Connect with us

SHBA përgatit mbylljen përfundimtare të Lotarisë Amerikane

Kuriozitete

SHBA përgatit mbylljen përfundimtare të Lotarisë Amerikane

SHBA përgatit mbylljen përfundimtare të Lotarisë Amerikane

Pas sulmit të Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti Donald Trump shpërtheu me kritika për Lotarinë Amerikane të cilës i veshi fajin e hyrjes së agresorit në SHBA, disa vjet më parë.

29-vjeçari Sejfulla Saipov mbërriti në Amerikë në 2007-ën përmes këtij sistemi pohoi departamenti i sigurisë kombëtare.

I riu kishte paraqitur një pasaportë me një vizë të vlefshme diversiteti e gjatë kësaj kohe ka qenë i pajisur me Green Card. Por “The Time” nuk bindet nga jo deklaratë e thotë se hyrja e Saipov në SHBA, duhet verifikuar akoma.

Përpos kësaj, nisur nga shuplakat online që Trump i lëshoi kreut të demokratëve në Senat Chuck Schumer, të cilit i atribuoi ekzistencën e programit të Departamentit të Shtetit për lotarinë amerikane, e përjavshmja prestigjioze i kujton shefit të shtëpisë së bardhë se viza e diversitetit ishte vërtetë ide e Schumer, por ajo u krijua nga kongresi në 1990-ën dhe ishte një përpjekje bipartizane.

Senati e miratoi asokohe me 89 vota pro, e 8 kundër. 38 republikanë ia dhanë nismës dritën jeshile, përfshirë senatorët aktuale Chuck Grassley, Orrin Hatch dhe Mitch McConnell. Drafti u shndërrua në ligj me firmën e presidentit republikan George H.W. Bush. Time tregon gjithashtu se ka shumë pak prova që të lënë të kuptohet se programi ka çuar drejt terrorizmit.

Vetëm një rast i largët u regjistrua në 2002-shin kur emigrant egjiptian Hesham Mohamed Ali Hayet, e shoqja e të cilit kishte mbërritur në Shtetet e Bashkuara me lotarinë amerikane, qëlloi dhe vrau dy persona ne aeroportin e Los Angeles-it.

Dy vjet më vonë, Inspektorati i Përgjithshëm i Departamentit të Shtetit njoftoi se programi “kishte elemente cënueshmerie të sigurisë kombëtare sepse nëpërmjet tij oficerë jomiqësore të inteligjencës, kriminelë apo terroriste mund të tentonin hyrjen në SHBA si rezidentë të përhershëm”.

Por në vitin 2007, zyra qeveritare e auditimit dhe shërbimeve investigative e rishikoi nga themelet lotarinë amerikane dhe nuk gjeti asnjë prove se emigrantët përfitues të saj mund të përbënin një kërcënim terrorist. I vetmi shqetësim i ngritur prej zyrës në fjalë, ishte ai i mashtrimit.

Sulmi në Nju Jork, i dyshuari erdhi në SHBA me lotarinë amerikane

Sejfulla Saipov, njeriu i akuzuar për vrasjen e 8 personave në Nju Jork pasi hyri me kamion në një korsi biçikletash, kishte mbërritur në Shtetet e Bashkuara përmes lotarisë amerikane. Sipas autoriteteve, shtetasi uzbekistanas kishte hyrë ligjërisht në tokën amerikane në mars të vitit 2010.

Burime të sigurisë thanë se, ai e kishte planifikuar sulmin prej disa javësh nën frymëzimin e ISIS-it. Zëvendës-komisari i Nju Jorkut, John Miller pohoi se vrasësi kishte ndjekur udhëzimet e Shtetit Islamik, të disponueshme në internet, sesi të realizonte një sulm.

“Bazuar në hetimet e zhvilluara gjatë natës, duket se Saipov e kishte planifikuar sulmin prej disa javësh. Ai e bëri këtë në emër të Shtetit Islamik dhe bashkë me gjërat e tjera që u gjetën në vendin e ngjarjes ishin edhe disa shënime që e sugjerojnë këtë”, tha John Miller, zv.komisar i Nju Jorkut.

Në një prej shënimeve thuhet se “Shteti Islamik” do të rezistojë përgjithmonë. Të mërkurën, policia bastisi banesën e Saipov në Paterson të Nju Xhersit. 29-vjeçari u plagos nga efektivët pasi kreu sulmin në Manhattan, e tashmë gjendet në spital.

I marrë në pyteje nga hetuesit në spitalin ku gjendet i shtruar, pasi u plagos nga policia, 29 vjeçari u shpreh krenar për sulmin dhe i gatshëm për të vrarë sërish.

Autoritetet konfirmuar gjetjen e disa shënimeve në gjuhën arabe, ndër të cilat edhe një ku shkruhej ‘Shteti Islamik do të jetojë përgjithmonë”. Një tjetër detaj që del në dritë nga hetimet dhe që pasqyrohet në mediat amerikane, është se burri nuk ishte i panjohur për forcat e rendit.

