Kuriozitete
KU BURON PAFUQIA E OPOZITËS PËR PROTESTA!
KU BURON PAFUQIA E OPOZITËS PËR PROTESTA!
Nga Alfred Peza
Aleati më i rëndësishëm, më i ngushtë dhe më jetëgjatë i PD, Kryetari i PR Fatmir Mediu i tha gazetarit të një televizioni, se as ai vetë nuk dinte ti përgjigjej pyetjes se përse opozita nuk ka organizuar asnjë tubim pas morisë së akuzave në adresë të qeverisë. “Do doja që të flasim me qytetarët drejtpërdrejtë, duke shkuar nëpër tubime për të diskutuar për çdo gjë”,- tha ai.
Kur këtë pyetje e paska edhe vetë Mediu i cili as nuk i jepka dot as edhe përgjigje, atëherë kjo duket shqetësuese. Shumë më tepër shqetësuese sesa pyetjet e shumta që bëjnë, e nuk i japin dot përgjigje opozitarët e thjeshtë. I vetmi që duhet pyetur pas kësaj, për të parë nëse ka ndonjë përgjigje e për të mësuar me kuriozitet sesi mund të jetë ajo, është Kryetari I PD, Lulzim Basha. Pavarësisht se ia ka marë dorën tashmë, edhe sikur të pyetet këtë çast, jam i bindur si shumica e të tjerëve, se ai do të japi një përgjigje që ose do të harrohet sapo ajo të mbarojë, ose do të premtojë si edhe here të tjera, se protesta do të bëhen sëshpejti.
Ndaj, përpara se ta harrojmë përgjigjen e tij, po mundohem që të rendis disa nga shkaqet se nga buron pafuqia e opozitës për protesta.
Së pari, ajo buron nga fakti se akuzat e derisotme ndaj qeverisë, më së shumti duken si një sebep për të realizuar një “puç pallati”, sesa si kërkesa që vënë në dyshim legjitimitetit e mazhorancës gjë që çon natyrshëm në ngjizjen e frymës së protestës popullore. Nga ajo lloj fryme që i nxjerr njerëzit jo vetëm në mitingje, protesta e tubime por që i derdh nëpër rrugë me qindra e mijëra, deri në arritjen e rrëzimit të qeverisë dhe rivendosjen e legjitimitetit të cënuar.
Së dyti, pafuqia e opozitës për protesta buron nga filozofia e Lulzim Bashës për ta rrëzuar Edi Ramën. Ai nuk mundet, jo se nuk do që ta rrëzojë atë vetë. Ndaj, duke e ditur më mirë se kushdo, gjithmonë ka tentuar që “ti nxjerri gështenjat nga zjarri” me duart e të tjerëve. Kështu bëri katër vjet me radhë gjatë mandatit të parë kur ëndërronte që ta realizonte krizën, nëpërmjet Ilir Metës dhe LSI që ishte aleate e PS dhe e Edi Ramës.
Ndërsa tani ëndërron që qeveria të bjeri vetë, nga sulmet që bëhen për çështjen Tahiri dhe të tjerat, të cilat ai i artikulon vetëm brenda gardhit të SHQUP-it dhe në media.
Së treti, ky steriotip lidershipi nuk ka si të dalë jashtë mënyrës sesi vetë Basha u ngjit aty ku është sot në krye të partisë më të madhe të opozitës, nëpërmjet suportit dhe vetos së Berishës dhe jo nëpërmjet betejave meritokratike.
Këto por edhe shumë probleme të tjera që ka sot PD me mënyrën sesi u hartua dhe u ndërtua grupi aktual parlamentar i saj, nga pakënaqësia e të përjashtuarve nga listat e kandidimit për deputetë, nga morali i rënë i krerëve dhe strukturave lokalë në bazë, nga pakënaqësia e anëtarësisë për shkak të mungesës së analizës së humbjes së 25 qershorit, etj. përbëjnë disa nga shkaqet e tjera se përse nuk ngjallet dot fryma e protestës.
Të gjitha këto të mbledhura bashkë, mjaftojnë për t’ia pamundësuar Lulzim Bashës ngjitjen në lartësinë e një lideri që frymëzon aksion opozitar në sheshe e rrugë. Duke bërë në këtë mënyrë sot, edhe një kontrast të thellë, me mënyrën sesi PD e ka përballuar të kaluarën e saj opozitare, atëherë kur në krye të saj, ishte karizmatiku Sali Berisha.
Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.