Connect with us

Bashkia krijon rezervat e qytetit, Veliaj: Përgatitemi për rastet e emergjencave

Kuriozitete

Bashkia krijon rezervat e qytetit, Veliaj: Përgatitemi për rastet e emergjencave

Bashkia krijon rezervat e qytetit, Veliaj: Përgatitemi për rastet e emergjencave

Bashkia e Tiranës ka ngritur magazinën e emergjencave të qytetit, me një fond të veçantë ushqimesh dhe veshmbathjesh, të cilat do të shërbejnë për t’i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë në raste emergjencash.

“Tirana është gjithmonë një hap përpara; po mendojmë për ditët e ftohta dhe me shi, kur mund të kemi emergjenca civile. Këto janë të pashmangshme dhe pavarësisht histerisë, as kryetari i Bashkisë, as Kryeministri apo kushdo tjetër nuk mundet ta ndalojë shiun apo të rregullojë infrastrukturën e keqndërtuar ndër vite, që janë kryesisht ndërtime pa leje buzë lumenjve apo në hapësira të tjera publike. Por, ajo që mund të bëjmë është që kur të vijë dita e keqe, të na gjejë të përgatitur”, tha Veliaj, duke shtuar se tashmë qyteti mund të përballojë 200-300 raste problematike në raste emergjencash.

Ai u bëri thirrje të gjitha bizneseve apo shoqatave të ndryshme që të kontribuojnë me aq sa munden për ta përgatitur qytetin akoma më mirë, por edhe për ta bërë Tiranën një qytet më solidar e më social.

Teksa vlerësoi punën e mirë që u bë gjatë dimrit që shkoi për menaxhimin e situatave të emergjencave civile, ku 200 qytetarë në situatë rruge gjetën një strehë të ngrohtë dhe ushqim pranë qendrave sociale të bashkisë, Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve që të ndihmojnë këdo që është në vështirësi.

Paralelisht me përgatitjet për situatat emergjente që mund të krijohen si pasojë e reshjeve të shiut apo temperaturave të ulëta, Bashkia e Tiranës ka nisur punën edhe për parandalimin e përmbytjeve në zonat pranë lumenjve.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se ndërmarrjet janë duke pastruar nga inertet kanalet dhe lumenjtë, ndërsa paralajmëroi vijimin e aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje që janë ndërtuar mbi kolektorë.

Veliaj shprehu besimin se nën shembullin e Bashkisë së Tiranës, shumë njësi të tjera në bashkëpunim edhe me bizneset, do të ngrenë rezervat e tyre, duke krijuar një fond të posaçëm për përballimin e situatave të vështira që mund të vijnë.

Magazina e Emergjencave të Tiranës do të shërbejë si rezerva e qytetit për të përballuar emergjenca të tjera në të ardhmen, por edhe si një vend ku mund të ruhen donacionet e shumta që ofrojnë shumë qytetarë apo biznese e organizata, të cilat do t’u shpërndahen më pas qytetarëve sipas nevojave. /a.y/noa.al

www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Kuriozitete

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top