Kuriozitete
Rama: Shërbimi i jashtëm në funksion të zhvillimit ekonomik, diaspora burim i pashfrytëzuar
Rama: Shërbimi i jashtëm në funksion të zhvillimit ekonomik, diaspora burim i pashfrytëzuar
Kryeministri Edi Rama thotë se ridimensionimi i diplomacisë ekonomike shqiptare, nuk ka të bëjë vetëm me diplomatët por edhe me ministritë, ndaj kërkoi koordinim mes institucioneve.
Duke folur ditën e sotme në takimin me ambasadorët e Shqipërisë në botë “Ridimensionimi i diplomacisë ekonomike shqiptare: sfida dhe mundësi”, ai tha se është e rëndësishme se çdonjëri nga ambasadorët duhet të kuptojë rëndësinë e madhe të rolit të tij për të ndihmuar, duke këmbëngulur në kalimin sa më të shpejtë dhe me sukses të kësaj faze tranzicioni dhe ti vihet në shërbim procesit të ndërveprimit në çdo vend ku çdo ambasadë apo konsullatë do të përpiqet të bëjë punën e vetë për t’ia dalë.
Ai shtoi se Shqipëria ka një bazë të rëndësishme për të komunikuar me fakte në dorë me të gjithë ata që janë të interesuar, apo për të nxitur më tej interesin e të tjerëve me potencialet që ofron vendi ynë.
Kreu i qeverisë deklaroi se është vënë re se ka një rritje të interesit për të investuar në vendin tonë, veçanërisht në turizëm, energji dhe naftë, ndaj shprehu besimin se fokusi kryesor duhet të jetë turizmi, manifaktura, zhvillimi rural dhe zhvillimin e industrive përpuniese, ku tha se ka ende një boshllëk të madh.
Rama deklaroi se një theks i munguar ndër vite, është tek diaspora, për të krijuar një qasje të re dhe për të marrë mbrapsht shumë më tepër nga sa është marrë deri më tani.
Në këtë linjë tha se diaspora shqiptare tashmë është e përbërë prej disa gjeneratash, ndaj deklaroi se në aspektin e interesit të madh kombëtar, diaspora është një burim i jashtëzakonshëm dhe i pashfrytëzuar, qoftë për sa i përket përfshirjes në jetën ekonomike të vendit, por edhe kapaciteteve akademike dhe intelektuale që ka në të gjitha nivelet.
“Shërbimin tonë të jashtëm do ta vëmë në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit dhe për këtë kemi një ministër specifik”, u shpreh Rama. /a.y/noa.al www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.