Connect with us

RREFIME MEKATARESH Po i paguaj me jetë, ca momente kënaqësie!

Kuriozitete

RREFIME MEKATARESH Po i paguaj me jetë, ca momente kënaqësie!

Para se të filloj t’ju tregoj historinë time, dua t’ju jap një këshillë: Kurrë në jetën tuaj mos ia kini njeriu me hile ose pabesi, sepse në fund, do merrni ndëshkimin e Zotit! Këtë gjë e kam konstatuar te vetja ime.

Prindërit që të vogël m’i kishin mësuar vlerat që duhet të karakterizojnë një person që të ketë sukses në jetë, por me sa duket, ndonjëherë jeta të përplas me të papritura dhe ti zgjedh rrugën më të shkurtër që të kënaq për momentin, por që të bën të vuash për gjithë jetën.

Kisha tre vjet që punoja mësuese në qytetin tim të lindjes dhe isha fejuar që në shkollë të lartë me Artanin. Aty u njohëm, u dashuruam dhe mbas mbarimit të shkollës bëmë fejesën, mirëpo Artani nuk kishte gjetur punë në profesionin e tij, kështu që ai vendosi të emigronte në Itali. Edhe pse mua ky fakt nuk më pëlqeu, ai prapë nuk më dëgjoi.

Artani vetë ishte nga një fshat, por në qytetin ku unë banoja ai kishte një kushëririn e tij të parë, djalin e xhaxhait, të cilin e konsideronte si vëlla. Artani, sa herë që vinte tek unë, do më merrte me vete dhe do shkonim në familjen e Luanit, që është i martuar, punon në administratë në bashkinë e qytetit tonë dhe mbahet si një ekonomist shumë i zoti.

Ai ka një familje te përkryer, një grua shumë të mirë, ka edhe dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Edhe pse ishte 15 vjet më i madh se unë, Luani përsëri ishte një burrë shumë simpatik, që binte shumë në sy dhe ishte i njohur për personalitetin e tij, si dhe për mënyrën se si i zgjidhte hallet dhe problemet që shqetësonin bashkëqytetarët. Me pak fjalë, dua të them se ai mbahej në bashki si një njeri shumë i zoti për punë dhe për shoqëri.

Edhe kur ishte Artani në Shqipëri, unë shpeshherë, kur e ndeshja në rrugë Luanin, e takoja madje në disa raste kishim pirë edhe kafe sepse e konsideroja si vëllanë e Tanit. Kur i fejuari im iku në Itali, ai një ditë më priste në oborrin e shkollës dhe unë, kur e pashë, u habita, por gjithsesi mendova se do të më pyeste për Tanin dhe kështu ndodhi. Unë i zgjata dorën për ta takuar dhe ai më puthi në faqe e më tha:

– Ulemi dhe bisedojmë.

Në kafe, ai më tregoi arsyen se pse erdhi për të më takuar:

– Në këtë periudhë që nuk do të jetë Artani në Shqipëri, ti duhet të më besosh mua për çdo hall dhe problem që do të kesh. Vëllezërit për këto gjëra janë…

E falënderova dhe të gjitha ato sa ai më tha i mora në mënyrë të sinqertë, madje i dhashë edhe numrin e telefonit, pasi ai më tha se gruaja e tij mund të më ftonte për drekë ndonjë ditë. Kishte kaluar një muaj mbasi kishim folur në kafe bashkë, kur një ditë më ra telefoni dhe pashë numrin e Luanit. Iu përgjigja dhe ai më tha:

– Kur të mbarosh mësimin, eja nga zyra, pasi kam për të të thënë diçka me rëndësi për ty.

Ashtu bëra, trokita në derë dhe pashë Luanin, i cili ishte me një kolege. Ai m’u afrua dhe më puthi në faqe. Pasi iku kolegia, më tha:
– Më ke thënë se mamanë e ke pa punë për momentin. Është liruar një vend në postën e qytetit dhe unë drejtorin e kam shok. Si thua sikur t’i them ndonjë falë për nënën tënde?

E gjitha kjo më ra si bombë, pasi mendoja: “Si ka mundësi që ky po mendon për nënën time?”. E pyeta se përse e bënte gjithë këtë për mua. Ai më buzëqeshi dhe shkurtimisht, më tha:

– E bëj për Tanin se e kam vëlla, jo për ty.
Nuk dija çfarë të mendoja. Doja të kuptoja nga ndonjë shenjë e tij nëse ai po mundohej të përfitonte nga unë, por jo, ai sillej në mënyrë shumë korrekte, madje asnjëherë nuk i kishin dalë fjalë si një njeri me moral të ulët. E falënderova për interesin që po tregonte ndaj nënës sime dhe u largova për në shtëpi.

Gjithë këtë histori ia tregova Tanit, por Luani ia kish treguar më parë dhe Tani tha se ia kishte kërkuar ai këtë nder. Fjalët e tij sikur më qetësuan dhe mendova se gaboja që dyshoja sikur Luani donte të përfitonte nga unë, tani që Artani ishte jashtë vendit.

Kishin kaluar vetëm dy javë nga takimi i fundit dhe Luani më mori në telefon dhe më tha:
– Muhabeti që diskutuam, përfundoi!