Në 2015-ën ai u mor në pyetje nga FBI-ja mbi lidhje të mundshme me terroristë të dyshuar. Ndaj emigrantit uzbek u ngritën akuza për vrasjen e 8 personave dhe sigurimin e materialeve mbështetëse e burimeve për ISIS.

A mundet Trump ta mbyllë lotarinë?

Ëndrra amerikane nëpërmjet lotarisë mund të marrë fund për qindra mijëra shqiptarë, pasi Donald Trump bëri sot thirrje për mbylljen e saj të menjëhershme. Presidenti amerikan tha se do t’i kërkojë Kongresit t’i japë fund këtij programi, të cilin e quajti çmenduri.

Reagimi erdhi pasi u zbulua se sulmuesi i Nju Jorkut kishte shkuar në vitin 2010 në Shtetet e Bashkuara i përzgjedhur nga lotaria amerikane. Por, përtej retorikës, sa reale mund të jetë mundësia e anulimit të lotarisë amerikane? Në lidhje të drejtpërdrejtë nga Uashingtoni, për këtë çështje foli në edicionin qendror të lajmeve në Top Channel kolegia e “Zërit të Amerikës”, Kejda Kostreci.

TCH: Kejda si kanë qenë reagimet në Uashington fillimisht pas kësaj deklarate?

VOA, Kejda Kostreci: Reagimet kanë qenë kryesisht në arenën politike dhe kanë pasur më shumë lidhje me faktin që çfarë simbolizon apo përfaqëson lotaria amerikane. E sidomos për shkak të sulmeve që presidenti Trump ka ndërmarrë në Twitter kundër kreut të demokratëve në Senat, Chuck Schumer, i cili reagoi duke thënë se çështja e këtij personi nga Uzbekistani që kreu sulmin nuk duhet të politizohet. Reagimet kanë qenë politike deri tani dhe nga publiku nuk pritet të ketë ndonjë reagim, sepse në fakt nuk janë të shumtë ata që e dinë se ekziston ky program. Unë e di sesa popullor është në Shqipëri, edhe unë vet kam përfituar nga ky program, por në SHBA, sa herë që ka rënë fjala për programin e diversitetit, pothuajse askush nuk e ka të qartë se çfarë është.

TCH: Presidenti Trump bëri thirrje, shprehu vullnet, por sa realisht e ka ai në dorë të anulojë lotarinë amerikane?

VOA, Kejda Kostreci: Nuk mund të thuhet që ai ka në dorë ta anulojë. Presidenti nuk mund ta bëjë këtë me urdhër ekzekutiv, siç mund të bënte për një vendim të caktuar të një presidenti të mëparshëm. Kjo është një çështje që do të diskutohet dhe do të zgjidhet nga Kongresi, e për këtë arsye presidenti i ka bërë thirrje Kongresit amerikan. Në fakt ka pasur një nismë të tillë në vitin 2013 dhe është miratuar nga Senati për kalimin nga lotaria te një sistem i bazuar te meritat e emigrantëve, por një projektligj i tillë nuk kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve dhe afati skadoi për një gjë të tillë. Presidenti vet nuk e ndërmerr dot këtë hap pa u shqyrtuar në Kongres, ndërsa ne ende nuk e dimë se çfarë do të bëjë Kongresi, a do të ndërmarrë masa për një nismë ose propozim të tillë të presidentit Trump.

TCH: Nëse një proces i tillë politikisht arrihet, pra ka konsensus mes presidentit dhe Kongresit, sa mund të zgjasë një proces i tillë?

VOA, Kejda Kostreci: Mund të mendohet se procesi do të jetë i gjatë, sepse ka disa pjesë të axhendës së presidentit që janë ndërkohë të rëndësishme për Trumpin, siç mund të jetë ajo e taksave, vitin tjetër ka zgjedhje të Kongresit në mes të mandatit. Pra duke pasur parasysh sesa e ngjeshur është axhenda, kjo nuk pritet të ndodhë së shpejti. Një konsideratë tjetër është nëse do të jetë kjo pjesë e reformës për emigracionin, që kërkon presidenti Trump të arrijë? Apo do të jetë një pjesë e veçuar? Këto janë konsiderata që duhen parë si do të shkojnë, por të paktën nga ajo që shohim tani nga axhendat e presidentit dhe Kongresit, vështirë se mund të realizohet , aq më tepër që edhe vullneti politik nuk ekziston tashmë mes presidentit dhe demokratëve në Kongres siç mund të ketë qenë në vitin 2013. Atëherë, vet zoti Schumer ishte pjesë e një grupi dypartiak për të ndryshuar këtë ligj.

www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Kuriozitete

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top