Connect with us

Historia e Marigove të Kosovës: Qëndisën flamuj edhe kur ishte e ndaluar

Kuriozitete

Historia e Marigove të Kosovës: Qëndisën flamuj edhe kur ishte e ndaluar

Historia e Marigove të Kosovës: Qëndisën flamuj edhe kur ishte e ndaluar

Flamurin e parë në Kosovë, përkatësisht në Prishtinë, e ka qëndisur Nixhari Batalli, më 1941. Nixhari ka vdekur, por as flamuri nuk është më. Flamurin e dytë e ka qëndisur Remzije Spahiu- Alibegu, po këtë vit. Flamuri i saj ruhet ende. Flamurin e tretë e ka qëndisur Emine Krasniqi (në foto), më 1949. Flamurin e saj e ka konfiskuar dhe djegur policia serbe. Telegrafi ju sjell më poshtë artikullin e gazetareve Luljeta Tahiraj dhe Antigona Uka, të botuar më 2003 në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”.

Rashid Krasniqi është veprimtar i njohur i grupit “Shpresa”, që vepronte në kuadër të NDSH-së (Nacional Demokratikja Shqiptare) në Prishtinë, gjatë viteve 1949-1956. Këtij atdhetari i ishte dhënë për detyrë nga grupi i tij ilegal të vizatonte një flamur kombëtar, në kohën famëkeqe të Rankoviqit.

Por, para se të vizatohej flamuri nga Rashidi dhe të qëndisej nga Eminja (vdiq në qershor të vitit 2017), në Prishtinë, ishin vizatuar dhe qëndisur më parë dy flamuj të tjerë (për këta dy flamuj ka të dhëna, mund të ketë dhe të tjerë për të cilët nuk dihet), për të cilët Rashidi ka mbledhur informata.

FLAMURI I PARË U NGRIT MË 1941 NË KAFENENË E SALIH VALËS

Në Prishtinë, gjatë okupimit të Serbisë së parë, siç njihet në popull, vepronte grupi i patriotëve shqiptarë, të cilët mblidheshin në kafenenë “Siçani”, të Salih Valës, i cili ishte njëri nga këta patriotë. Në këtë kafene, e cila ndodhej përballë Teatrit të sotëm Kombëtar, ky grup vendosi ta ngrisë flamurin. Por, e keqja ishte se ky flamur nuk ishte asgjëkundi. Veprimtari Jakup Batalli, bashkë me dhëndrin e tij, Salihun, kishin vizatuar një shqiponjë dykrenare, të cilën e kishte qepur në flamur Nixhari Batalli, një kushërirë e Jakupit, me ndihmën edhe të Alije dhe Magbule Batallit.

Këtë flamur këta veprimtarë e kërkojnë të kryer brenda 24 orësh. Sipas informatave që ka mbledhur Rashidi, patriotët dëshironin që ardhja e gjermanëve nga Podujeva ta gjente të ngritur flamurin në Prishtinë dhe t’u tregohej gjermanëve se aty ishte tokë shqiptare.

“Nixhari, bashkë me Alijen dhe me Magbulen, qëndisën një shqiponjë të mrekullueshme me teknikën ‘kabartma’, e cila më kujtohet edhe mua si nëntëvjeçar që isha. Ajo shqiponjë ishte e qëndisur, por dukej si e gjallë”, tregon Rashidi.

Më 9 prill 1941, natën, ngritet ky flamur në kafenenë e Salih Valës, për të valuar 4 vjet rresht. Ndërsa vajzës Nixhari, që qëndisi flamurin, Salihu, në shenjë mirënjohje ia kishte dhuruar 1000 dinarë, shumë me të cilën asokohe ishte shumë.

Nixhari ka vdekur pa u martuar, ndërsa Magbulja ndodhet në Stamboll. Pra, Marigojaa e parë kosovare, sipas këtyre të dhënave, është Nixhari Batalli.

FLAMURI I DYTË U NGRIT NË DYQANIN E ABDULLAH SPAHIUT

Në fund të prillit 1941 valoi edhe një flamur tjetër në Prishtinë (gjithnjë sipas të dhënave të mbledhura nga Rashidi), në dyqanin e Abdullah Spahiut. Ky flamur ishte qepur nga motra e Abdullahut, Remzije Spahiu-Alibegu, asokohë 16-vjeçare. Ndërsa, shqiponjën për këtë flamur e kishte vizatuar vëllai tjetër i Remzijes, Mustafa, bashkëveprues i Gjon Serreçit.

“Flamurin e pata qëndisur për dy javë, ndërsa vëllai, Abdullahu, e ka vënë në dyqanin e tij. Atë kohë isha 16-vjeçare. Ishte koha e Shqipnisë kur e qëndisja flamurin në gjergjef, pa frikë dhe pa u fshehur. Edhe sot e ruaj me xhelozi”. Ky flamur ishte vendosur edhe në gjimnaz, e kanë përdorur gjatë vizitave të patriotëve nga Shqipëria në Kosovë…

Për Remzijen nuk ka rëndësi nëse do të quhet Marigoja e Kosovës, asaj i mjafton që e ka ruajtur gjatë kohëve të vështira këtë flamur, i cili është kujtim i çmuar nga vëllezërit… Njëri nga tre vëllezërit e Remzijes ka vdekur vitin që shkoi, tri ditë para festës së flamurit. Kjo vdekje ka ndërprerë festimin e 28 Nëntorit në familjen Spahiu dhe Alibegu.

FLAMURI I TRETË NUK ARRITI TË NGRIHET, U DOGJ NGA POLICIA SERBE Më 1949, Nysret Novakazi, kryetar i grupit “Shpresa” të NDSH-së, i jep për detyrë Rashid Krasniqit të bëjë një flamur.

