Video
Ataku në zemër, shenjat që nuk duhet të neglizhoni
Ataku në zemër, shenjat që nuk duhet të neglizhoniD. Cani
Lajme
Mos u bëni mjeku i vetes tuaj! Ky është një rregull që gjithmonë duhet ta keni parasysh. Nëse keni dyshimin më të vogël, thjesht telefononi emergjencën.
Shumica e vdekjeve nga atakët në zemër ndodhin një orë pas sulmit, ndaj dhe ju nuk duhet të prisni disa orë para se të kërkoni ndihmë, sepse mund të jetë shumë vonë.
SHENJAT
Shqetësime në gjoks: Shumica e sulmeve në zemër përfshijnë siklet në qendër të gjoksit që zgjat më shumë se disa minuta, ose që ikën dhe pastaj kthehet. Mund të keni ndjesi presioni, shtrydhjeje dhe dhimbje.
Shqetësime në pjesën e sipërme të trupit: Dhimbja në një ose në të dy krahët, shpinë, qafë, nofull ose stomak mund të sinjalizojë një problem.
Shenja të tjera: Kushtojini vëmendje simptomave të trupit që nuk janë të zakonshme për ju, siç janë djersët e ftohta, të vjella, ethe, lodhje dërrmuese ose ndjenjë konstante ankthi. (Këto shenja janë veçanërisht të zakonshme tek femrat).
Në një atak në zemër, furnizimi i gjakut te muskujt e zemrës ndërpritet dhe qelizat e muskujve të zemrës fillojnë të vdesin, gjë që mund të shkaktojë dhimbje në gjoks, por ndonjëherë nuk ka, veçanërisht në gratë. Sipas portalit për shëndetin Reader’s digest, shumica e sulmeve të zemrës zhvillohen ngadalë, me dhimbje më të butë ose shqetësime.
Ka disa raste që mund të përjetoni një atak në zemër dhe as të mos e kuptoni këtë gjë. Kjo mund të ndodhë me këdo, njerëzit që vuajnë nga diabeti kanë më shumë gjasa të përjetojnë atë që quhet “sulm i heshtur në zemër”.
Një atak në zemër mund të godasë në çdo kohë, por ndodh më shpesh në orët e hershme të mëngjesit. Sulmet në zemër janë 40 përqind më të zakonshme mes orës 6 të mëngjesit dhe mesditës sesa në momente të tjera gjatë ditës. Vdekjet nga sulmet në zemër janë 29 përqind më të zakonshme gjatë mëngjeseve.
Telefononi menjëherë për një ambulancë dhe qëndroni të qetë. Pastaj uluni ose shtrihuni dhe ngadalë përtypni një tabletë prej 300 mg aspirinë. Aspirina ndihmon në minimizimin e dëmtimit të zemrës ose zhvillimin e një koagulimi të gjakut të rrezikshëm duke ulur “ngjitjen” e trombociteve që luajnë një rol të rëndësishëm në mpiksjen e gjakut.
Gjithashtu, sigurohuni që dera juaj të jetë e hapur, kështu që personat e ndihmës së shpejtë mund të hyjnë në shtëpi. Mos hani dhe mos pini asgjë, telefononi një të afërm, fqinj ose mik që të vijë t’ju bëjë shoqëri.
Çfarë i shkakton sëmundjet e zemrës?
Sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjeve në Amerikë. Sipas amerikanes ABC News, ato vrasin më shumë se 800 mijë persona në vit. Mjekët po venë re sëfundmi se njerëzit pësojnë goditje në zemër, mesatarisht, 4 vjet më herët se më parë.
Sipas ekspertëve, faktori kryesor është duhani, ndjekur nga presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë, diabeti dhe historia e familjes.
Mjekët thonë se vitet e fundit është rritur numri i të rinjve që shfaqin probleme me zemrën.
Sipas tyre, të rinjtë nuk besojnë se mund të kenë probleme zemre e kjo bën që të neglizhojnë simptomat.
Problemet me zemrën mund të vijnë për shkak të një defekti kongjenital të pazbuluar, apo gjatë shtatzënisë, që mund të çojë në dobësimin e zemrës. Por ato vijnë edhe për shkak të stresit të lartë, abuzimit me alkoolin, me pijet energjike, kafen, përdorimi i pilulave për rënie në peshë, etj.
Pas moshës 30 vjeçare bëni kontrolle të vazhdueshme të presionit të gjakut dhe kolesterolit. Me rëndësi të madhe është që të hiqni dorë menjëherë nga duhani.
Moshat më të rrezikuara
Teksa pjesa më e madhe e personave që preken nga një atak në zemër janë mosha e mesme apo më të mëdhenj, mosha mesatare për atakun e parë është 66 vjeç për meshkujt dhe 70 për femrat. Megjithatë, edhe njerëz në të 20 – at dhe të 30 -at pësojnë atak në zemër. Rreziku shtohet pas moshës 45 – vjeçare tek meshkujt dhe pas moshës 55 – vjeçare tek femrat.
JOQ.al