Kuriozitete
Mbështetja për fermerët, Ahmetaj: Pajisuni me Nipt. Peleshi: Fond 2.6 miliardë lekë
Mbështetja për fermerët, Ahmetaj: Pajisuni me Nipt. Peleshi: Fond 2.6 miliardë lekë
Në kuadër të takimeve në qarkun Dibër, në një bashkëbisedim me sipërmarrësit e zonës për buxhetin 2018 dhe paketën fiskale, Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi, kanë folur edhe për mbështetjen që do t'i jepet vitit të ardhshëm, sektorit të bujqësisë.
Ministri Ahmetaj i ftoi fermerët të pajisen me Nipt, si një instrument kyç që jo vetëm ndihmon formalizimin e sektorit, por mbi të gjitha garanton rimbursimin e fermerëve që në vitet e fundit është dhjetëfishuar.
"Unë ju sugjeroj që të krijoni linjën tuaj, network-un tuaj dhe të fermerëve me NIPT dhe t’i tregoni që NIPT-i është bërë për t’i favorizuar.
Dua të ndaj me ju që, po shkon rimbursimi i fermerëve në 20 milionë dollarë. E dini sa ka qenë përpara disa viteve? 2 milionë dollarë. Është rritur 10 herë rimbursimi! Pra, është një instrument favorizimi shumë i madh.
Nëse ju vini me NIPT-in, qeveria ka mundësi t'ju japë 20% mbrapsht. Ne i rimbursojmë me vendim qeverie 20% eksportuesit brenda 30 ditëve dhe prodhuesit siç jeni ju brenda 60 ditëve", tha Ahmetaj.
Nga ana e tij, ministri i Bujqësisë Peleshi e vuri theksin tek rritja e mbështetjes financiare për bujqësinë të parashikuar në vitin 2018 në buxhetin e shtetit, por jo vetëm.
"Vitin që vjen, ne do të kemi një fond fal bujarisë edhe të Ministrit të Financave, që është më i madhi që ka pasur ndonjëherë Shqipëria në mbështetje të bujqësisë dhe zhvillimit rural, 2.6 miliardë lekë. Nëqoftëse do t’ia dalim me sukses, mund të hapim brenda këtij viti, edhe IPARD-in.
IPARD është një program mbështetjeje i Bashkimit Europian në mbështetje me qeverinë shqiptare që është 93 milionë euro. Pra, viti 2018 do të jetë viti i parë ku ne do të kemi, jam i sigurt, më shumë para se sa sektori dhe sektorët kanë mundësi të thithin”, tha Peleshi. /b.l/noa.al/
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.