Kuriozitete
HISTORIA E VOGËLUSHIT QË PËRLOTI BOTËN
- Tani ndihem në ankth sa herë që dua të bëj dush. Shoh vendin ku ai më priste gjithmonë dhe që tani është bosh. Vendin ku dikur rrinte vogëlushi im.
Kanë kaluar gati dy muaj që kur Ruth Scully kaloi makthin më të madh që mund të përjetojë një prind dhe tashmë ajo ka zgjedhur të ndajë me të gjithë eksperiencën e saj. Në 4 shkurt të këtij viti, djali i saj humbi betejën me një formë të rrallë të kancerit që prek indet e buta. Në kujtim të tij, ajo publikoi disa fotografi që tregojnë realitetin e ashpër me të cilin përballen fëmijët e prekur nga sëmundja.
Scully shpjegon se gjatë gjithë periudhës që ishte i sëmurë, ai refuzoi të ndahej nga nëna madje shtrihej në dyshemenë e tualetit, teksa ajo bënte dush. Fotografia e parë tregon vogëlushin kur qëndronte shtrirë në dysheme, pak ditë pasi kishte përfunduar disa seanca të forta kimioterapie. Ndërsa, fotografia e dytë, tregon të njëjtën dysheme, por këtë herë pa Nolan. “Tani ndihem në ankth sa herë që dua të bëj dush. Shoh vendin ku ai më priste gjithmonë dhe që tani është bosh. Vendin ku dikur rrinte vogëlushi im.
Fotografia ka marrë aq shumë vëmendje sepse çdo prind e kupton atë ndjesi. Kur e publikova fllimisht, Nolan i lexonte të gjitha komentet dhe dukej sikur donte t’u kthente përgjigje. Dhe kur u bë virale, mendoja që kjo ishte gjëja që ai donte të bënte. T’u tregonte njerëzve se çfarë po ndodhte dhe të jepte një mesazh. Ky ishte qëllimi i tij: të ndihmonte të tjerët” tregon nëna e vogëlushit.
Nolan u trajtua për më shume se një vit dhe pavarësisht se masa tumorale u hoq e gjitha, kanceri arriti në mushkëritë e tij. Prindërit provuan çdo formë të mundshme trajtimi dhe në fund u mbetej vetëm të jetonin me të ditët e fundit të jetës. “E pyeta nëse do donte që njerëzit të ishin të lumtur apo të trishtuar në funeralin e tij dhe ai më tha: ‘sigurisht që të lumtur, përse do jenë të mërzitur?’ rrëfen Scully teksa përlotet kur kujton momentet e fundit të tij. Ishte duke bërë dush kur doli dhe pa fëmijën të rrethuar nga i gjithë stafi mjekësor. Nolan po mbyllte sytë, por ai u zgjua për herë të fundit, mori frymë thellë dhe i tha: “Të dua o ma!” Pas këtyre fjalëve, ai u largua, por historia e tij do të mbetet përgjithmonë!
anabel