Connect with us

Çmenduria e vajzës shqiptare për iPhone: Fiksimi që më zhyti në borxhe!

Kuriozitete

Çmenduria e vajzës shqiptare për iPhone: Fiksimi që më zhyti në borxhe!

Kjo është letra e një ndjekëseje të Anabel, e cila dëshiron të ruajë anonimatin, pasi thotë se e di se do të gjykohet.
Unë i kuptoj shumë mirë njerëzit që janë të fiksuar pas iPhone-it, sepse kam qenë vetë një prej tyre. Fiksimi im për telefonët Apple nisi shumë vite më parë, më kushtoi shumë rroga resht dhe me kalimin e kohës, më zhyti edhe në borxhe.
Si një fëmijë i fiksuar me teknologjinë, veçanërisht me telefonët, që kur isha 13 vjeçe nisa të kurseja për të blerë telefonin tim të parë, një Nokia 6230i, që asokohe më kushtoi 250 mijë lekë. E vogël, unë dubloja filma për fëmijë dhe ç’të merrja, e ruaja për të blerë telefonin tim.
Lexo lajmin e plotë më poshtë

 

Fiksimi për telefonët u rrit bashkë me mua dhe 4 vjet më parë, munda të shtija në duar iPhone-in tim të parë, një iPhone 4 16 GB, që e bleva të përdorur, sepse XPeria që kisha m’u fik për të mos u ndezur më. Që sa e mora në duar m’u duk krejt ndryshe nga ç’kisha patur më parë: kaq praktik, kaq i bukur, kaq elegant, kaq i fismë.

Fillova të lexoja dhe të shikoja gjithçka që kishte lidhje me iPhone-in dhe me Apple-in, Steve Jobs-in; i di përmendësh fjalët e tij gjatë prezantimit të iPhone-it të parë fare në janar te 2007-ës.

“Një iPod, një telefon dhe një telefon… e kuptoni? Nuk janë tre pajisje më vete. Është një pajisje e vetme, që ne po i vëmë emrin iPhone.”
Mirëpo, nuk m’u desh shumë kohë që të kuptoja se të tjerët kishin blerë tashmë iPhone 5-ën dhe 5 S-në dhe më dukej vetja e prapambetur. Kështu që vendosa të bëja atë që bëja çdo vit që kur isha 12 vjeç: të mblidhja para dhe të bleja një iPhone 5.

Por këtë herë ishte shumë më e fortë se unë; nuk po gjeja durim të prisja edhe ca muaj të tjerë për të mbledhur paratë. Kisha hyrë tashmë në vorbullën e njerëzve të fiksuar pas telefonëve, pas iPhone-it në veçanti, por s’e kuptoja. Një ditë, thjesht hyra në një dyqan dhe lashë rrogën për të blerë iPhone-in e ri.

Pak muaj më vonë bleva 5 S-në, duke e ndërruar me atë që kisha e duke i shtuar të tjera, por disa muaj pas tij m’u fiksua iPhone 6 S-ja, që sapo kishte dalë.
Doja ta bleja patjetër të ri, kështu që vendosa t’u kërkoja ndihmë njerëzve që njihja. Dy kushërinjtë e mi më ndihmuan, vetëm sepse s’u shpjegova për çfarë më duheshin. Po t’u kisha thënë, s’do të m’i kishin dhënë kurrë. Thjesht s’isha e aftë ta përmbaja veten para iPhone-it të ri dhe e bleva me para në dorë, pasi kisha lënë gjysmën e rrogave të kushërinjve dhe gjithë rrogën time.

Sigurisht, nuk kishte ndonjë ndryshim shumë të madh me iPhone-t e mëparshëm, përveç blicit në kameran e përparme e vogëlsira të tilla. Por adrenalina që ndieja kur blija një iPhone të ri ishte e paparë. Nuk di ta shpjegoj, gati-gati më dridheshin duart.