Unë u gëzova dhe, pa e fikur telefonin, i thashë mamit se tani mund të shkonte përsëri në punë, por ai më ndërpreu duke më thënë:
– Të takon të na e blesh një shishe verë dhe ta festojmë në shtëpinë tonë, se sot është edhe e diel, kam edhe gruan këtu që mund të na gatuajë diçka…

Unë, pa e mbaruar mirë fjalën ai, e pranova propozimin. Menjëherë u vesha, shkova të blija një shishe verë dhe trokita në shtëpinë e tyre. Derën e hapi Luani dhe unë ndjeva aromën e gatimit të mishit. Mendova se me siguri, gruaja e tij e kishte bërë gati drekën.

U ula në një nga kolltukët dhe po prisja të dilnin fëmijët dhe gruaja e tij, por e pyeta Luanin ku ishin dhe ai m’u përgjigj:

– Ah, po, harrova të ta thoja se sa e mori e ëma në telefon, ngaqë kish babanë të sëmurë, por ti mos u bëj merak, se ajo do të vijë tani…

Fjalët e tij sikur më qetësuan. Ai filloi të shtronte tavolinën dhe, ndërkohë, më tregonte se si e kishte mundësuar punësimin e nënës në postën e qytetit tonë. Kishte kaluar gati një orë dhe e shoqja e tij akoma nuk po vinte. Ai e shtroi tavolinën dhe hapi edhe shishen e verës duke më thënë se ajo mund të vonohej. E morëm gotën të dy dhe filluam të pinim nga pak; në tavolinë ishin edhe pjatat e fëmijëve dhe të gruas së tij. Po vija re se Luani filloi të pinte dhe po më detyronte të pija edhe unë… Në një moment, ai më kapi nga dora dhe më tha:

– Të betohem për kokë të fëmijëve se që në momentin e parë që të kam parë, nuk më je hequr nga mendja…

Unë, e revoltuar, u ngrita në këmbë dhe m’u mbushën sytë me lot. Po mendoja se si munda të bija në grackën e këtij njeriu, që e paskësh bërë gjithçka vetëm për të përfituar nga unë. Iu afrova derës, por ajo ishte e kyçur. Me lot në sy, i thashë:
– Të lutem, mos ia bëj këtë Artanit, ai është vëllai yt…

Me paturpësinë më të madhe, ai më tha: – Tani është tepër vonë, nuk mund ta kthej kohën mbrapa
!
Nuk e di se çfarë e kishte fajin, ajo pak verë që kisha pirë, fjalët e tij që më dukeshin si magjike, apo malli që më kishte mbërthyer për Artanin, apo të gjitha këto bashkë, ama unë rashë si një pupël në krahët e tij.

Mbas asaj puthjeje të zjarrtë që i dhamë njëri–tjetrit, ishte tepër vonë për t’u kthyer mbrapa. Luani i kishte përgatitur gjërat në atë mënyrë që ne të ishim bashkë gjithë ditën. Ajo ditë ishte e paharrueshme për mua, jo vetëm se kalova momente të këndshme me Luanin, por edhe sepse e gjitha kjo la gjurmë në ndërgjegjen time. Shumë gjëra ndryshuan për mua. Me Luanin nuk u takova për shumë kohë, por më brente ndërgjegjja, mendoja Artanin dhe pyesja veten se si munda t’ia bëja këtë gjë njeriut që doja më shumë.

Kulmin e gjithë kjo histori e arriti kur mora vesh se kisha mbetur shtatzënë. Pa menduar fare për pasojat që mund të kisha, lashë takim me gjinekologun tim për ta hequr fëmijën. Luani as sot e kësaj dite nuk e ka marrë vesh se atë ditë, unë ngela shtatzënë.

Mbas një viti, Artani u kthye në Shqipëri dhe ne u martuam. Kishim gati dy vjet martesë dhe unë akoma nuk po ngelesha shtatzënë, gjë që po më trembte shumë. Artani e kishte më shumë problem këtë fakt. Edhe prindërit e tij, po ashtu. Ata nuk kishte ditë që të mos më thonin:
– Kur do të na e bësh djalin, moj nuse?!

Vendosem që unë të bëja një kontroll dhe në klinikë, gjinekologu më pyeti:

– Mos ke bërë abort më parë?

Aty në këmbë ishte edhe Artani dhe unë u bëra flakë e kuqe. Më pas, doktori deshi të fliste vetëm me mua. Në atë bisedë, ai më tha:
– Problemi që ke ti, ndodh vetëm kur bën pastrimin, pas një aborti dhe me keqardhje po të them se do ta kesh shumë të vështirë për të mbetur përsëri shtatzënë…

Ai filloi të më fliste me gjuhë mjekësore, duke përmendur detaje dhe shifra që ndodhnin edhe në shumë raste të tjera, por nga të gjitha këto, unë nuk mbaj mend asgjë. Ajo që mendoja ishte se si do t’ia thoja Artanit, i cili mezi priste që ne të kishim fëmijën tonë. Fillova të qaja dhe doktori mundohej të më qetësonte, duke më thënë:

– Ndoshta Zoti do të bëjë ndonjë mrekulli me ty!

Mbas asaj vizite kam bërë shumë të tjera, edhe në Itali, por akoma nuk kam pasur rezultat. Tashmë, kam dhjetë vjet martuar me Artanin dhe më duket sikur ai, nga dita në ditë, do të më thotë: “Stop, deri këtu zgjati martesa jonë”.

Kjo është një torturë që po e vuaj përditë e më shumë. E kuptoj edhe vetë se martesa me njeriun e zemrës mori fund. Disa momente kënaqësie, po i paguaj për gjithë jetën time…

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Kuriozitete

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top