Kuriozitete
Përmbytet nënstacioni elektrik, gjysma e Tiranës pa ujë
Përmbytet nënstacioni elektrik, gjysma e Tiranës pa ujë
Kushtet e vështira atmosferike kanë shkaktuar përmbytje në nënstacionin Elektrik të Kasharit për pasojë stacionet e pompimit të Bërxullit, CocaCola dhe Laknas janë përkohësisht jashtë funksionit për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
Gjithashtu po nga reshjet e dendura është shkaktuar turbullirë në liqenin e Bovillës, për pasojë impianti i përpunimit të ujit të Bovillës momentalisht nuk është në funksion.
Në zonat e mëposhtme do të ketë kufizime të furnizimit me ujë deri në rikthimin e energjisë elektrike dhe përmirësimit të situatës:
Kinostudio, Xhamlliku, Allias, Pazari i Ri, Rr. “5 Maji”, Laprakë, Rr. E “Kavajës”, Rr. E “Durrësit”, zona e “Vasil Shanto” dhe Yzberisht.
Burimet e tjera po punojnë me kapacitet të plotë.
Stafi i Ujësjellësit që nga mbrëmja e djeshme, është duke monitoruar çdo 15 minuta nivelin e turbullirës në liqenin e Bovillës, gjithashtu kemi marrë masat duke furnizuar në mënyrë të pandërprerë të gjitha institucionet e rëndësisë së veçantë sidomos spitalet, në mënyrë që ky problem të mos ndikojë në ecurinë normale të punës së tyre. Janë në dispozicion 20 bote që furnizohen në stacionet e UKT me ujë të pijshëm dhe shpërndahen në mënyrë të organizuar.
Deri tani kemi kryer mbi 50 furnizime me ujë në QSUT, Spital Ushtarak dhe maternitete, duke bërë të mundur që të gjitha këto institucione të mos e ndjejnë në mënyrë absolute reduktimin e furnizimit me ujë.
Ujësjellës Kanalizime Tiranë i bën thirrje të gjithë qytetarëve të përdorin me kujdes dhe të kursejnë ujin deri në kapërcimin e situatës emergjente të shkaktuar nga kushtet atmosferike. /a.y/noa.al
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.