“Nga një facoletë e kohës së Shqipnisë, e cila kishte një shqiponjë të vogël, vizatova shqiponjën e madhe. Pas dy javë pune të fshehtë, sipër saj shkrova fjalët ‘Shqipnija e shqiptarëve’, përfundi shqiponjës ‘Vdekje tradhtarëve’. Fjalët i konstruktova në formë eliptike dhe i vizatova pastaj në pëlhurë, e cila kishte një madhësi mesatare”, tregon Rashidi. Qëndisjen e këtij flamuri e kishte bërë gruaja e Osman Krasniqit, i cili ishte i vetmi i martuar asokohe. Eminja, tashmë 73-vjeçare, rrëfen ditët e qëndisjes së flamurit, nën dritën e llambës.

“Ishte koha e Rankoviqit, kohë e vështirë për gjithë shqiptarët. Më kujtohet si sot kur erdhi Nysret Novakazi, bashkë me burrin tim te na. Isha 21 vjeçe. Ata kishin ardhur që para se të filloj qëndisjen e flamurit, të betohem se këtë punë do ta kryej në fshehtësi dhe pa i treguar askujt. Flamur nuk kishte që të betohemi, por ishte një copë e zezë dhe një e kuqe, që simbolizonin flamurin dhe Kur’ani, para të cilave unë thashë: ‘Shpirtin e jap, nuk tradhtoj’”.

Eminja nuk di të tregojë sa ka vonuar ta qëndisë flamurin sepse, siç tregon ajo, shpesh ka mbetur pa penj, sepse “…shqiponja duhej qëndisur në të dy anët njësoj. Veç saj ishin edhe fjalët të cilat i pata qëndisur me penj të verdhë, që të dalloheshin më mirë”. E vendosur që punën ta kryejë pa e kuptuar askush, ajo kishte punuar tërë natën, duke bërë vetëm dy orë gjumë në mëngjes.

“Kemi qenë familje e madhe, i kisha gjashtë kunetë; motrën e kam pasur të martuar për kunatin, por as asaj nuk i kam treguar. E kam pasur një arkë, në të cilën e fsheha flamurin e qëndisur, i cili shpresonim se do të valonte. Një ditë, kur shkova me motrën që e kisha edhe kunatë, te një motër tjetër, duke u kthyer, e vumë re se policia kishte ardhur në shtëpi. Burrin ma kishin burgosur, ndërsa kishin ardhur të kërkonin armë, plisa me flamur dhe gjëra tjera. Pasi e bastisën dhe e demoluan shtëpinë, e hapën arkën, në të cilën ndodhej edhe flamuri i qëndisur, i vendosur në një kuti. Më pyetën se çfarë ka aty, por unë u thashë se nuk di: “Burri ma ka dhënë këtë kuti dhe më ka thënë ta lë në arkë!” Kur e hapën kutinë dhe e nxorën flamurin prej aty, mbetën pa mend. Të habitur mbetën edhe vjehrra e motra ime dhe gjithë të tjerët. Ndërsa njëri nga policët tha: “Tani, nuk na duhen as pushkët, as automatat, gjetëm çfarë deshëm’. Prej asaj dite, tre muaj rresht më kanë thirrur në hetuesi. Duke më rrahur e sharë janë përpjekur që të pranoj se isha unë ajo që kam qëndisur flamurin”.

EMINJA E NDJEN VETEN MARIGONË TË KOSOVËS

Por, Eminja e kishte mohuar gjithnjë një fakt të tillë, derisa një ditë, “nga burgu në hetuesi e sollën Osmanin, i cili më tha: ‘Emine, pranoje se e ke qëndisur ti flamurin!’. Atëherë u kam thënë: ‘Po, unë e kam qëndisur!’ Por, për të mos më dënuar, gënjeva se nuk e kam ditur se është flamur, por vetëm kam zbatuar një urdhër të burrit. Edhe në gjykim, kur dolëm unë dhe Osmani, ai më mbrojti duke thënë se ai më ka obliguar ta qepi flamurin, pa e ditur unë se çfarë ishte. Kështu që mua më liruan, ndërsa Osmanin e dënuan”.

Prej shumë vitesh, kjo shtëpi e feston 28 Nëntorin më shumë se çdo festë. “Mblidhen të gjithë të afërmit. E stolisim tërë shtëpinë. Festojmë tërë mbrëmjen e 27 Nëntorit deri në mëngjes, ndërsa të nesërmen vijnë shokët e grupit nga NDSH-ja. Tashmë e vëmë dhe flamurin para derës, ndërsa kur e festonim këtë festë para luftës, fëmijëve u thoshim: ‘Është ditëlindja e babushit (Osmanit)’, që të mos kemi probleme”, rrëfen Eminja, e cila njihet si Marigonë e Kosovës. Disa vjet, rrugica e dytë në të djathtë, përtej tregut të Gjelbër, në Prishtinë, ku Eminja e kishte qëndisur flamurin, është quajtur “Marigoja e Kosovës”. Por komuna ia ka ndërruar emrin, duke e kthyer në “Antigona”, pasi që, siç thotë Eminja, dikush u ka thënë se ka Marigo të tjera veç saj.

Megjithatë, Eminja e ndjen vetën Marigo të Kosovës, për faktin se koha në të cilën ajo ka qëndisur flamurin, ka qenë kohë pushtimi, por edhe për faktin se atë flamur e kishin kërkuar patriotë të asaj kohe. Sipas të dhënave të pakonfirmuara të Emines, flamurin që ajo e qëndisi policia serbe e kishte djegur në Prizren, bashkë me dokumentacione të gjetura atë kohë.

www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Kuriozitete

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top