Kuriozitete
Mandati i Llallës, OPDAT dhe EURALIUS: Si do zgjidhet Kryeprokurori i ri
Mandati i Llallës, OPDAT dhe EURALIUS: Si do zgjidhet Kryeprokurori i ri
Më 3 dhjetor përfundon edhe mandati i Adriatik Llallës si Prokuror i Përgjithshëm, dhe për këtë arsye Kuvendi duhet të zgjedhë brenda këtyre ditëve pasardhësin e tij.
Lidhur me këtë çështje, janë shprehur zyrtarisht dhe partnerët ndërkombëtarë OPDAT dhe EURALIUS, të cilët përmes një letre kanë theksuar se asnjë institucion apo organ në vend nuk mund të zgjasë mandatin e kryeprokurorit.
Për këtë arsye, OPDAT dhe EURALIUS kërkojnë nga Kuvendi që me shumicë të thjeshtë të zgjedhë përpara datës 3 dhjetor emrin e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, mandati i të cilit do të jetë i përkohshëm.
Kjo pasi, në bazë të reformës në Drejtësi do të duhet të zgjidhet Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dhe ky i fundit përzgjedh Prokurorin e Përgjithshëm.
"Zgjedhja e një prokurori i cili është emëruar që të kryejë funksionet e një prokurori të përgjithshëm në një periudhë tranzitore. Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë përfundon në fillim të dhjetorit. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili është përgjegjës për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm ende nuk është themeluar. Prandaj, zbatohet regjimi kalimtar (tranzitor) për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm. Nuk ka autoritet kushtetues ose ligjor për Parlamentin që të zgjasë mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm aktual, mbas skadimit të mandatit të tij. Përkundrazi, ekziston një dispozitë e qartë që urdhëron emërimin e një Prokurori të Përgjithshëm të përkohshëm", thuhet ndër të tjera në letrën e OPDAT dhe EURALIUS.
Ky reagim i partnerëve ndërkombëtarë pritet të shuajë zërat dhe replikat në distancë mes mazhorancës dhe opozitës për pasardhësin e Llallës në krye të organit të Akuzës. (e.c/noa.al)
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.