Video
Lamtumirë e dashura Adelë! Theve tabu por nuk të vlerësuan kurrë
Lamtumirë e dashura Adelë! Theve tabu por nuk të vlerësuan kurrëS. Bardhi
Vec-e-jona
Ndjej një mal me fjalë sipër gjoksit për këtë vajzë që iku kështu papritur dhe kaq parakohe.
Adelë e dashur, e dashur për shumë vajza shqiptare për gjithçka që simbolizoje – na ke lënë të gjithëve pa fjalë dhe aq më tepër që nuk dimë si t’i shprehim. Nuk të njoha nga afër por përmes ekranit, para shumë vitesh të ndiqja me shumë kujdes në Big Brother. Njëra nga arsyet ishte se kisha shumë mall për vendlindjen time dhe doja të përmirësoja shqipen.
Ishte hera e parë për mua që shikoja televizion shqiptar, aq më tepër një reality show, por qëlloi të ishte mënyra më e lehtë dhe e shpejtë për të mësuar shqipen e përditshme. Në atë program ti më godite menjëherë: Një vajzë shumë e bukur por dhe shumë e kufizuar dhe e shtrydhur nga normat dhe opinionet e skaduara të provincave.
Një vajzë me vizion dhe largpamësi për një jetë dhe botë më të mirë dhe më të madhe. Ajo vajza e cila pati guxim të rrëfej të vërtetën e jetës së saj, çka ishte e vërteta e shumë vajzave shqiptare: Jeta e gruas shqiptare në rrethana provinciale, e ngujuar dhe e paralizuar për të luftuar vetë për ëndrrat e saja.
Jeta e paragjykimeve, fejesave të padëshiruara, përgojimeve, thashethemeve dhe dhunës. Ti ishe bukuroshja e dërguar në emër të shumë bukuroshëve të tjera për t’u hapur sytë Tiranës mbi realitetin e trishtë të pjesës dërrmuese të gruas shqiptare teksa Tirana qëndrore shikonte vetëm xhiro, spektakël, dëfrim, mirëqënie, modernizëm, art, qejf, liri.
Por ja Kavaja ishte vend i mbetur në kohë me norma të panevojshme, por pse xhanëm të paragjykuan dhe nuk të pranuan as “qytetarët” e metropolit? Të gjykuan të gjithë (me pak përjashtime)! Madje këtyre të metropolit shqiptar – që e mbajnë veten për mëndje hapur, pro-gruas, pro-emancipimit dhe me norma perëndimore – nuk u falet fare sepse të paktën kishin njefar njohurie dhe diturie.
Atyre në Kavajë dhe u falet sepse aq dinin dhe nuk pretendonin të ishin ndryshe, por kur pash që paragjykimet nuk të ndaluan në Kavajë por të ndoqën dhe në Tiranë, jam ndjerë vërtet shumë keq për vendin tim. Paragjykime, gjykime e përbuzje nga elita e Tiranës që në vend të të mbronin në gjirin e tyre, tentuan të të shkelin aq më tepër.
Madje për mua u bënë të urryeshëm fare pasi pash një skenë në një spektakël vallëzimi tek E Diell dhe sesi të trajtuan si një qënie posht tyre; Ku zonja koreografe në vend që të afronte e të të falte mirësi e dashamirësi, zgjodhi të tregonte hundën e saj të përpjetë dhe me këtë sjellje të pahijshme të tregonte se para saj ti ishe thjesht një provinciale.
Ahhh sa gabim për të! Po sa e pavetëdijshme ishte ajo zonjë (dhe sa figurë të neveritshme bëri) sepse e vetmja që u soll si provinciale pa manierizmat dhe klasin që pretendonte ishte vetë ajo. E kështu e kështu shumë raste tjera (me pak përjashtime) ku në vend që të të duartrokisnin për guximin, kurajon, vizionin dhe largpamësinë të zgjodhën si target për të treguar se sa më të “ngritur” ishin. Këta janë “zonjat” dhe “zotërinjtë” e vendit tonë i cili, si në provincë si në qytet, vazhdon me një mendësi Lindore ku parësore është klasa shoqërore e njeriut e jo karakteri individual i tijë.
Fatkeqësisht, duhet shumë kohë që elita të kuptoj që ngritja dhe klasi i vërtet janë modestia si në sjellje e si në paraqitje. Tirana të ofroi disa punë po, por nuk të pranoi dhe pse ishe përpjekur dhe kishe luftuar më shumë se shumë prej tyre. Jo, jo nuk të pranuan por të mbajtën në distancë për hir të të ruajturit të statusit social.
Po këta njerëz që kanë në duar organizata e shoqata sociale për të ardhur në ndihmë të grave e të vajzave, po këta të mënjanuan dhe nuk të lejuan të kishe famën që të dhuroi populli. Famën që meritoje. Në sytë dhe mendjen e popullit ishe me më shumë popullaritet seç të lejuan institucionet mediatike shqiptare. Jam e sigurtë që ishin në dijeni për famën që gëzoje por kjo nuk mjaftonte. Duhej të ishe prej një familje e vjetër qytetare, mundësisht shumë paragjykuese, hundëpërpjetë dhe hipokrite. Por ti këto s’i kishe. Shqiptarët të donin e vazhdojnë të të duan pikërisht sepse ti s’i kishe këto karakteristika të kalbura të qytetit.
E dashura Adelë. Qofsh në paqe me engjëjt atje ku meritojnë të jenë njerëz si ti. Dhe pse e shijove atë botën e hapur e të lirë veç pak vite, emri yt do mbetet në histori. U bëre dhe do mbetesh simbol aspirues për shumë e shumë vajza të tjera.
U hape rrugën, u dhe një hartë dhe i drejtove sesi me pak ëndërrim, dëshirë, vullnet dhe guxim mund të arrish shumë. Dhe pse mund të kishe arritur dhe më shume po mos kishe dhe gjykimet e Tiranës. Jam e bindur që do kishe arritur shumë më shumë por ja që Tirana që gjykon vende e njerëz larg saj nuk qenka dhe shume më mirë se ata. Lamtumire e dashur Adelajda Xhamani!/ Shkruar nga gazetarja me bazë në New York Anjeza Bojku për JOQ.al.
JOQ.al