Kuriozitete
Shtyhet sërish gjyqi për Alket Hatiajn, këtë herë shkak shteti italian
Shtyhet sërish gjyqi për Alket Hatiajn, këtë herë shkak shteti italian
Alket Hatija i cilësuar nga mediat italiane si bosi i drogës po gjykohet në mungesë pasi ndodhet në arrati. Seanca gjyqësore për të është shtyrë sërish dhe shkak për këtë është bërë mosardhja e përgjigjes nga shteti italian.
Prokurori Kujtim Bashaj i cili i është drejtuar Gjykatës së Durrësit për kërkesën për ekstradimin për kërkesën e të kërkuarit drejt Italisë, kërkon ndihmën e Ministrisë së Drejtësisë me qëllim që ti jepet zgjidhje çështjes.
Në shkresën që mban firmën e tij, prokurori kërkon që autoriteteve italiane t'iu vihen në dispozicion përmes letër porosisë, vendimet e dënimit të Alket Hatiajt nga drejtësia shqiptare dhe të pyeten nëse i qëndrojnë sërish kërkesës për ekstradim.
Gjyqi i sotëm u zhvillua pa praninë e medias. Më herët në seancën paraardhëse mbrojtja për Hatinë ka deklaruar se drejtësia italiane nuk njeh vendimet e gjykatave shqiptare, ndërsa Hatia e ka vuajtur dënimin për të cilin kërkohet nga pala italiane.
Alket Hatija u arrestua më 8 korrik të këtij viti me urdhër të Prokurorisë së Durrësit, pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane për shkak të një dënimi me 20 vjet burg, të lëshuar nga Gjykata e Apelit në Milano ne vitin 2015 për veprën penale te trafikimit ndërkombëtar te lëndëve narkotike.
Më 11 korrik, Prokuroria kërkoi masën e “arrestit me burg” me qëllim ekstradimin e tij, por që u la i lirë nga gjyqtari Petraq Çuri, duke i dhënë masën detyrim paraqitje, me argumentin se në dosjen e Hatijas mungonte një kërkesë e Ministrisë së Drejtësisë.
Prokuroria e çoi çështjen në gjykatën e Apelit, duke paraqitur si prove edhe kërkesën e ministrit të Drejtësisë për aplikimin e masës shtrënguese “arrest me burg” për qëllime ekstradimi.
Alket Hatija u arrestua për here të parë në vitin 2008 me kërkesë të autoriteteve italiane, pasi akuzohej se ishte pjesë e një organizate kriminale kriminale në drejtim të trafikimit të qindra kilogramë heroinë në Itali.
Çështja u transferua në Shqipëri për gjykim, ku pas shqyrtimit nga Gjykata e Krimeve të rënda, Hatija u dënua me 10 vjet e 8 muaj burg, dënim të cilin e kreu të plotë në Shqipëri. /b.l/noa.al/
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.