Sport
Pas dy dekadash analiza për goditjen e famshme të gjuajtjes së lirë, Roberto Carlos tregon versionin e tij se si ndodhi (Foto/Video)
Para 20 vitesh, Roberto Carlos realizoi një prej golave më spektakolarë në histori të futbollit.
Me vite të tëra është folur në analizat e futbollit se si ndodhi “lakimi” i topit në mënyrë të jashtëzakonshme duke kaluar anash murin dhe duke u ndalur në rrjet.
Në një ndeshje miqësore mes Brazilit dhe Francës në turneun njohur si ‘Le Tournoi’ në verën e vitit 1997, asokohe mbrojtësi i krahut i Real Madridit shënoi golin nga gjuajtja e lirë, nga një distancë prej rreth 35 metrash që hyri në analet e historisë së futbollit.
Në shikim të parë, u prit që topi të shkonte jashtë portës. Mirëpo, ai u kthye mrekullisht dhe përfundoi prapa shpinës së Fabien Barthez dhe u ndal në rrjetë.
Dhe derisa të tjerët janë menduar ta shpjegojnë se si u shënua ai gol, vet legjenda braziliane thotë se nuk e ka idenë se si ka ndodhur.
“Nuk e kam idenë si e shënova. Shpesh i ushtroja gjuajtjet e lira. Qëndroja më gjatë në stërvitje dhe ushtroja, në këtë rast, më doli mirë. Thjesht, godita dhe topi shkoi në portë”, ka deklaruar Carlos.