Kuriozitete
“Këngëtari i martuar ka një fëmijë me mua”, dashnorja rrëfen si u takua me gruan
Historia e një 29-vjeçareje nga një qytet në jug të Shqipërisë është paraqitur sot në emisionin “Me zemër të hapur”. Vajza është shprehur se kishte rënë në dashuri me një këngëtar të muzikës popullore, i cili ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë.
Edhe pse e dinte se këngëtari kishte një bashkëshorte, marrëdhënia mes të dyve vijoi, deri sa 29-vjeçarja ngeli shtatzënë. Sot ajo është nënë e një fëmije 3-vjeç, ndërsa i dashuri e bëri dhe pjesë të familjes së tij, duke e prezantuar tek bashkëshortja si miken më të mirë.
Babai i tre fëmijëve, fillimisht fëmijën e katërt që solli në jetë jashtë martese, e donte, paguante ushqimet dhe kujdesej për të. Vajza e vogël po rritej dhe kur nisi të hidhte hapat e parë, babai e merrte dhe në banesën e tij ku fëmijët e tjerë i dhuronin dashuri vogëlushes, pasi nuk e dinin që ishte motra e tyre, por thjesht vajza e mikeshës së babit.
Sekreti nuk mund të mbahej më gjatë. Para një viti e gjysmë gjithçka u zbulua. Bashkëshortja zbulon tradhtinë dhe i kërkon të dashurës së burrit që fëmijën ta braktisë në një shtëpi jetimore dhe historia të merrte fund njëherë e përgjithmonë.
Nisin konfliktet, ushtrimi i dhunës psikologjike tek vajza me foshnjën e vogël dhe në fund ajo braktiset nga babai i vajzës së saj, i cili ishte garantuesi i ushqimit dhe mirëmbajtjes se tyre.
Ka një vit e gjysmë që zotëria ka mohuar atësinë dhe është zhdukur nga jeta e kësaj vajze, e cila tashmë ka ngelur në mes të katër rrugëve. 29 vjeçarja me origjinë nga jugu i Shqipërisë është rritur jetime, ndërsa vëllai e motra e kanë braktisur për atë histori dashurie që ajo krijoi. Ata e dënuan për faktin që u lidh me një burrë të martuar, i cili tashmë vazhdon jetën e tij me tre fëmijët dhe gruan.
Ndërsa viktima në të gjithë këtë histori është një vogëlushe tre vjeçare, që nëna e ushqen me atë çka i falin. Sot, ajo do të pranojë gabimin që bëri, por nuk pranon që gabimet e saj t’i vuajë e bija, të cilën nuk do ta braktisi për asnjë arsye në këtë botë.