Kuriozitete
Shkova te “hoxha” për ndihmë, ai më kërcënon!
Unë që po ju shkruaj jam një grua 55 vjeçare. Dua t’ju rrëfej historinë e jetës sime, që është me të vërtetë një histori shumë e komplikuar, së cilës nuk po di t’i jap zgjidhje. Jeta ime deri tani ka qenë një ferr i vërtetë. Nuk thonë kot se fati i femrës është si një lotari, o fiton, o humbet. Mua, për fat të keq, më qëlloi kjo e dyta. Qëkur isha vajzë, im atë më fejoi me mblesëri me një djalë nga Tirana. Im atë ishte shok i ngushtë me vjehrrin tim dhe ata na mundësuan martesën me bashkëshortin tim. Në kohën kur unë u martova, kuptova se im shoq nuk e pëlqente shumë punën, por atëhere ishte sistem tjetër dhe ai ishte i detyruar të punonte se nuk kishte rrugëdalje tjetër. Ai punonte mekanik, kurse unë punoja banakiere në një lokal këtu në Tiranë. Deri në periudhën e ndërrimit të sistemit, me thënë të drejtën, nuk është se shkonim keq; kishim zënka, por si çdo çift; ishin zënka kalimtare, që nuk të mbesin në kujtesë. Kishim dy fëmijë dhe bënim një jetë normale. Me ndryshimin e klasës politike në Shqipëri, unë dhe im shoq mbetëm të papunë dhe këtu filluan edhe kontradiktat e para mes nesh. Fëmijët ishin në moshën më delikate dhe donin të visheshin e ushqeheshin mirë. Im shoq, në atë kohë, filloi punë si taksist dhe në shtëpi na sillte lek sa për bukë. Lekët e tjera shkonte dhe i linte në kazinotë e Tiranës. Kjo ka qenë edhe koha kur filloi konflikti në familjen tonë. Fëmijët u rritën dhe donin të shkonin në shkollë, por nga i ati nuk kishin asnjë lloj ndihme.
Një ditë, komshia ime, që e kisha edhe shoqe të ngushtë, më tha se mund të më ndihmonte për t’i gjetur zgjidhje këtij halli që më kishte zënë. Ajo më tregoi për një hoxhë, i cili kishte një zyrë, ku gjenin shpëtim shumë hallexhinj. Unë, në fakt, nuk besoja shumë te këto gjëra. E dija se shumë nga këta që e quajnë veten hoxhallarë dhe marrin lek për atë që bëjnë, nuk ndjekin fenë sepse feja nuk i këshillon nuskat e kësi gjërash… I thashë shoqes se unë nuk kisha shkuar asnjëherë nëpër hoxhallarë dhe kisha shumë frikë të shkoja atje, por ajo më tha se në fillim do shoqëroja atë, pasi ajo kishte një problem me djalin që kish ngelur në një provim dhe ai e kishte ndihmuar gjithmonë për gjëra të tilla. Kështu bëmë, shkuam te dyja. Vërtet shoqja nuk më kishe gënjyer, atje kishte shumë radhë. Ne pritëm derisa erdhi radha jonë dhe, kur hymë brenda, shoqja i puthi dorën, ndërsa unë mbeta si e ngrirë në këmbë. Përgjigjja e tij ishte:
“Besoj se ke ardhur për shoqen, se kjo paska një hall të madh!”. Unë u shokova nga këto fjalë, kurse shoqja i shpjegoi se herën tjetër do të shkonim për mua. Pashë se ai i dha diçka të mbështjellë në letër dhe i tha: “Do t’ia vësh nën jastëk djalit dhe provimin e ka të marrë”. Mbas kësaj, djali e mori provimin dhe unë, për të parën herë, shkova tek ai dhe i tregova për problemin tim. Në fillim i thashë se doja të bënte diçka që të mos kisha më marrëdhënie intime me burrin tim. Këtë gjë e dëshiroja të parën, pasi ai më rrihte dhe në mbrëmje kërkonte që të kryenim marrëdhënie seksuale. Nuk kishte gjë më të pështirë, unë e urreja burrin tim, me të rrija vetëm nga frika, pasi ai më kish kërcënuar që, nëse e lija, do të më vriste. Unë nuk e di se çfarë bëri hoxha dhe nuk më pëlqen të tregoj të tilla detaje, por ajo që unë doja, u realizua. Mbas një jave e deri më sot, që kanë kaluar dy vjet, nuk ka patur më intimitet midis nesh. Unë mbaja ndonjë lek që më jepnin njerëzit e mi dhe ia lija hoxhës që më ndihmonte. E di që të gjithë ju që po lexoni historinë time do mendoni se po ju gënjej, por nuk kam asnjë arsye që t’i sajoj të gjitha këto. Mund të them se ai me mua bëri mrekullira. Në njëfarë mënyre, ai ishte shpëtimtari i vetëm që më kishte mbetur në këtë botë. Ai nuk ka mundur akoma të bëjë atë që unë dua në të vërtetë, t’i heqë vesin tim shoqi, pra, lojërat e fatit, por ka bërë që burri im të mos ushtrojë dhunë ndaj meje dhe fëmijëve. Po kështu, ka bërë që të ndërgjegjësohet për ne dhe të paktën na lë lek për të ngrënë bukë. Kaq sa ai ka bërë për mua, ia di shumë për nder.
Mua më dukej sikur duke shkuar te hoxha, ai ndikonte për mirë tek unë. Në fillim shkoja një herë në muaj, më pas po shkoja një herë në javë e, kur kisha lek, shkoja edhe disa herë në javë. I lutesha që ai të bënte diçka për burrin tim, që të hiqte dorë nga vesi i tij, por e dini ç’më ndodhi një ditë? Ai më dha një letër dhe më tha: “Kur të shkosh në shtëpi, vepro sipas porosive të mia dhe gjithçka do të shkojë mirë”.
