Kuriozitete
Tentoi të grabisë bankën, i riu nga Tirana lë gjyqtarët pa fjalë: Prindërit më kanë vdekur dhe…
Më 8 mars të këtij viti një bankë e nivelit të dytë u tentua të vidhej nga një 21-vjeçar i pastrehë në Tiranë.
Pasi ka bërë tentativën e vjedhjes, i riu është larguar pa arritur që të merrte gjë dhe më pas është dorëzuar vetë në polici, duke pranuar krimin e kryer. Dëshmia e tij në gjykatë gjatë ditëve të fundit ka lënë pa fjalë trupën gjykuese. Djali ka folur me zemër të hapur, teksa ka treguar shkaktarin kryesor që e ka çuar drejt këtij veprimi: uria.
“E bëra për mbijetesë. Kisha disa ditë pa ngrënë”, është shfajësuar ai para oficerëve të policisë dhe më pas edhe në gjykatë gjatë gjykimit. I akuzuari për këtë ngjarje, Nazmi Çaka, u deklarua fajtor nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit”, mbetur në tentativë.
Ai u dënua me 2 vjet e 6 muaj burg. Për shkak të gjykimit me procedurë të shkurtuar, ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit dhe përfundimisht duhet të vuajë 1 vit e 8 muaj heqje lirie.
Gjatë gjykimit, i riu ka shfaqur pendesë për kryerjen e krimit, rrethanë që është provuar edhe nga vetëdorëzimi i tij në polici. Ai ka rrëfyer se jeton i vetëm, se nuk ka një banesë dhe se prindërit i kanë vdekur kohë më parë.