Kuriozitete
Policia rrugore këshilla shoferëve, akset rrugore ku duhet të tregohet më shumë kujdes
Policia rrugore këshilla shoferëve, akset rrugore ku duhet të tregohet më shumë kujdes
Nisur nga situata meteorologjike e 24 orëve të fundit, me qëllim informimin mbi kalueshmërinë e akseve, Drejtoria e Policisë Rrugore informon lidhur me situatën aktuale në akset rrugore të cilat kryesisht janë të kalueshme me përjashtim të Qafë-Kashar –Vorë –Qafë Kashar ku punohet intensivisht për zhbllokimin e rrugës në të dyja kahet.
Segmenti Tiranë-Rinas, aksi që lidh aeroportin është i kalueshëm. Ndërkohë problem paraqet aksi rrugor Fushe Krujë – Kurbin. Policia ka bërë devijimin mjeteve në aksin e vjetër pasi aksi rrugor është mbuluar nga uji në zonën e Dervenit.
Segmenti rrugor Arapaj-Ndroq, është i hapur. Në akset e tjera ka prezencë të ujit, por trafiku vazhdon i rrjedhshëm, gjithashtu edhe në qendrat e banuara ka prezencë të rritur të ujit, por trafiku i mjeteve vazhdon të jetë i menaxhueshëm.
Drejtoria e Policisë Rrugore porosit drejtuesit e mjeteve që të kufizojnë sa më shumë të jetë e mundur qarkullimin me mjete si dhe të informohen më parë për akset rrugore problematike. Sugjerojmë drejtuesve të mjeteve që udhëtojnë në drejtim të Jugut, përdorimin e aksit rrugor Tiranë-Elbasan-Peqin.
Gjithashtu, policia i kujtojnë drejtuesve të mjeteve dhe të gjithë përdoruesve të rrugës që të tregohen të kujdesshëm duke respektuar informacionet që jep Policia Rrugore.
“Shoferët, për shkak të terrenit me lagështirë, ku nuk mungojnë edhe inertet apo gurët, situatës me mjegull, të tregohen të kujdesshëm në respektimin e kufijve të shpejtësisë, distancat e sigurisë mes mjeteve, parakalimet e gabuara. Rikujtojmë gjithashtu përdorimin e rripave të sigurimit, kaskave mbrojtëse”, thuhet në njoftim.
Policia Rrugor ka kërkuar që në aksin rrugor Milot- Fushë Krujë të ndërpritet qarkullimi i mjeteve kamionë me inerte dhe me krom pasi prezenca e tyre në fluksin e qarkullimit bëhet shkak për bllokimin e rrugës dhe për mosdhënien e ndihmës për mjetet e tjera nga ana e shërbimeve dhe emergjencave.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë përdoruesve të rrugës për masat e marra dhe devijimet që synojnë vetëm sigurinë e qytetarit. /b.l/noa.al/
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.