Connect with us

Kush është vlonjati që donin ta hiqnin qafe me 20 plumba dhe kalvari i hakmarrjeve midis familjeve vlonjate

Lajme

Kush është vlonjati që donin ta hiqnin qafe me 20 plumba dhe kalvari i hakmarrjeve midis familjeve vlonjate

Si ndodhi atentati

Atentati ka ndodhur pranë një karburanti në rrugën “Transballkanike” në qytetin e Vlorës.

39-vjeçari Ferdinand Llanaj gjendej në makinën e tij tip “Mercedes Benz” ngjyrë gri me targa VL 63 68 C, së bashku me mikun e tij 50-vjeçarin Dritan Begaj.

Autori i cili sipas burimeve paraprake ishte i pa maskuar dhe po lëvizte në këmbë. Shtiu 20 plumba në drejtim të makinës me të cilën po lëvizte shënjestra duke përdorur fillimisht një kallashnikov e më pas një pistoletë të tipit “Beretta” duke plagosur tre personat që gjendeshin në makinë.

Ai më pas mësohet se është larguar me automjetin tip “BMW” që u gjet i djegur nën një kanal pranë fshatit Kafaraj të Fierit.

Nga atentati, i plagosur në krah ka mbetur edhe djali 8-vjeçar i Ferdinand Llanajt i cili ka qenë në afërsi të makinës, por fatmërisht të tre ata ndodhen në spitalin e Vlorës jashtë rrezikut për jetën.

Makina e atentatorit gjendet e djegur

Një makinë e tipit “BMW” është gjetur e djegur poshtë një nënkalimi pranë fshatit Kafaraj në Fier.

Dyshohet se automjeti që është përdorur në atentatin që ndodhi vetëm disa orë më parë në qytetin e Vlorës në rrugën “Transballkanike” pranë një karburanti.

Brenda u gjet edhe nëj automatik që dyshohet se është përdorur për të qëlluar shënjestrën Ferdinand Llanaj.

Atentati tronditi Vlorën, por fatmirësisht nuk pati asnjë viktimë.

Hakmarrja, larja e hesapeve

Një nga pistat ku policia po heton është ajo e hakmarrjes dhe larjes së hesapeve midis familjeve Llanaj-Xhaferri.

Ferdinand Llanaj (shënjestra), është i biri i Baftjar Llanaj i cili është ekzekutuar më 14 qershor të vitit 2011 rreth orës 18:00 të pasditës në Selenicë të Vlorës, gjatë një atentati nga dy persona ndërkohë që po kthehej për në Vlorë.

Atentati ndodhi në vendin e njohur si “Bishti i Malit” dhe pasi i zunë pritë 60-vjeçarit dy persona e qëlluan me breshëri automatiku dhe e lanë të vdekur në vend. Automjeti me të cilin udhëtonte Baftaj Llanaj kur iu bë atentat, ishte i njëjti, me të njëjtat targa, i cili u përshkua nga 20 plumba ditën e sotme në atentatin ndaj të birit të tij Ferdinandit,

Nga ky atentat i plagosur rëndë ka mbetur edhe një prej ekzekutorëve, 45-vjeçari Sako Xhaferri nga Selenica.

Sako Xhaferri mundi të hakmerrej më në fund me Baftaj Llanajn, pasi ky i fundit kishte patur një sherr me babanë dhe vëllanë e tij. Gjatë sherrit babai i Sako Xhaferrit humbi jetën ndërsa i vëllai u plagos rëndë dhe humbi njërin sy.

Një pistë tjetër me të cilën mendohet se mund të ketë lidhje atentati ndaj Ferdinand Xhaferrajt është “Masakra e Çoles” e ndodhur më 7 prill 2015 në qytetin e Vlorës.

Ferdinand Llanaj është vëllai i Aleksandër Llanaj, i dënuar me burg të përjetshëm nga Gjykata e Vlorës për vrasjen e tre personave në 11 sekonda në “Masakrën e Çoles”.

SI NDODHI “MASAKRA E ÇOLES” (Dosja e Prokurorisë)

Masakra e Çoles ndodhi më 7 prill të vitit 2015, kur pas një sherri në kazino mbetën të vrarë shtetasit Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj.

Policia arrestoi si autorë të masakrës Aleksandër Llanaj, Ani Begaj dhe Bertil Aliaj.

Gjatë seancave të gjata, u dënua me burgim të përjetshëm Aleksandër Llanaj, ndërsa Ani Begaj dhe Bertil Aliaj u dënuan me nga 35 vjet burg.

