kishte marrë ajo përsipër këtë mision. Më tha se im shoq donte të niste një jetë të re me të dhe unë nuk duhej ta pengoja.

Ishte e pabesueshme se çfarë guximi kishte ajo vajzë! I thashë se im shoq ishte i lirë t’i merte vendimet për veten. I thashë se do të flisja me bashkëshortin dhe se kur t’i vërtetoja fjalët e saj, do të isha unë ajo që do të ndahesha prej tij, sepse nuk mund të jetoja me një njeri që më kishte tradhtuar kaq paturpesisht, madje edhe në shtëpinë time.

Kur shkova në shtëpi, e pyeta menjëherë tim shoq për ato që më kishte thënë vajza. Ai i mohoi të gjitha dhe tha se ajo po i sajonte, po se për çfarë arsyeje ajo duhej të shpikte gjithë këtë histori, ai nuk e kishte idenë.

Sigurisht që i nxora nga shtëpia qiraxhiet, sepse nuk kishte më kuptim të rrinin në shtëpinë time pas gjithë asaj që më kishte ndodhur. Filluan debatet me burrin, që nuk pranonte asnjë fjalë nga ato që kishte thënë vajza. Nuk e di pse i besoja vajzës, edhe pse e urreja me shpirt.

Përgjigjet e burrit nuk ma mbushnin mendjen. I tregova shoqes sime të ngushtë se çfarë kishte ndodhur dhe ajo më tha se nuk kishte dashur të më shqetësonte, por edhe asaj i kishin thënë njerëz që i kishin parë. Aty m’u mbush mendja, por në mesin tonë ishte një fëmijë.

Djali ishte larg dhe nuk doja ta shqetësoja. Nga ana tjetër, nuk mund të mos ia thosha se çfarë kishte ndodhur sepse do ta merrte vesh një ditë. Bëra kërkesën e divorcit edhe pse ne vazhdonim të rrinim në një shtëpi.

I kërkova djalit të vinte në shtëpi, por pa ia treguar arsyen. Ai e gjeti mundësinë dhe erdhi.

Kur i thashë se në çfarë pozicioni isha, më tha se do të më mbështeste në çfarëdolloj vendimi që unë do të merrja, edhe pse nuk i pëlqente që prindërit e tij po divorcoheshin. Tani jam duke ndjekur procedurat e divorcit.

Kjo e papritur më ndryshoi jetën dhe më bëri të përjetoja gjëra që nuk e kisha imagjinuar ndonjëherë se mund të më ndodhnin.

Nuk e di pse vendosa ta bëj publike këtë histori, por dhimbja më lehtësohet disi kur e ndaj me njerëz të tjerë, qofshin ata edhe të panjohur. Faleminderit që e lexuat historinë time dhe uroj që kurrë të mos përjetoni histori të tilla në jetë!

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Kuriozitete

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top