Kuriozitete
Përmbytjet në Greqi, dëmshpërblehen nga Qeveria edhe dhjetëra familje shqiptare
Përmbytjet në Greqi, dëmshpërblehen nga Qeveria edhe dhjetëra familje shqiptare
Pesë mijë euro menjëherë për çdo familje dhe 8 mijë euro për çdo biznes të dëmtuar
Disa dhjetëra qytetarë shqiptarë të cilët jetojnë në Greqi, dëmshpërblehen nga qeveria greke, si pjesë e një plani special për ndihmë financiare ndaj njerëzve që u prekën nga përmbytjet e ditëve të fundit në Attikën Perëndimore, kryeqyteti grek, Athinë.
Zëdhënësi i qeverisë greke, Dimitris Tzanakopoulos, njoftoi se ndihma është e ndarë në dy pjesë. E para, mbështetje emergjente financiare për të prekurit nga përmbytjet, duke dhënë pesë mijë euro për çdo familje dhe tetë mijë euro për çdo biznes të dëmtuar.
Sakaq, të gjitha banesat e dëmtuara do të financohen me njëmijë euro metri katror për rindërtim dhe në vlera të tjera për riparim. Kështu, nëse një familje është përmbytur dhe i është shkatërruar banesa 150 metra katrorë dhe i duhet ta rindërtojë atë, qeveria greke i jep 150 mijë euro, nga të cilat 60 për qind ofrohen dhuratë dhe 40 për qind, kredi me interes zero.
Nga masat e qeverisë greke, sipas publikimeve në shtypin shqiptar, përfitojnë të paktën 30 familje shqiptare të cilat jetojnë prej kohësh në Greqi. Disa thonë se ky numër përfituesish mund të jetë më i lartë.
Tragjedia prej shkatërrimeve të papara natyrore në Attikën Perëndimore risolli në mënyrë të theksuar në skenë problemet dhjetëravjeçare ndërtimore dhe strukturore në planifikimin urban të asaj zone por edhe të vendit në tërësi.
Që në momentet e para, Qeveria Greke ndërmori të gjitha nismat e domosdoshme për të mobilizuar aparatin shtetëror, në bashkëpunim me Pushtetin e Vetëqeverisjes Vendore të shkallës së parë dhe të dytë, me qëllim përballimin e menjëhershëm dhe në mënyrën më të mirë të mundshme të gjendjes së emergjencës.
Deri në këto momente, grupe të posaçme teknike të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Transportit, të përbëra prej 120 inxhinierësh, kanë realizuar 1154 kontrolle për vlerësimin e dëmeve në Bashkinë Mandra – Idilias si dhe në Njësinë Bashkiake Nea Perama.
Në Bashkinë Mandra – Idilia u realizuan gjithsej 925 kontrolle vlerësimi. Një nëmur prej 733 ndërtesash që u kontrolluan, kanë pësuar dëme dhe kanë të drejtën për të përfituar dëmshpërblim. Prej tyre, 588 ndërtesa janë shtëpi banimi, 67 janë ambiente profesionale, 5 janë ndërtesa publike dhe 73 janë depo dhe bodrume.
Në Bashkinë Megara dhe në Njësinë Bashkiake Nea Perama u bënë gjithsej 229 kontrolle vlerësimi. 222 ndërtesat që u kontrolluan, kanë pësuar dëme dhe kanë të drejtë për dëmshpërblim. Prej këtyre, 142 janë shtëpi banimi, 30 ambiente profesionale, 2 ndërtesa publike dhe 48 janë depo dhe bodrume.
Inxhinierët e Ministrisë së Infrastrukturës vijojnë me ritëm të lartë kontrollet e vlerësimit, me qëllim që t’i përfundojnë në fund të kësaj jave.
Pasi të përfundojë regjistrimi, do të fillojnë menjëherë procedurat e dëmshpërblimeve të familjeve dhe të bizneseve që pësuan dëme.
Dëmshpërblimi deri 150 metra katror përbëhet nga 60% ndihmë shtetërore falas dhe nga 40% kredi pa interes. Nëse eventualisht sipërfaqja është më e madhe, mbulohet gjithashtu prej kredie pa interes.
Gjithashtu ligji parashikon mbështetje të posaçme për të përmbyturit për strehim dhe ushqim, subvencionim të shpenzimeve të para, zëvendësimin e orendive shtëpiake, subvencione për të prekurit nga përmbytjet dhe kompensim për dëmtimet e mjeteve të ushtrimit të profesionit.
Përcaktimi dhe ndarja e kësaj mbështetjeje të veçantë financiare është kompetencë e Pushtetit Vendor të shkallës së parë dhe të dytë.
Ndërkohë, për shkak të intensitetit të dëmeve, Qeveria Greke vendosi që të akordojë kompensime shtesë tek personat e dëmtuar.
Konkretisht, të gjitha familjet të cilat, sipas vlerësimeve të grupeve teknike të Ministrisë së Infrastrukturës në zonat e Attikës Perëndimore, kanë pësuar dëme, do të marrin një mbështetje emergjente shtesë prej 5 mijë eurosh, ndërsa për bizneset kjo mbështetje emergjente është 8 mijë euro.
E njëjta procedurë emergjence vlen edhe për zonat Simi, Samothraki, për bashkinë Ajia në Larisa, por edhe për bregun e Katerinit, që u goditën kohët e fundit nga katastrofa natyrore, dhe në të cilat ka përfunduar procedura e regjistrimit të dëmeve.
Ndarja e mbështetjes emergjente financiare do të bëhet menjëherë prej shërbimeve të Thesarit të Shtetit, ashtu siç do të parashikojë amendamenti përkatës që do të paraqitet dhe do të votohet sot në Parlament. Kjo mbështetje emergjente do të jetë e pataksueshme dhe e pasekuestrueshme.
Veç këtyre, nga përparësitë e para të Qeverisë është rehabilitimi i dy segmenteve të rrugëve nacionale të Attikës Perëndimore që kanë pësuar dëmtime, si edhe të portit në Nea Perama, me qëllim normalizimin e menjëhershëm të gjendjes.
Gjithashtu që dje në mëngjes, sipas informacionit nga Ministria e Brendshme greke, do të akordohen rishtazi dhe në vend, mjetet e identitetit që humbën gjatë përmbytjes.
Ministria e Punës ka njoftuar ndërkohë për marrje te menjëhershme masash lehtësimi të bizneseve dhe të profesioneve që u dëmtuan nga katastrofa natyrore në Attikën Perëndimore dhe në Simi. Masa të ngjashme do të ndërmerren dhe në çdo rajon tjetër në të cilin do të shënohen eventualisht fenomene të tilla ekstreme natyrore.
Gjithashtu, Policia Greke ka shtuar masat e sigurisë për banorët. Ajo ka vënë në dispozicion të rajonit Mandra – Nea Perama, një trupë prej 1172 policësh, trupë e cila po përforcohet.
Dëmshpërblimet
1000 euro për metër katror për rindërtim banese,
500 euro për metër katror për rindërtim ambienti profesional
300 euro për metër katror për rindërtim depoje apo magazine
60 euro për metër katror për riparim banese
40 euro për metër katror për riparim ambienti profesional
20 euro për metër katror për riparim magazine apo depoje
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.