Kuriozitete
Panairi i Brukselit, Veliaj në hapjen e stendës shqiptare: Kartolina më e mirë për vendin
Panairi i Brukselit, Veliaj në hapjen e stendës shqiptare: Kartolina më e mirë për vendin
Për herë të parë, Tirana bëhet pjesë e një prej panaireve më të mëdha europiane të fundvitit, “Winter Pret-Christmas Market”, që hapet çdo vit në Bruksel, nga 24 nëntori deri në 31 dhjetor 2017.
Në ceremoninë zyrtare të hapjes së panairit mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Brukselit, Philip Closse. Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se kjo është një mundësi fantastike, që shërben si kartolinë e bukur për kryeqytetin dhe Shqipërinë në sytë e vizitorëve dhe të investitorëve.
“Më vjen mirë që falë mbështetjes së kreut të Bashkisë së Brukselit dhe gjithë grupit të sipërmarrësve, si këtu në Belgjikë, si ata në Shqipëri, bëmë të mundur që të kishim një prezencë në atë që është ndoshta panairi më i madh i festave të fundvitit sot në të gjithë botën. Në këtë rrugë do të ecin më shumë se 2 milionë njerëz.
Jam i sigurt që do të keni mundësi të jeni një kartolinë e Tiranës, një kartolinë e Shqipërisë, e Shqipërisë së mirë, e Shqipërisë që ka nevojë të tregojë imazhin e vet të vërtetë, të tregojë se ka kulturë, se ka njerëz të mençur dhe të ditur, të tregojë që di të gatuajë, që ka një histori, vende të bukura, shije dhe estetikë”, deklaroi Veliaj.
Kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se sot shqiptarët kanë një detyrë historike për të treguar vlerat më të mira të vendit tonë dhe shprehu bindjen se marrëdhëniet që do të krijohen në këtë panair mes njerëzve, janë ato që na bëjnë realisht europianë.
“Ne shqiptarët sot kemi një detyrë historike për imazhin e vendit tonë dhe për të treguar fytyrën e vërtetë të Shqipërisë, një Shqipëri bujare, artiste dhe një Shqipëri që e do të bukurën, e do të mirën dhe punon fort që t’ia mbërrijë të jetë një anëtare e denjë e familjes evropiane.
Procedurat për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian marrin kohën e tyre, por besoj se marrëdhëniet mes njerëzve janë marrëdhënie të pazëvendësueshme dhe marrëdhëniet që do të krijohen sot mes njerëzve dhe gjatë gjithë këtij muaji të festës janë ato që na bëjnë realisht europianë”, u shpreh ai.
Veliaj falenderoi dhe ambasadën tonë në Bruksel dhe organizatat e ndryshme që veprojnë në diasporë për mbështetjen dhe përpjekjet e tyre në këto vite për ruajtjen dhe përcjelljen tek brezi i ri të kulturës dhe të traditave të vendit tonë.
Nga ana e tij kryetari i Bashkisë së Brukselit, Philip Closse e cilësoi vendin tonë dhe Tiranën, kryeqytetin e shqiptarëve, si të ftuarit e nderit të këtij edicioni të panairit “Winter Pret”. /b.l/noa.al/
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.