Kuriozitete
Parashikimi afatgjatë i motit për Evropë: Ballkani kërcënohet nga valët e rrezikshme të të nxehtit
Periudhat e gjata të ngrohjes, përfshirë valët e gjata e të rrezikshme të nxehtësisë, gjatë kësaj vere do të jenë problem i madh për Evropën Jugore dhe Lindore.
Sipas AccuWeather, Irlanda dhe Britania e Madhe do të vuajnë nga mungesa e nxehtësisë. Ndërsa, një seri e të reshurave do të godasë viset nga Franca në Çeki dhe Poloni.
Evropën Jugore e pret një verë e gjatë dhe e nxehtë, pasi parashihen periudha të gjata të të nxehtit ekstrem në zonën prej Italisë e deri te Gadishulli Ballkanik. Kjo do të rezultojë me disa valë të rrezikshme të të nxehtit, ku njëra do të zgjasë më shumë se shtatë ditë. Në këto zona, temperaturat shpesh do të jenë mbi 32 gradë Celsius.
“Gjatë valëve intensive të nxehtësisë, është e mundur të ketë rekord të ri të temperaturave të larta”, ka thënë meteorologu i AccuWeather, Alan Reppert, transmeton Telegrafi.
Zonat nga Maqedonia, Bullgaria e deri te Hungaria dhe Rumania do të kenë valët më të forta të nxehtësisë.
“Një problem tjetër do të lind në viset ku ka smog dhe ajër të keq”, shton meteorologu Tyler Roys.
Moti i tillë do të kufizojë edhe të reshurat, që do të shtojë rrezikun për thatësira.
Në anën tjetër, stuhi do të ketë në hapësirën nga Franca në Gjermani dhe Poloni. Edhe pse në këto anë do të ketë nxehtësi, ato nuk do të jenë të gjata mu për shkak të stuhive e madje edhe të tornadove. Të reshurat dhe stuhitë do të shtojnë edhe rreziqet për vërshime.
Ndërkaq, në Irlandë dhe Britani të Madhe do të jetë një verë normale. E, Ukraina, Moldavia dhe Bjellorusia rrezikohen nga thatësirat që mund të vazhdojnë deri në vjeshtë e të rrezikojnë bujqësinë e këtyre vendeve. /Telegrafi/