Gjykata e Lartë

Kolegji Penal, pasi shqyrtoi shkaqet e parashtruara në rekurset e paraqitura dhe tërësinë e gjithë akteve të administruara në dosjen penale, vlerëson se vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë është rrjedhojë e zbatimit të drejtë të ligjit procedural e atij material penal.

Në vendimet e gjykatave të faktit është pranuar se, nga tërësia e provave dhe thënieve të dëshmitarëve, ka rezultuar se shtetasi Xhuljano Lutaj i ka treguar shokut të tij, Albi Limaj, se kishte pasur problem me shtetasit Ardi Velaj (Dushi) dhe Haki Rakipi, me të cilët janë takuar në mesnatë të datës 06.04.2015 dhe janë larguar secili në drejtime të ndryshme.

Më datë 07.04.2015, shtetasit Ardi Velaj (Dushi) dhe shtetasi Albi Limaj kanë komunikuar shpesh.

Ngjarja në 11 sekonda

Në këtë datë nga filmimet ka rezultuar se shtetasit Ardi (Feridian) Velaj dhe Haki Rakipi (Akil Hasanaj) janë ulur në verandën e lokalit “A…” përballë njëri-tjetrit duke biseduar. Më pas është fiksuar automjeti “BMW” me ngjyrë bezhë, i cili po kalonte përballë lokalit, dhe shtetasit Albi Limaj dhe i pandehuri Aleksandër Llanaj janë futur në verandën e lokalit “A…” në hyrjen e dytë.

Nisur nga të dhënat e përftuara nga këqyrja e vendit të ngjarjes, pamjet filmike, deklarimet e marra, ka rezultuar se shtetasi Albi Limaj dhe i pandehuri Aleksandër Llanaj, pasi janë futur në lokal, në një hark kohor në më pak se njëmbëdhjetë sekonda, i pandehuri Aleksandër Llanaj ka ecur në drejtim të shtetasve Haki Rakipi (Akil Hasanaj) dhe Ardi (Feridian) Velaj, të cilët i ka goditur me armë zjarri.

Fillimisht është goditur një herë me armë zjarri në drejtim të shtetasit Ardi Velaj (Dushi) pranë të cilit është pistoleta me numër 152175 teknikisht e rregullt, që nuk ka realizuar asnjë qitje, referuar gëzhojave të fiksuara në vendngjarje. Pra, është provuar plotësisht se shtetasit Ardi Velaj dhe Haki Rakipi ishin të papërgatitur për sulmin e të pandehurve Aleksandër Llanaj dhe Albi Limaj, duke u gjendur në befasi nga goditjet me armë zjarri.

Vetë fakti që viktima Ardi Velaj është gjetur me cigare në buzë është rrethanë që krijon bindjen e brendshme se kanë qenë të pandehurit që kanë qëlluar mbi viktimat. Një konkluzion i tillë mbështetet dhe nga koha e shkurtër prej 11 sekondash e kryerjes së veprës nga momenti i hyrjes së të pandehurit Aleksandër Llanaj dhe shtetasit Albi Limaj në lokal.

Masakra

I pandehuri Aleksandër Llanaj ka filluar të godasë, fillimisht mbi viktimën Ardi (Feridian) Velaj në kokë, i cili, pas kësaj goditjeje, është shtrirë në tokë, pastaj mbi shtetasin Haki Rakipi (Akil Hasanaj). Fillimisht, i pandehuri Aleksandër Llanaj e ka goditur në gjoks shtetasin Haki Rakipi (Akil Hasanaj), i cili kishte me vete armë zjarri pa viaska, teknikisht e rregullt, fiksuar në vendngjarje pranë tij, nga e cila është goditur tetë herë referuar numrit të gëzhojave të gjetura në vendngjarje që janë qitur nga kjo armë.

Goditja është bërë me këtë armë nga i ndjeri Haki Rakipi (Akil Hasanaj), pasi, sipas aktit të ekspertimit kimik, në duart e tij është vënë re prani e faktorëve plotësues të qitjes. Po kështu, rezulton se shtetasi Haki Rakipi është goditur për herë të dytë nga arma e të pandehurit Aleksandër Llanaj. Vetë i pandehuri Aleksandër Llanaj është goditur tri herë duke marrë dëmtime, që, sipas mjekut ligjor, klasifikohen si dëmtime që kanë qenë të rrezikshme për jetën në çastin e shkaktimit të tyre.

