Connect with us

Mamaja pësoi infarkt prej tradhtisë së motrës

Kuriozitete

Mamaja pësoi infarkt prej tradhtisë së motrës

Të nderuar lexues, po e tregoj këtë histori me qëllim që të shpreh dhimbjen time që ka nëntë muaj që po më tret.

Jam tridhjetë e dy vjeç, lindur e rritur në Tiranë. Prindërit nuk i kam nga Tirana, por kanë ardhur që të dyja familjet e gjyshërve kur prindërit e mi kanë qenë fëmijë.

Nuk po e tregoj se nga jam sepse më duket sikur do të fyej gjithë zonën prej nga erdhën gjyshërit, kur në fakt, pjesa tjetër e njerëzve s’i kanë faj motrës sime.

Jam djalë i vetëm me tri motra. Prindërit kanë punuar gjithë jetën punëtorë. Babai vdiq sapo doli në pension dhe për mamanë time ishte shumë e vështirë, por me ne të katërt pranë, e kaloi.

Babai ka punuar në një repart ushtarak gjithë jetën dhe ka qenë burrë i nderuar, edhe pse pa grada. Ndërsa ime më ka punuar në Kombinatin e Tekstileve.

Shtëpinë e kemi te Shkolla e Bashkuar. Prindërit janë njohur krejt rastësisht në një dasëm, ku mamaja kishe shoqe nusen e babai kishte dhëndrrin.

Babi im kishte qenë me krushqit dhe kur kanë marrë nusen, atij i kish rënë në sy një vajzë “krejt e vockël” që rrinte mbas nuses. Dhe vajza e vockël ishte mamaja ime.

Sigurisht që dhëndrri u bë shkuesi i tyre dhe i prezantoi me njëri-tjetrin e me familjet. Mamaja ime e kujtonte me shumë nostalgji takimin e parë më babain. “Mu duk sikur një re e madhe erdhi sipër meje e më zuri diellin”, thoshte ajo për të treguar që ajo ishte shumë e shkurtër e im atë i gjatë.

– Po ajo reja të pëlqeu ama t’i rrish në hije, – e ngacmonim ne fëmijët.

– Epo, po më detyroni ta nis historinë nga fillimi – thoshte e ia niste: – “Dua të takojmë një gjysëm kushëri dhe shok të ngushtë të F.-së”, më tha Nexhi një muaj pas dasmës së saj.

“E ç’është ky nxitim Nexhi, apo të lezetoi martesa për vete e do të martosh gjithë shoqërinë?”, i thashë shoqes sime.

“Epo, kur djali është i mirë, pse mos të të martoj edhe ty? Vetëm unë t’u bëj shërbim njerëzve të burrit e burrit në veçanti?”, u përgjigj Nexhi dhe pesë hapa më tutje më prisnin burri i Nexhit me kushëririn e tij, babain tuaj.

Gjithë lumturia që takova shoqen më ngriu në vend kur pashë F.-në me një djalë të gjatë. Ai djali i gjatë ma trazoi mendjen menjëherë me atë sytë e tij gri në bojëqielli, me atë zërin e tij burrëror.

E vendosa menjëherë që do pranoja”, – thoshte mamaja ime e qeshte. Ndërsa babai im drejtonte shpatullat për t’u rehatuar pas fjalëve të gruas së jetës së tij. Ky ishte në vija të përgjithshme fillimi i historisë së tyre të dashurisë.

Prindërit e mi u fejuan shumë shpejt pas takimit të tyre të parë se në atë kohë ishte e vështirë të dilje pa u marrë vesh. Ata ndenjën një vit të fejuar. Kur ata u martuan, babai thoshte: “E lashë edhe një vit të rritej pak, po ajo mbeti po aq e vogël sa ç’e pashë në dasmën e Nexhit.

Ma lanë mua detyrën që ta rrisja”, e ata qeshnin bashkë.

Jeta e tyre martesore ka ardhur e qetë, sepse të dy ishin në punë kur u martuan, ishin rritur në qytetin më të madh të Shqipërisë dhe arritën të merrnin shtëpi në pallat dy muaj pas martese sepse xhaxhai im ishte anëtar në këshillin e lagjes. E para lindi motra ime e madhe, që është një engjëll.

Ajo pothuajse më ka rritur. Ajo ishte katalizatori më i mirë mes motrës së dytë dhe meje, që ishim pothuajse moshatarë. Mamaja ime, pas lindjes së motrës, ka kaluar një sëmundje goxha të rëndë dhe për gati një vit, edhe mjekët i kishin hequr shpresat për të.

