Kuriozitete
Presidenti i PPE-së: Hoti kryeministër do ta çrrënjosë korrupsionin
Presidenti i Partive Popullore Evropiane (PPE), Joseph Daul, në përfundim të vizitës së tij dyditore në Kosovë, ka thënë se ka besim te rinia kosovare dhe te kandidati i koalicionit LDK-AKR për kryeministër, Avdullah Hoti, i cili, sipas tij, ka vlera evropiane për ta zhvilluar Kosovën dhe për ta çrrënjosur korrupsionin.
“Kam shumë besim se kandidati për kryeministër z. Hoti së bashku me LDK-në do ta çojë Kosovën përpara. Ai ka kapacitet për të garantuar një sistem të drejtësisë të pavarur, për t’i dhënë fund korrupsionit, për të punuar për një shtet të së drejtës, sepse vendi ka nevojë për t’i tërhequr investimet, për të hapur vende pune dhe për të zhvilluar ekonominë”, ka thënë Daul, njofton LDK-ja.
“Kosova ka nevojë për këto gjenerata të reja dhe unë kam besim tek ata. I takova të rinjtë dhe gratë e LDK-së, ku pashë se janë në gjendje ta çojnë Kosovën përpara. Këtë e pashë edhe në takimet me OJQ-të dhe shoqërinë civile”, ka thënë Presidenti i PPE-së.
“Në fund po e shfrytëzoj rastin që LDK-së dhe Hotit t’i uroj një fitore të madhe, sepse Kosova ka nevojë për një qeverisje të orientuar kah Evropa, me njerëz me përvojë dhe që i vënë në praktikë vlerat e PPE-së”, citon komunikata.
Nga ana tjetër, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, e ka falënderuar mysafirin për praninë e tij në fushatën e LDK-së.
“Ardhja e presidentit të PPE ka qenë e planifikuar më parë, por tani ndodhën edhe zhvillimet reja dhe ne e shfrytëzuam ardhjen e tij për të marrë pjesë në tubimet tona. Patëm një takim me Kryesinë e LDK-së me Presidentin Daul, pastaj një vizitë në Gjilan, një bashkëbisedim me Forumin e Gruas dhe Forumin e Rinisë, sot edhe me disa nga kandidatët që janë të propozuar për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Mustafa, i cili ka shtuar se bashkëpunimi me PPE-në është shumë i rëndësishëm për Kosovën.
“Ne me PPE kemi një bashkëpunim të ngushtë, sepse si LDK jemi anëtar i familjes së partive popullore evropiane që tani përfshin 75 parti të qendrës së djathtë. Për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën kemi gjetur mirëkuptim te Presidenti i PPE-së dhe unë dua ta falënderoj publikisht për bashkëpunimin që e kemi”, ka theksuar Mustafa.
Vizitën e Presidentit Daul e ka vlerësuar lart edhe i nominuari për kryeministër, Avdullah Hoti.
“Presidenti Daul i ka dhënë një momentum të ri fushatës së LDK-së dhe gjithë koalicioni tonë”, është shprehur Hoti, duke treguar se bashkëpunimi ndërmjet PPE-së dhe LDK-së ka qenë edhe më herët i ngushtë.
“Kam pasur kënaqësinë ta takoj edhe në Bruksel, ku kemi shkëmbyer mesazhe shumë të këndshme, kemi biseduar për vizionin tonë, për programin që e paraqesim para qytetarëve dhe unë pres me padurim që nga 12 qershori të fillojmë të punojmë në implementimin e këtij programi në bashkëpunim të ngushtë me PPE. I garantojmë Presidentit Daul që do të jemi partner i ngushtë i vlerave evropiane në Kosovë”, është shprehur Hoti.