Gjatë kohës që shtetasi Albi Limaj dhe i pandehuri Aleksandër Llanaj ndodheshin në lokal, referuar në deklarimet e të pandehurit Bertil Alliaj, rezulton se goditjet me armë zjarri kanë filluar pa u mbushur njëmbëdhjetë sekonda nga hyrja në lokal e shtetasit Albi Limaj dhe të pandehurit Aleksandër Llanaj.

Ky fakt rezulton nga pamjet filmike, ku njëkohësisht ka rezultuar se nga automjeti tip “BMW”, me targa AA 323 AO, ka dalë i pandehuri Bertil Alliaj, i cili është futur në anën e lokalit ku ndodhej ende i gjallë shtetasi Albi Limaj, duke konstatuar plagosjen e tij. Shtetasi Albi Limaj ka dalë nga lokali duke shfaqur dëmtim në ije, ndërsa i pandehuri Aleksandër Llanaj ka dalë nga pjesa tjetër e lokalit.

I pandehuri Aleksandër Llanaj është futur në automjetin “BMW X5”, me targa AA 323 AO, që drejtohej nga i pandehuri Ani Begaj dhe ka komunikuar me këtë të fundit. Më pas, i pandehuri Ani Begaj është afruar tek i pandehuri Bertil Alliaj, me të cilin ka komunikuar dhe ku i ka dhënë armët luftarake që i pandehuri Aleksandër Llanaj ka bërë goditjet dhe armën e poseduar nga shtetasi Albi Limaj.

Më pas, i pandehuri Bertil Alliaj dhe i pandehuri Ani Begaj nuk kanë mundur të bëjnë dërgimin në automjet edhe të shtetasit Albi Limaj, për shkak se ky i fundit kishte rënë i shtrirë në asfalt, i pandehuri Bertil Alliaj është larguar me vrap. Gjatë largimit të tij, i pandehuri Bertil Alliaj është parë me dy armë dhe rezulton nga akti i ekspertimit kimik se ai ka faktor plotësues të qitjes në dorë.

“U përdorën 2 armë”

Nga tërësia e provave të administruara ka rezultuar se në vendngjarje, lokal “A…”, janë përdorur dy armë, ku njëra është armë pa viaska e fiksuar në vendngjarje pranë shtetasit Haki Rakipi, nga e cila është goditur tetë herë, dhe një armë tjetër me viaska, e cila nuk është gjetur në vendngjarje, nga e cila janë qitur në total 5 gëzhoja.

Rezulton se kjo armë me viaska, gëzhojat e së cilës janë fiksuar në vendin e ngjarjes, është përdorur nga i pandehuri Aleksandër Llanaj duke realizuar goditjen një herë me armë zjarri të shtetasit Ardi Velaj, që i ka shkaktuar atij vdekjen, goditjen dy herë të shtetasit Haki Rakipi, duke i shkaktuar atij vdekjen. Ky Kolegj vlerëson se këto përfundime të gjykatave të faktit janë rrjedhoje e një procesi të rregullt ligjor.

Ndryshe nga çfarë parashtrohet në rekursin e paraqitur nga të pandehurit, Gjykata e Apelit Vlorë me të drejtë ka vlerësuar të bazuar në ligj vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, pasi nga analiza e akteve të dosjes i ka rezultuar e provuar se i pandehuri Aleksandër Llanaj ka kryer vrasjen me dashje me armë luftarake të shtetasve Haki Rakipi (Akil Hasanaj) dhe Ardi (Feridian) Velaj, duke u shkaktuar atyre vdekjen. Këto veprime janë kryer nga i pandehuri Aleksandër Llanaj në bashkëpunim me të pandehurin Ani Begaj dhe të pandehurin Bertil Alliaj, si dhe të ndjerin Albi Limaj.

Shkëmbim zjarri

Ndryshe nga sa parashtron Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit në rekursin e saj, në lidhje me vdekjen e të ndjerit Albi Limaj, Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit me të drejtë kanë vlerësuar se ka rezultuar e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ajo nuk ka ardhur si rezultat i veprimeve të kundërligjshme dhe shoqërisht të rrezikshme të të pandehurit Aleksandër Llanaj.

Ka rezultuar e provuar se i ndjeri Albi Limaj ka hyrë në të njëjtën kohë me të pandehurin Aleksandër Llanaj në verandën e lokalit “Ador” dhe ka dalë prej andej i plagosur, si rezultat i shkëmbimit të zjarrit midis të pandehurit Aleksandër Llanaj dhe shtetasit Haki Rakipi.

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Lajme

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top