Por, falë Zotit, ajo jo vetëm që u bë më mirë, por na lindi motrën e dytë, mua dhe motrën tjetër pas meje, si dhe na ka rritur me shumë dashuri e përkushtim. Babai im, si më i gjati i shtëpisë, thoshte “jam shërbëtori i të shkurtërve”.

– Po si s’më ngjanë mua fëmijët të gjatë, por të gjithë i ngjanë nënës së tyre, – e qeshte ndërsa ngacmonte mamanë.

– Po ti prit sa të rriten more, pastaj shih e shkruaj se kujt i kanë ngjarë!

E kështu, mes humorit të babait e përkushtimit maksimal të mamasë, ne u rritëm si më të mirët. Që të katërt i ngjamë babait të gjatë.

Motra e madhe ka qenë basketbolliste deri kur u martua, motra e dytë është marrë me volejboll edhe ajo, derisa u martua. Unë, si gjithë djemtë, kam pëlqyer futbollin.

Të dy dhëndurët e parë janë të gjatë e të dhënë pas futbollit dhe mendoj se ata ma kanë injektuar dashurinë për futbollin. Vetëm motra e vogël nuk u mor me sport, po ajo me sa dukej pëlqente “sporte” të tjera…

Motra e madhe u martua me shkuesi dhe pati fat. Motra e dytë e njohu vetë burrin e saj, por patën një fatkeqësi që mos i rëntë askujt. Djali i tyre u sëmur kur ishte shtatë vjeç dhe vdiq.

Edhe pse djali ka vite që u ka vdekur dhe ata sot kanë tre fëmijë të tjerë, sërish një herë në muaj shkojnë në varreza që të ujitin lulet dhe pishën që kanë mbjellë pranë varrit të gëzimit të tyre të parë.

Unë, përveç dashurisë për futbollin, trashëgova edhe pasionin e gjyshit për të riparuar elektroshtëpiaket. Sot punoj si teknik, por akoma nuk e kam gjetur gruan e jetës sime. Motra e vogël u dashurua kur ishte në shkollë të mesme dhe u martua sapo mbaroi gjimnazin.

Arsyen e martesës me aq vrap e morëm vesh më vonë, kur barku i motrës nuk fshihej dot më. Ajo lindi një djalë të shëndetshëm e ndryshe nga nipat e mbesat e tjera, ishte i bardhë dhe i mbante sytë hapur qysh kur doli nga materniteti.

Është kopja e të atit. Kur djali mbushi tre vjeç, motra lindi vajzën. Kur vajza mbushi tre vjeçe, motra e çoi vajzën në kopësht e filloi punë në një firmë ku i shoqi njihte një nga pronarët.

Sigurisht, e filloi punën me shumë dëshirë sepse nuk kishte punuar asnjëherë, pastaj izolimi vetëm me punët e shtëpisë dhe me rritjen e fëmijëve e kishte lodhur, pavarësisht sesa e lumtur ishte me bashkëshortin.

E filloi punën si magaziniere dhe nuk kishte ndonjë gjë të madhe për të llogaritur. Thjesht, duhej të regjistronte me shumë saktësi se çfarë hynte e dilte nga kompania. Punës ia mori dorën shumë shpejt dhe të gjithë u lumturuam për të. Në fillim në punë ishte në zyrë me një grua që ishte ekonomistja e firmës dhe kur ajo doli në pension, ata morën një burrë si ekonomist. Ata ndenjën për dy vite në zyrë dhe krejt papritur motra na tha si muhabet një ditë që i kishin thënë të qëndronte në magazinë sepse kishte shumë qarkullime.

– Po kjo do të thotë që të kanë ulur në detyrë dhe rrogën! – i tha ime më.

– Jo, vetëm se atje është hapësirë shumë e madhe dhe në dimër është shumë ftohtë e në verë është vapë se s’është e mbuluar me tjegulla.

– Epo, mirë de, do bësh punën e kaq, njerëzia kanë punuar në ara, dimër-verë. Ti s’je jashtë, – i tha mamaja. Në fakt, kishte qenë pjesë e skenarit të motrës me llogaritarin. Ndenjtja vetëm në zyrë për dy vite rresht, si duket e kishte bërë që të binte në dashuri me kolegun. Dhe marrëdhënia e tyre nuk kishte mbetur vetëm në dashurinë platonike.

Ata ishin lidhur e ishin takuar me qindra herë edhe nëpër hotele, kur nuk u krijohej mundësia në zyrën e tyre. I zbulova vetë i pari nga familja.

Isha nisur të takoja një shoqen time dhe ndërsa zbrisnim të dy nga makina, dëgjova një zë të njohur. Ktheva kokën menjëherë dhe pashë time motër që qeshte në krah të kolegut të saj. I thashë shoqes sime të ulej në një tavolinë dhe iu afrova motrës.

