Kuriozitete
Basha: Vendi në krizë totale kushtetuese, politike dhe morale, vettingu ka marrë fund
Basha: Vendi në krizë totale kushtetuese, politike dhe morale, vettingu ka marrë fund
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi Ramën se po bën gjithçka për të penguar hetimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit. Pas mbledhjes së grupit parlamentar, Basha tha se vendi është në një krizë totale kushtetuese, politike dhe morale.
“Ka frikë nga hetimi i pavarur i drejtësisë që do të zbulojë dhe bashkëpunëtorë të tjerë në kupolën qeveritare të krimit të organizuar ndaj po bëjnë gjithçka për ta penguar këtë hetim. Drejtësia është e nëpërkëmbur, e kërcënuar, vettingu është i marrë fund me këtë qëndrim të Edi Ramës që po e përdor për të kërcënuar prokurorët vetëm sepse guxojnë të hetojnë Saimir Tahirin dhe vendi është në një krizë totale kushtetuese, politike dhe morale", u shpreh Basha.
Maxhoranca ka marrë fund, tha Basha, teksa shtoi se opozita do të jetë në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët dhe me faktorin ndërkombëtar për t’iu përgjigjur kësaj gjendje dhe kësaj krize të vendit.
"Mazhoranca moralisht është e vdekur. Edi Rama de facto ka marrë fund si Kryeministër. Ne si opozitë jemi dhe do të jemi në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët dhe me faktorin ndërkombëtar për t’iu përgjigjur kësaj gjendje dhe kësaj krize të vendit”, deklaroi Basha.
I pyetur nëse ka një qëndrim të ndërkombëtarëve rreth kësaj çështje, Basha tha: “Nuk jam zëdhënës i ndërkombëtarëve por jam partner i tyre”. Sakaq mungesën e deputetëve demokratë në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, Basha e justifikoi me mbledhjen e grupit. /b.l/noa.al/
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.