Ndërkohë kisha hyrë në borxhe gjithandej se mirë iPhone-i që ia dhashë të gjitha atij, por më pas më duheshin lekë për të ngrënë e për të jetuar. Unë nuk vij nga ndonjë familje e pasur, dhe s’kisha si t’ua shpjegoja prindërve. Si t’ua justifikoja fiksimin tim për telefonë të rinj, kur s’ia falja dot as vetes? Ata hapnin sytë sa herë shkoja me një telefon të ri, por unë sajohesha duke u thënë se m’i jepnin tek puna.

Tek puna që, meqë ra fjala, duke ndenjur me orë në Instagram dhe Snapchat, i bëra naftën. Kam qenë gjithmonë njeri i shpërnqëndruar dhe fiksimi për telefonët ma bënte akoma më të rëndë këtë problem. Çdo 5 minuta dilja të pija cigare që të shikoja ç’bëhej në rrjetet sociale. Kjo sigurisht, s’mund të kalonte pa u vënë re nga shefat, që më tërhoqën disa vërejtje, derisa një ditë më thirrën për të më pushuar nga puna. S’u vë faj: edhe unë këtë do të kisha bërë me veten.

Një muaj më vonë, Tim Cook prezantoi modelin e ri të Apple-it, iPhone 7-ën. E ndoqa gjithë prezantimin me lot ndër sy. Kisha rënë në gjendje depresioni. Kisha rreth 1 milion lek borxh, kushërinjve s’ua kisha kthyer akoma dhe ata kishin ca kohë që as nuk më merrnin më në telefon. Edhe prindërit e mi e kishin marrë vesh, po unë sigurisht, s’e pranoja se i kisha çuar të gjitha për iPhone.

Aty e kuptova se kisha rënë keqas në një rreth vicioz, në një varësi të fortë sa droga, që po më shkatërronte jetën. Asnjëherë s’ma kishte marrë mendja se do të arrija deri në këtë pikë. E kaloja tërë ditën duke ngrënë, bridhja vetëm nëpër Instagram dhe shtova 10 kg të mira.

M’u deshën tre muaj sherre, të qara dhe kotësi që të merrja vendimin të dilja nga kjo gjendje. Asgjë s’ishte më e rëndësishme se mirëqenia ime, ndaj duhet të bëja atë që kisha për të bërë: të shisja iPhone-in dhe të laja pak nga borxhet.

Mezi dola servis më servis dhe si përfundim, mezi ia shita dikujt që më ofroi më shumë. M’u duk sikur më ndryshoi jeta, sikur s’do të isha më unë. Gjithë turp, takova kushërijtë dhe u dhashë një pjesë, aq sa kisha i ndava. E kisha blerë aq shtrenjtë dhe tani, s’vlente as sa gjysma.

Pak nga pak gjërat u përmirësuan, unë u përmirësova, dhe arrita të bëja paqe me prindërit (deri diku, se sigurisht që akoma më shikojnë si kalama dhe s’kanë faj) dhe të gjeja një punë me pagë minimale. Ka qenë shumë e vështirë e gjitha, sepse kisha humbur gjërat më të rëndësishme për një budallallëk, për diçka që sado të jetë cilësore, s’mund të vlejë sa e gjithë jeta.
Sot, një vit më vonë, lexova artikullin për iPhone X-in e ri dhe mendova t’ju shkruaj, se ndoshta, ndoshta edhe pse s’e besoj, ka edhe të tjerë që kanë patur të njëjtin fiksim si unë dhe kanë lënë qimet e kokës për të blerë një telefon të ri. Unë shpëtova, por akoma më ndjellin iPhone-it kur i shikoj në vitrinë. Varësia është gjithmonë aty, çështja është t’i buzëqeshësh djallit dhe të largohesh prej tij.

P.S: Tani ju shkruaj nga një Xiaomi, s’ka asgjë më pak nga një iPhone dhe kushton 1/3-tat e çmimit. S’kam ndërmend ta ndërroj derisa të prishet.

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Kuriozitete

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top