Kuriozitete
“U celebrova me të fejuarën dhe tani duam një fëmijë”, rrëfimi i shkodranit me HIV
Klodiani ishte 22 vjeç kur u përball me dramën më të rëndë të jetës së tij, faktin që ishte infektuar me virusin HIV. Prej tre vitesh bashkëjeton me këtë sëmundje për të cilën informacion të vetëm kishte vdekjen e sigurt.
Klodiani thotë:
U gjenda përpara atij zarfit që laborantja ma dha dhe unë e kuptova faktikisht nga mimika e saj. Ishte një traumë që pësova, ishin netë pa gjumë, ka qenë një periudhë e gjatë dhe e dhimbshme për mua”.
Çdo gjë në lidhje me sëmundjen 25-vjeçari e mban në fshehtësi, përfshi dhe prindërit.
Nuk e kam pasur të nevojshme që t’u tregoja për të mos i shqetësuar më tepër”, shton ai.
Në rrëfimin e tij për Klan Plus, Klodiani tregon se frika e tij më e madhe, pasi mësoi se ishte i infektuar, ishte se mos kishte infektuar të fejuarën.
Më tej 22-vjeçari rrëfen:
Ne ishim prej dy viteve bashkë deri në atë moment edhe kisha shumë frikë. E pata dhe shumë problem sepse pasi e pranova veten deri diku, gjithë shqetësimi kaloi mbi shëndetin e saj. Por fatmirësisht ajo është negative. Mbaj mend kur u nisa për Tiranë sepse donte të isha i shtruar tek Infektivi në Tiranë, ishte një nga momentet më të vështira të jetës sime kur u largova nga Shkodra. Mendova sikur s’do kthehem më këtu. Shikoja të fejuarën dhe mbaj mend atë ditë kur pimë një kafe dhe thashë ndoshta do të jetë kafja jonë e fundit”.
Të jesh HIV pozitiv, nuk të pengon që të bëhesh prind dhe të lindësh fëmijë të shëndosh. Klodiani dhe e fejuara e tij tashmë janë duke planifikuar që të bëhen prindër.
Ne pas kësaj bëmë celebrimin e fejesës dhe vendosëm të ishim bashkë. Patjetër që në të ardhmen do të jemi me fëmijë. Sot mjekësia bën të mundur që nga dy prindër pozitiv mund të lindin fëmijë negativ”, ishin disa nga fjalët e Klodianit.
Ai tregon mangësitë e shërbimit shëndetësor në Shkodër por edhe në Tiranë ku ai është i detyruar që të paraqitet çdo dy muaj për të marrë ilaçet.
Pavarësisht planit kombëtar që thuhet që do të krijojë mbështetje, unë nuk jam përballur me asnjë nga këto mbështetjet, as informacion. Thjesht e përballa krejt i vetëm, pa mbështetjen e askujt”, përfundoi i riu.
Klodjani është njëri prej 984 personave të infektuar me HIV-AIDS në Shqipëri. Sipas specialistëve kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi të infektuarit shpesh herë identifikohen kur janë në stad të avancuar./Klanplus