Kuriozitete
Shkon me urgjencë në spital, por vajza shokohet nga ajo që shikon: S’do ta harroj sa të kem jetë
“Mos të rëntë halli se në spitalet tona vdes”, është kjo shprehja që dëgjon më shpesh në kafene, urban, rrugë etj. Gjithsecili do ta shikojë këtë shprehje ashtu si çdo ankesë në vendin tonë, “normale”, pasi ne jemi mësuar të na shkelin me këmbë dhe nuk na bëjnë përshtypje padrejtësitë ose ndihemi të pafuqishëm për t’i ndryshuar dhe pranojmë më mirë të heshtim duke pritur që “tjetri” të ngrejë zërin.
Mbrëmjen e djeshme në urgjencën e Spitalit Nënë Tereza u përplasa me një situatë që për punonjësit aty ishte thjesht një ditë e zakonshme pune, por për mua ishte një nga pamjet më të trishta që kam parë në vendin tim. Sapo hyje në korridorin e urgjencës shikoje krevata të improvizuar për të pritur të “sëmurët”, pa çarçafë, pa batanije, pa shtretër dhe për më tepër me një sjellje arrogante të “mjekëve amatorë”, të cilët dukej sikur kishin ardhur aty për të shtyrë kohën dhe për të marrë disa lekë më shumë, pa mëshirë dhe pa profesionalizëm ndaj të sëmurëve.
Teksa shikoja ata krevate dhe të sëmurët që rënkonin dhe luteshin për pak vëmendje, më bëri përshtypje një grua, e veshur me të zeza, por që kishte në fytyrë një trishtim sikur mbi të të ishin përplasur të gjitha hallet e botës. Qante dhe pranë saj ndodhej djali, i cili me një fytyrë të vuajtur, dukej sikur kërkonte pak mëshirë nga ata “mjekë” të rinj, të cilët me mendjemadhësinë e tyre shkëmbenin të qeshura dhe batuta për të sëmurët që vinin.
Gruaja e veshur më të zeza duke qarë dhe duke rënkuar i kërkon një dhomë, por përgjigja e djalit të ri që kishte veshur uniformën e bardhë të mjekut, më shokoi. “Pse ke ardhur këtu spital, ishe mirë në shtëpi, rrije rehat atje, tani hajde rri këtu me mua, e çfarë do të bëj unë? Cke, mos qaj”, fjalë këto që dashur padashur të shkaktonin neveri për ata punonjës, keqardhje që ke lindur në një vend të tillë, ku të “varfrit” shkelen me këmbë, ku dhembshuria njerëzore shumëzohet me zero para parasë.
Ndërsa përballë kësaj gruaje, fytyrën e të cilës nuk do ta harroj sa të kem jetë, ndodhej një burrë, ishte aty i vetëm dhe pa ndjenja, ndërsa pranë tij ndodhej një djalë i ri, i cili i kishte kapur krahun dhe për disa minuta nxirrte pasthirrma dhe një shfryrje inati, pasi nuk po dinte ku të vendoste serumin.
Keqmenazhimi dhe korrupsioni janë mbizotëruese në shëndetin publik, duke rënduar edhe më tej kushtet e mjerueshme të spitaleve në Shqipëri. Në të cilat nuk ka ilaçe, kushtet higjienike janë katastrofike dhe të sëmurët duhet të japin ryshfet personalitetit që i trajton dhe për më tepër nuk ka profesionalizëm dhe nëse nuk e ke “xhepin plot” edhe mund të vdesësh.