Shkova në shtëpi dhe nga lumturia që kisha, hapa me shpejtësi letrën, po ç’të shikoja? Brenda saj ishte një kartolinë ku shkruhej: “Nëse ti do të bëhesh e imja, unë do të të fal gjithë lumturinë e kësaj bote!”. Nuk mund t’jua shpjegoj me fjalë se si u ndjeva ato çaste; zemrën e ndjeja të më rrihte nga frika. Me vete, thashë: “Bobo, ç’më gjeti! Çfarë të bëj tani?”. Që të shkoja me atë njeri nuk bëhej fjalë; ai ishte rreth të shtatëdhjetave, me një mjekër të gjatë që i shkonte deri në kraharor. Nuk e kuptoja pse më donte pikërisht mua! Mos ndoshta ai shkonte me të gjitha gratë që kishin halle si timin? Atje shkonin gra e vajza të reja, por unë nuk doja ta besoja këtë gjë. Atë ditë nuk më zuri gjumi dhe e vendosa që nuk do të shkoja më atje. Kjo që kisha bërë ishte një çmenduri, sepse unë, e konsideroja njeriun e Zotit dhe nuk mund të ngatërroja ndjenjat më problemet e hallet që kisha unë, por që prej asaj dite, shpirti im nuk gjeti qetësi. U bëra gati dy javë pa shkuar te hoxha dhe as nuk doja të shkoja më atje. Gjërat i kisha mirë dhe burri im punonte. Vërtet nuk na linte lek në shtëpi, por të paktën na blinte ushqimet, paguante dritat e ujin dhe mua më kishte çuar në një kurs për rrobaqepëse. Ai nuk na keqtrajtonte dhe, me sa halle kisha kaluar unë, të gjitha këto më dukeshin gjëra luksi. Vajza dhe djali shkuan në Itali me bursë, ata punojnë e studiojnë atje dhe e heqin vetë hallin e tyre.
Po ju thoja më sipër se kishin kaluar dy javë dhe nuk kisha shkuar më te hoxha, por e dini ç’më ndodhi? Në telefon më erdhi një mesazh pa numër, ku shkruhej “Të pres të vish!”. Menjëherë më vajti mendja se do të ishte ai, por unë prapë nuk u bëra e gjallë. Kishte kaluar një muaj kur im shoq më erdhi në shtëpi i mërzitur, se kishte lënë dy milion lek në lojërat e fatit. Filloi përsëri sherri. Ai më thoshte: “Thuaju fëmijëve të më dërgojnë lek që të laj borxhet” dhe më qëlloi me sa fuqi kishte, por e durova. Mbas një jave me mori djali dhe më tha se kishte ngelur në dy provime. Më pas më mori vajza dhe më tha se ishte mbyllur supermarketi ku ajo punonte. Të gjitha këto trazime të jetës sime, mbas dy muajsh qetësi, ma mori mendja se m’i kishte bërë ai, hoxha, i cili si duket ishte mësuar të shkonte me të gjitha gratë që i donte qejfi. Mesazhet e tij pa numër filluan të më persekutonin ngado që shkoja. Ato mesazhe të linin të kuptoje se “nëse nuk bëhesh e imja kështu do të të ecë jeta, me halle dhe probleme”. E vendosa që nuk do të shkoja, do t’i përballoja vetë të gjitha. Kisha blerë një makinë qepëse dhe punoja gjërat që më sillnin shoqet. Kështu po fitoja pak lekë dhe nuk ia tregoja burrit, por gjëra të tjera po më ndodhnin, nuk më zinte gjumi fare natën, ai më shfaqej para syve, kishte momente kur ndjeja dridhje të trupit, ose ndjeja sikur një mashkull më ledhatonte të gjithë trupin. Kisha filluar të ndjeja kënaqësi, pa asnjë lloj shkaku. Tashmë kam mbetur në një udhëkryq që nuk e di se si do t’i jap zgjidhje. Prania e hoxhës më persekuton në të gjitha mënyrat e mundshme. Ai nuk m’i thotë gjërat në mënyrë të drejtpërdrejtë, por me nënkuptime. Kaq sa po kaloj, do bëj si do bëj e do ta përballoj, por kam shumë frikë se ai mund të më kërcënojë me jetën e fëmijëve sepse çmenduria e tij nuk njeh kufij. Ai me mesazhet e tij më bën të kuptoj se me të nuk ka shakara, ai në punën e tij është aq i fortë sa mund të bëjë çfarë t’i thotë mendja për të arritur atë që do. Deri tani, me të kam qenë shumë korrekte, por nuk e di sa do të vazhdojë e gjithë kjo, pasi ai është një kërcënim shumë serioz për mua, që nuk e di se sa do ta përballoj. Për më tepër, unë nuk e di se kujt t’ia them këtë hall të madh që më ka rënë, pasi për të nuk kam as edhe një provë që ta denoncoj. Mesazhet e tij më vijnë pa numër në telefon.
Nuk thonë kot “peri këputet, atje ku është më i dobët”. Kështu po ndodh edhe me mua e ndoshta dhe me shumë gra të tjera, të cilat janë bërë viktimë e atij hoxhe që njohuritë dhe vetitë që ka, i përdor për qëllime përfitimi dhe që jam shumë e bindur se nuk i shërben Zotit, por dikujt tjetër… O Zot i madh, e di që kam gabuar që ndoqa këtë rrugë, por të lutem, largoje këtë rrezik nga unë, të lutem!