Video
Flet prokurori që futi në burg Nanon: Ju tregoj ku po gabojnë me Tahirin, s’veprohet kështu
Flet prokurori që futi në burg Nanon: Ju tregoj ku po gabojnë me Tahirin, s'veprohet kështuA. Shehaj
Lajme
Çështja Tahiri dhe kërkesa e prokurorisë për arrestimin e tij ka shkaktuar shumë debate si në media, mes partive politike, por edhe në Komisionin e Mandateve dhe Imunitetit.
Disa mendojnë se Tahiri duhet arrestuar në mënyrë urgjente, por ka edhe të tjerë që nuk janë të bindur mbi fajësinë e tij. Për këtë çështje ka dhënë mendimin e tij një nga prokurorët me eksperiencë të ngjashme dhe të gjatë në organin e akuzës.
Është prokurori Fatos Dervishi, ai që ka arrestuar Fatos Nanon si dhe ka hetuar shumë zyrtarë të tjerë të lartë pas viteve '90.
Në një intervistë për gazetën "Sot", Dervishi ka treguar se si duhet vepruar, bazuar në eksperiencën e tij të mëparshme, e cila ka rezultuar e suksesshme.
Ai tregon edhe disa detaje, në dukje të vogla, por që i kanë ulur pikë prokurorëve të çështjes "Tahiri".
Bëhet fjalë për detajet me të cilat prokurorët po kryejnë gabime. Mes tyre është edhe kërkesa e nxituar për arrestimin e ish-ministrit, pa kryer ende hetime të thelluara dhe pa patur prova konkrete.
Sipas Dervishit, gjëja e parë që duhej të kishte bërë organi i akuzës, është të kishte kërkuar një komision të përbashkët me autoritetet italiane, për të siguruar të dhëna dhe dëshmi të plota për këtë rast.
Referuar eksperiencës së tij, ai tha:
Unë urgjentisht do t’i kisha kërkuar Prokurorisë Kombëtare të Antimafias në Itali që të zhvillohej pa humbur kohë një komision rogatuar midis Prokurorive respektive, ku nga ana e Prokurorisë shqiptare të dërgoheshin pyetjet e detajuara për të gjithë të arrestuarit dhe të gjithë personave që kanë dijeni për veprimtarinë kriminale të këtij grupi dhe në të njëjtën kohë do t’i kisha kërkuar Gjykatës së Apelit të Katanias që të më autorizonte dhe të mundësonte marrjen në pyetje dhe marrjen e të gjithë materialit hetimor të kryer dhe administruar së bashku me evidencat përkatëse, përgjimet dëshmitë, fotografitë, videot etj. Unë vetë kam kryer 4 komisione të tilla, të cilat kanë rezultuar të suksesshme"..
Një tjetër debat ka hapur dhe shkresa që prokuroria ka dërguar në Kuvend. Ajo është vetëm 4 faqe, ndërkohë që janë paraqitur dhe disa prova të tjera, por asnjë provë e drejtpërdrejtë kundër ish-ministrit. Për zotin Dervishi, prokuroria duhej t’i kishte kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit për të hapur më tej hetimet.
Sipas Dervishit:
Shkresa që prokuroria ka dërguar në Kuvend ishte e nxituar. Nuk duhej që t’i kërkonte Kuvendit autorizim për arrestim. Kuvendit duhej t’i kërkohej të heqë imunitetin dhe të hapë rrugë për hetime të mëtejshme. Nxitimi tjetër është që prokurorët vajtën shumë shpejt në Kuvend. Më datë 17 regjistruan procedimin penal dhe menjëherë i bënë kërkesë Kuvendit. Kur shumë mirë mund të prisnin të siguronin të gjitha provat e nevojshme. Kërkesa në Kuvend duhej të kishte prova bindëse".
Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve pati debat dhe mbi deklaratat e prokurove, të cilët thanë se hetimet nisën pas shkrimeve në gazeta.
Për Dervishin, mund të nisen hetime të tilla, por gjithmonë duhet të hetohet për të siguruar prova të tjera.
Prokurori që arrestoi Fatos Nanon, lidhur me këto të dhëna në media, tha:
Në çdo vend të botës nisin hetime mbi bazë të artikujve në media. Kjo nuk ka asgjë të keqe. Por ajo duhet të jetë indicie, pastaj ti si prokuror duhet të hetosh dhe të sigurosh provat e nevojshme. Prokuroria shumë lehtë duhej të priste të vinte dosja nga Italia, ta përkthente dhe të paraqiste të gjithë elementët që implikojnë ish-ministrin".
Aktualisht prokuroria është në pritje të përgjigjeve nga Italia, për të sjellë të tjera prova mbi bandën e Habilajve dhe ish-ministrin Tahiri.
JOQ.al