Kuriozitete
Pavarësia dhe Çlirimi, institucionet e Tiranës hapin dyert për qytetarët
Pavarësia dhe Çlirimi, institucionet e Tiranës hapin dyert për qytetarët
Qytetarët e Tiranës do të kenë mundësi që të ndjekin një sërë aktivitetesh artistike me rastin e festës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Çlirimit.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, ftoi qytetarët e Tiranës, që t’i bashkohen aktivitete të shumta që do të organizohen këto dy ditë nga Bashkia e Tiranës në pika të ndryshme të kryeqytetit.
“Do të ftoja në emër të Bashkisë së Tiranës që të bëhen pjesë e të gjitha festimeve që po vazhdojnë nga ky moment dhe deri ditën e nesërme në mbrëmje që do të kurorëzohet me “Natën e Bardhë”. Është një moment shumë festiv për qytetin tonë dhe të gjitha drejtoritë dhe ndërmarrjet e bashkisë janë të mobilizuara që të mirëpresin çdo qytetar të Tiranës”, tha Seferi.
Të gjitha institucionet e qytetit të Tiranës, duke filluar nga Bashkia, “Shtëpia me Gjethe”, “BunkArt”, TKOB dhe Teatri do të jenë të hapur për të mirëpritur të gjithë qytetarët. Mbrëmjet rezervojnë për qytetarët një spektakël të vërtetë.
“Do të nënvizoja faktin që sot në darkë është opera “Skënderbeu”, ku hyrja është e hapur për të gjithë qytetarët, por edhe nesër koncerti i Emeli Sande është po me hyrje të lirë për të gjithë qytetarët në mënyrë që të festojmë të gjithë së bashku. Në Natën e Bardhë nesër, të gjithë lokalet e Tiranës, qendrat e Tiranës do të jenë pa kufizim orari që të bëjmë të mundur që të gjithë qytetarët e Tiranës të kalojnë këto ditë festash sa më gëzueshëm”, deklaroi Seferi.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës deklaroi se janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve dhe u bëri apel qytetarëve që të tregohen bashkëpunues.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës që t’i festojmë këto festa, pa përdorur fishekzjarre, mjete plasëse, të cilat do shqetësonin shumë për mbarëvajtjen e këtyre festave. Plani i masave që është caktuar nga Policia Bashkiake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, do të bëjë që këto dy ditë të jenë shumë të qeta, shumë të këndshme dhe pa eksese”, tha Seferi.
Nga ana e tij drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës. Ermal Kapllani, deklaroi se gjatë këtyre dy ditëve, Policia Bashkiake ka angazhuar rreth 100 efektivë, të cilët do të bashkëpunojnë ngushtësisht me shërbimet e Policisë së Shtetit për garantimin e aktiviteteve. /a.y/noa.al
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.