Kuriozitete
Xhaçka: Bashkë me ministrin Xhafaj, grup pune për vëzhgimin e hapësirës detare
Xhaçka: Bashkë me ministrin Xhafaj, grup pune për vëzhgimin e hapësirës detare
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka gjatë vizitës në Bazën Ajrore të Farkës, ku u takua me drejtues të Forcës Ajrore Shqiptare bëri me dije se ka nisur puna për kontrollin e ish-pronave, të cilat administrohen nga Forcat e Armatosura.
“Ministria e Mbrojtjes ka nisur një kontroll të imtësishëm nëpër të gjitha ish-pronat të cilat ka nën administrim. Çdo repart e komandë është ngarkuar që me të gjitha burimet njerëzore në dispozicion, të evidentojë saktësisht statusin aktual pikërisht të atyre pronave që aktualisht nuk janë vend-dislokime ushtarake”, u shpreh ajo.
Ministrja tha se ky kontroll po ndërmerret edhe në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave datë 29 mars 2017, për parandalimin e mundësive për ushtrim aktivitetesh të paligjshme nëpër këto prona.
“Ky kontroll zhvillohet gjatë kësaj jave dhe do të përfshijë përmes një plani të saktë çdo pronë ish-ushtarake kudo që të jetë ajo. Vëmendja e qeverisë është maksimale dhe çdo veprimtari e jashtëligjshme do të marrë përgjigjen ligjore”, deklaroi ministrja.
Përmes aktit normativ, të miratuar pak javë më parë, Qeveria dha mbështetjen e saj për Forcat e Armatosura. Janë katërqind milionë lekë të reja, të cilat, sipas ministres Xhaçka do të përdoren për modernizimin e Forcave të Armatosura.
“Përmes kësaj rritje në buxhet kemi siguruar fondet e nevojshme për blerjen e sistemit radar ajror, investimi i parë për ruajtjen e qiejve shqiptarë në demokraci. Së bashku me ministrin e Brendshëm, kolegun Fatmir Xhafa kemi ngritur një grup të përbashkët inspektimi për të inspektuar në detaje situatën aktuale me vëzhgimin e hapësirës detare. Do të nxjerrim konkluzionet e nevojshme dhe përgjegjësitë e rastit”, tha ndër të tjera Xhaçka. /a.y/noa.al
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.