– Përshëndetje, – i thashë dhe i dhashë dorën kolegut të saj. Ime motër u zverdh e tëra. Djersët i filluan ballit, ndërsa priste se ç’do t’i thosha. – A mund të më thuash, në punë je? E di yt shoq se ku je? – i thashë me një vetëpërmbajtje që s’e di ku e gjeta.

Nga shoku i saj nuk arrita t’i hidhja sytë sepse e dija që do të shpërtheja. Pastaj, ç’faj më kishte ai i ziu?! Fajin e kishte ime motër. Ajo e dinte që ishte e martuar. Ç’dreqin kërkonte të zgërdhihej në krah të tjetrit?!

– Jo, – tha me gjysëm zëri, – po ja, të flasim… – U përpoq të vazhdonte, por unë thjesht e kapa nga bërryli. Kolegu i saj deshi të ndërhynte, por vetëm një gjest i imi që të mos përzihej e bëri të tërhiqej. – Atëherë do vish me mua tani në shtëpi, apo si do bëjmë? Besoj se nuk ke ndërmend të vazhdosh prapë! – dhe po prisja.

– Ikim në shtëpi, – tha, – por në orën një duhet të jem në punë.

– Ou? Pse, tani nuk qenke në punë, domethënë! – ia ktheva dhe e tërhoqa drejt makinës.

Thirra shoqen time dhe i thashë që do të iknim menjëherë. Përcolla shoqen time deri afër punës së saj dhe i thashë që do të shkoja ta merrja një ditë tjetër. Pastaj u drejtova për në shtëpinë time bashkë me motrën. Derën na e hapi mamaja, që u gëzua dhe u habit njëkohësisht kur na pa të dyve bashkë në atë orë në shtëpi.

– Çfarë ka ndodhur? – tha mamaja, kur e pa që tërhoqa motrën për nga dhoma e gjumit e s’prita as të hiqte këpucët.

– Do të të sqaroj më vonë mama! Të lutem, më lër pak se duhet të sqarohem me Dinën një herë, – dhe mbylla derën. – Sa kohë ke që vazhdon me të, moj idiote? – i thashë ndërkohë që përpiqesha të mos bërtisja se mos më dëgjonin komshinjtë.

– Po, ka ca… – tha motra ndërkohë që dridhej si purteka.

– Si ka ca? Sa, ekzaktësisht ma thuaj? – i hungërita ngjitur me fytyrën.

– Po ja, ndonja një vit… – tha.

– Aha, domethënë, paska dy vjet, përderisa thua “ndonja një vit”, – dhe iu betohem që as fëmijë nuk e kam rrahur time motër, por në atë moment më vloi gjaku në majë të kokës. Nuk di sa e qëllova, por derisa ajo u rrëzua, nuk u ndala. Ndërkohë që e qëlloja, edhe i flisja me zë sa më të ulët që mundesha.

E ngrita për krahësh si të ishte një leckë dhe desha t’i flisja, por e kuptova që më ishin errur sytë dhe e lashë. – Laj sytë e të të çoj në punë, hajvane! Si mund t’ua bësh këtë fëmijëve? Mirë që për ne të tjerët s’pyet se na turpëron, po a e di që fëmijëve do t’u thonë: “ja, fëmijët e kurvës!”?

Ajo vetëm qante, rregulloi trikon e shkoi në banjo. Ime më hyri në dhomë dhe më pyeti e shokuar:

– Ka tradhtuar të shoqin?

– Jo vetëm të shoqin, mama! Na ka tradhtuar e turpëruar të gjithëve. Një herë, o burra u martua shtatzënë se s’priste dot sa të mbaronte gjimnazin e tani na del se dashka edhe burrë tjetër, se nuk i del ai që ka në shtëpi! – i thashë me një frymë.

Në atë moment pashë time më që iu nxi buza. E mbajta për krahu dhe u përpoqa t’i thosha se do ta rregulloja atë punë, por tronditja kishte bërë të sajën.

Ajo pësoi infarkt. Derisa e çova në spital me time motër, ajo ndërroi jetë me një hidhërim të tmerrshëm në shpirt. Ndoshta ishte edhe faji im se nuk duhej t’ia thosha në atë mënyrë aq të vrazhdë.

Edhe sot, nëntë muaj pas vdekjes së saj, e kam plagë në zemër se më duket sikur jam unë fajtori për vdekjen e saj.

Me time motër pothuajse nuk flas. E respektoj vetëm në sy të të tjerëve që të mos bëhemi më shumë gazi i botës, se besoj se gjysma e të njohurve tanë e dinë sjelljen e saj të turpshme.

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Kuriozitete

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top