Kuriozitete
Shefqeti, babai një skuadre futbolli që kërkonte djalë: Ah, po të mundte gruaja…
Në kohën kur rënia e lindjeve po kthehet në shqetësim edhe për Shqipërinë, ai është babai më i lumtur në botë. Jeton në fshatin Dritas të komunës Labinot Mal dhe ka plot 11 fëmijë. Skuadrën e tij të futbollit e ka me 10 vajza dhe një djalë. Për banorët ai është edhe më fatlumi dhe më i pasuri i zonës. Sipas tyre, duke pasur shumë fëmijë, Shefqet Idrizi ka më shumë mundësi të mbajë bagëti, të mbledhë gështenja e kështu të pasurohet.
“E doja një djalë dhe më në fund erdhi por u deshën plot 10 vajza. 4 i kam martuar ndërsa 6 të tjera i kam në shtëpi. Nuk qahem se punojnë të gjitha dhe tani që po flasim disa janë me bagëti, disa po mbledhin gështenja. Nuk pendohem që kam 10 vajza dhe që më në fund arrita të kem një djalë”.
E gjejmë në shtëpinë e tij në fshat, ndërsa vajzat së bashku me bashkëshorten, janë të gjitha duke u kujdesur për bagëtitë dhe duke mbledhur gështenja.
I pyetur se pse e donte patjetër një djalë, Shefqeti tregon se ishte shumë e rëndësishme për të të kishte një djalë pasi vajzat martohen e shkojnë në shtëpinë e burrit. “Unë kam një skuadër futbolli me fëmijë dhe më të voglin e kam 11 vjeç. Është e vështirë të kesh kaq shumë fëmijë sot, por unë nuk jam penduar aspak që kam kaq shumë. Vajzat janë punëtore dhe si të tilla e nxjerrin vetë pjesën e tyre. Djali është pak i ledhatuar por e meriton se është pas 10 femrave”.
Shefqeti ka mbi 20 lopë dhe qindra kokë dele. Ka një shtëpi shumë të mirë në qytet dhe toka e gështenja në fshat ku kalon pjesën më të madhe të vitit.
Me pak fjalë, skuadra e tij e futbollit me fëmijë nuk e ka rrënuar por pasuruar. Dhe nëse bashkëshortja e tij do të mundte, ai do të kishte akoma më shumë fëmijë.
Shefqeti ka një mesazh për të gjithë ata që sot mendohen mirë për të pasur fëmijë: “Bëni sa më shumë fëmijë, se fëmija e ka kismetin me vete”. / Nga Bardha Nergjoni, tesheshi.com/
Pages: 1 2