Kuriozitete
Meta takohet me Presidentin slloven, Borut Pahor
Meta takohet me Presidentin slloven, Borut Pahor
Presidenti Ilir Meta, zhvilloi sot një takim me Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Zotin Borut Pahor, në Lubjanë.
Presidenti Meta e uroi edhe njëherë për rizgjedhjen e tij si dhe i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e gjithanshme që Presidenti Pahor dhe Sllovenia i kanë dhënë Shqipërisë jo vetëm në planin dypalësh por edhe në kuadrin e procesit të integrimit evropian për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan progresin dhe zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit, si dhe ndanë të njëjtin mendim lidhur me nevojën e një harmonizimi e koordinimi më të mirë të qëndrimeve e veprimeve nga vendet e rajonit.
Ata vlerësuan rolin e rëndësishëm që mund të luajë në këtë drejtim nisma e Procesit të Brdo-Brijunit, si dhe për ruajtjen e fokusit nga ana e BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe vijimin me hapa konkretë të procesit të zgjerimit.
Presidenti Meta shprehu gjithashtu besimin se mbështetja e Sllovenisë për çeljen së shpejti të negociatave të anëtarësimit në BE do të jetë domethënëse dhe do të inkurajonte vijimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve dhe standardeve të nevojshme.
Presidenti Meta e ftoi Presidenti Pahor për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë që u prit me kënaqësi dhe që pritet të realizohet në muajt në vijim./a.k/noa.al/
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.