Lajme
U copëtuan në Itali, kush janë dy të rinjtë shqiptarë që humbën jetën tragjikisht?
Amir Muslija dhe Ysin Braha janë dy të rinjtë shqiptarë, të cilët humbën jetën në mënyrë tragjike ditën e djeshme, pas një aksidenti automobilistik në Firenze të Italisë.
Amiri dhe 22-vjeçari Yasin ishin shokë shkolle. Nëse hapni profilin në Facebook të Amirit vihen re foto të shumta me shokët e klasës si dhe me të rinjtë e Pubblica Assistenza di Taverne d’Arbia, ku ofronin shërbimin e tyre në mënyrë vullnetare.
Dy të rinjtë, kushërinj dhe të dy nga Kosova, kishin nisur të punonin në një hotel, pasi kishin përfunduar shkollën. Sipas dëshmive, djemtë kishin kaluar një natë jashtë, në një prej diskove të Firenzes dhe ishin duke u kthyer në shtëpi, në momentin e aksidentit.
Amir ishte në drejtimin e Audit, përbri tij ndodhej një 27-vjeçar, edhe ai nga Kosova, i cili ngeli i plagosur, ndërsa pas ndodhej Yasini. Rreth orës 5:30 të mëngjesit, në rrugën Siena Bettolle, pranë një kthese të lehtë, makina del nga rruga, ecën në një rrugë të pjerrët, kapërcen një gardh dhe rrotullohet disa herë.
27-vjeçari, për fat të mirë, arrin të dalë jashtë makinës, ndërsa dy të tjerët ngecin brenda makinës që u shkatërrua. I plagosuri, në gjendje jo të mirë, telefonon ndihmën e shpejtë dhe thotë vetëm se ka pësuar një aksident në Colle Val d’Elsa, por nuk arrinte tregonte se çfarë ka ndodhur. U deshën disa minuta deri sa policia të identifikonte vendin ku kishte ndodhur gjithçka.
Për Amirin dhe Ysinin nuk mund të bëhej më asgjë. Ata kishin ndërruar jetë.