Kuriozitete
Veliaj: Tirana i shpëtoi përmbytjeve prej investimeve, Plani i Veprimit sjell zhvillim të qëndrueshëm
Veliaj: Tirana i shpëtoi përmbytjeve prej investimeve, Plani i Veprimit sjell zhvillim të qëndrueshëm
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë prezantimit të Planit të Veprimit për Qytetin e Gjelbër, deklaroi se ai do të japë mundësinë për të menaxhuar çështjet e zhvillimit mjedisor të qytetit në mënyrë profesionale, ndërsa do krijojë mundësinë edhe të financimeve konkrete nga donatorë të ndryshëm.
Ai nënvizoi se fatkeqësitë natyrore, përfshi këtu edhe rastin e shirave të ditëve të fundit, nxorën edhe një herë në pah nevojën për një plan të detajuar për transformimin e gjelbër të Tiranës.
“Në dy vitet e para kemi kaluar fazën e emergjencave dhe shumë prej problematikave që kemi pasur në Tiranë, por tani nuk na falet më. Besoj që konteksti tjetër ka të bëjë me situatën që sapo kaluam në Shqipëri, që ka të bëjë me situatën e përmbytjeve dhe herë pas here, edhe kur ne mendojmë që është nën kontroll, natyra na jep një shkundje të fortë për të thënë, jo, në fakt këto gjëra që ju bëtë për 27 vite nuk harrohen kaq kollaj dhe besoj që asnjë prej nesh nuk është naiv dhe të mendojë që kjo është vetëm produkt keqmenaxhimi. Ky është një shpagim, një hakmarrje e natyrës për një shpërdorim kolektiv që i kemi bërë natyrës këto 27 vite. Këtu nuk është momenti për të vënë gishtin kush ka faj më shumë, por besoj si komb kemi përveshur mëngët dhe i jemi hakërryer natyrës dhe vetëm sot po kuptojmë se si natyra po na kthen hakun”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se falë investimeve të realizuara në kohë, Tirana ia arriti që të përballojë me sukses edhe një situatë të tillë.
“Disa histori si e famshmja zona e Don Boskos, ura e Shkozës, e famshmja Pallati me Shigjeta, Lana që fryhej e tejfryhej, lumi i Tiranës, njësia 4, njësia 8, njësia 9, fatmirësisht ecëm shumë shpejt me ato projekte”, deklaroi ai.
Kryebashkiaku i cilësoi papërgjegjshmëri deklaratat e bëra nga përfaqësues të politikës për hapje të digës së Bovillës dhe të rezervuarëve.
“Kur dëgjoja emra që kanë drejtuar shtetin shqiptar, që nuk dinin ku binte Bovilla, që thoshin se Bovilla ka përmbytur një lagje në Tiranë, ndërkohë që mes tyre është Lumi i Tiranës. Pra, do të duhet të ishte përmbytur lumi pa të na vinte në Tiranë. Ky burrë plak ka drejtuar Shqipërinë kaq vite dhe abuzon në mënyrën më të ulët të mundshme. A e ndihmon kjo shoqërinë, duke i hequr alibinë çdo njeriu që ka prerë pemë dhe çdo njeriu që ka ndërtuar lumë, kur ke një politikan, një njeri të moçëm të këtij vendi që ka drejtuar vendin dhe që është gati të përdorë çdo lloj populizmi, çdo lloj gënjeshtre, kundër sensit të gravitetit të drejtimit të lumenjve, por ta shfrytëzojë: E thotë u bë qameti të kap një votë?”, deklaroi Veliaj.
Gjithashtu, ai bëri të ditur se një tjetër sfidë me të cilët përballet shoqëria sot, e sidomos ajo pjesë që jeton në Tiranë, është stili i jetesës dhe gjetja e alternativave që nxisin një jetë më të shëndetshme.
“Këtu besoj që kemi nevojë për disa investime që të inkurajojnë një stil të ri jetese, kjo është edhe arsyeja pse po shikoni që shumica e kantiereve të rinj të hapura në Tiranë, kanë të bëjnë me rrjetin minimal të biçikletave. Një nga gjërat që do të bëjmë, është krijimi i një infrastrukture bazike biçikletash, për t’i paraprirë ardhjes së 4 mijë biçikletave”, u shpreh Veliaj.
Ai bëri të ditur se së bashku me BERZH po inkurajohen kompanitë e transportit publik në Tiranë që të transformojnë mjetet e transportit në mjete elektrike. “Nëse kompanitë e autobusëve nuk na sjellin në planet për 2018, se si do të fillojnë konvertimin e flotës, do të thotë që do të krijojmë një kompani publike dhe jam duke ecur paralelisht me atë plan. Kështu që, nuk do të hezitoj fare të heq licencën e kujtdo që nuk sjell një plan bindës se si të transformojë flotën e vet gradualisht”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku solli në vëmendje pikërisht se një nga vendimet më të guximshme që ka marrë Bashkia e Tiranës, ishte ai për vendosjen e një pagese për qeset plastike, duke sjellë një reduktim drastik të tyre nga qytetarët.
“Jemi sot në fazën ku po hartojmë planet e detajuara vendore, pra të gjithë segmentet e pyllit orbital dhe disa do i kërkojmë me sponsorizim, disa të tjera do i kontraktojmë, disa të tjera mund t’i fusim edhe në konceptin e partneritetit publik-privat, siç po bëjmë me shkollat”, deklaroi Veliaj.
Duke nënvizuar se Plani i Veprimit për Qytetin e Gjelbër për Tiranën, do të krijojë një qasje më të strukturuar ndaj problemeve kryesore mjedisore që qyteti ynë përballet çdo ditë për shkak të një historie të zhvillimit urban kaotik dhe mungesës së planifikimit strategjik e të integruar, Veliaj prezantoi pikat kryesore ku ai do të fokusohet.
Ai bëri të ditur se një vëmendje do të tregohet për Planin e lëvizshmërisë së qëndrueshme, sikurse janë autobusët modernë, korsitë e dedikuara për biçikletat, ndërtimi i dy terminale, ai lindor dhe perëndimor.
Një tjetër plan është ai për rritjen e hapësirave të gjelbra, ku krahas Pyllit Orbital, do të punohet paralelisht, edhe me mikro-projekte. Një vëmendje e veçantë do të tregohet edhe për orientimin drejt konsumit të qëndrueshëm të energjisë dhe infrastrukturë si llambat e rrugëve LED, krijimi i karikuesve të automjeteve elektrike për të promovuar transportin e gjelbër, zbatimin e izolimit termik në ndërtesat publike, etj. Plani i Veprimit për Qytetin e Gjelbër pritet që të ndihmojë Tiranën në zbatimin e veprimeve të duhura për të qenë më të përgatitur ndaj ndryshimeve klimatike dhe për çdo rast emergjence. /a.y/noa.al
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.