Kuriozitete
Komiteti i Emergjencave paralajmëron: Reshjet do shtohen, ja situata deri tani
Komiteti i Emergjencave paralajmëron: Reshjet do shtohen, ja situata deri tani
Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave pranë Kryeministrit ka dhënë të dhënat e para në lidhje me gjendjen në vend si pasojë e motit me reshje.
Sipas këtij komiteti, mbi vendin tonë ka mbizotëruar mot me reshje mesatare dhe të larta shiu, të cilat priten të intensifikohen më 30 nëntor – 2 dhjetor në gjithë territorin e vendit.
Pas mbledhjes së zhvilluar në Kryeministri, ku është diskutuar për punën e bërë për parandalimin e emergjencave, janë marrë këto masa:
– Janë bërë njoftime publike për nivelin e rrezikut dhe adresat e evakuimit të mundshëm; – Janë ngritur shtabet e emergjencës në të gjitha qarqet;
– Janë bërë inspektime të gjithanshëm në të gjitha nyjat kritike në vend, si nga prefektët ashtu dhe nga drejtuesit e strukturave të tjera shtetërore;
– Janë kontaktuar kontraktorët privatë që kanë përgjegjësi në mirëmbajtjen e rrugëve; – Ka vazhduar puna për zhbllokimin e kanaleve kulluese në të gjithë vendin; – Janë inspektuar dhe mbahen nën vëzhgim prurjet në lumenj dhe përrenj; – Ka vazhduar puna për mirëmbajtjen dhe riparimin e problemeve në rrjetin elektrik dhe atë të furnizimit me ujë.
Pasqyra e problemeve kryesore të evidentuara Siguria e jetës-Një elektricist i OSHEE humbi jetën gjatë punës në Fier dhe tre të tjerë janë plagosur gjatë punës në Shkodër. Janë evakuuar 20 persona në Gjirokastër, 7 në Berat dhe po evakuohen 10 në Tiranë.
Rrugët – Kryesisht të lira. Të bllokuara nga bora Rruga Bogë-Theth në Qafën e Thorës. Probleme në Autostradën Tiranë-Durrës dhe në disa rrugë dytësore, që janë pastruar. Rrëshqitje dheu në rrugën Tiranë-Ndroq. Prezencë uji në aksin kombëtar Mjedë-Shkodër.
Energjia elektrike – Ka pasur problem furnizimi me energji te dy hidrovorëve të Velipojës, që ndërkohë është zgjidhur. Janë pa energji rreth 75,000 mijë abonentë dhe nuk janë në funksionon 62 fidera.
Uji – Dëmtime të pjesshme të ujësjellësit të Bulqizës, pa u ndërprerë furnizimi. Shkollat – Është ndërprerë mësimi në të gjithë shkollat e vendit. Banesat – Janë përmbytur 10 banesa në Kamëz. (e.c/noa.al)
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.